Musliu që dikur akuzonte prindërit e Sejdiut dhe Ismailit, sot hesht për djalin e Shpend Maxhunit

Aktuale

Musliu që dikur akuzonte prindërit e Sejdiut dhe Ismailit, sot hesht për djalin e Shpend Maxhunit

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 14:07
Dardan Sejdiu, Ganimete Musliu, Fisnik Ismaili

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu sot pas mbledhjes së Komisionit të AKI-së, nuk ka dashur ta ndërlidh veprimin e djalit të Shpend Maxhunit, me shefin e AKI-së.

Ajo ka thënë se djali i Maxhunit është i rritur dhe duhet të marrë përgjegjësi, duke shtuar se familjet nuk duhet t’i fusin në institucione.

“Jemi të thirrur të kërkojmë rregull dhe respektim të ligjit. Kisha dashur të kemi të qartë se kemi të bëjmë me djalin e drejtorit e jo me drejtorin e AKI-së. Dhe si të tillë nuk na duhen që problemet familjare t’i fusim në institucione. Unë i ftoj organet e drejtësisë të kenë 0 tolerancë ndaj kujtdo, pavarësisht djali i kujt është”, është shprehur Musliu.

Por ndryshe mendonte deputetja e PDK-së para më shumë se një viti.

Në një debat të ashpër ku ishin përfshirë shumë zyrtarë të PDK-së me ata të Vetëvendosjes, Musliu me ashpërsi fliste për babain e Fisnik Ismailit, e nënën e Dardan Sejdiut.

Për babain e deputetit të PSD-së kishte thënë se ka punuar në kohën e Millosheviçit.

“Unë mund ta kem pasur edhe një babë palidhje, por as në rastin e tij nuk më ka ndodhë të dëgjoj se ai ishte pobratim (kumbar) i Sllobës. Nëse ka dëshmitar që mund ta dëshmoi të kundërtën, prap ju ftoj ta dëshmoni ju mirëpres!”, kishte thënë kohë më parë Musliu, shkruan insajder.

Akuza të tilla për prindërit e deputetëve kishte pasur edhe për nënën e Dardan Sejdiut.

Musliu e kishte akuzuar se kishte punuar si gjyqtare në kohën e Sllobodan Millosheviçit.

“Ani, mirë e ka, pasi tash ka fituar edhe mandatin e deputetit, ky ma i butë se ai shoku i tij “Skenderbeu” ( baba i tij me alltia u endeke në Kosovën e vrarë të vieve 98-99 nga Millosheviqi atë kohë, e me leje të tij); por edhe ky Sejdia me nanën e vet, gjyqetare të dhunshme të Millosheviqit në Kosovë, duke punuar deri në 1999, me kanë me nxanë Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin të gjallë atëhere, nuk dihet a i kishin lëshuar të gjallë ndonjëhere prej gjyqit serb ku ka punuar!? E lëre ma kryetar shteti apo kryeparlamentar!”, kishte shkruar në facebook Ganimete Musliu kohë më parë.

Ndryshe në lidhje me skandalin e djalit të Shpend Maxhunit, komisioni për AKI-në është në pritje të raportit zyrtar nga Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat