Veseli: Krenarë me bashkëpunimin me SHBA-të

Aktuale

Veseli: Krenarë me bashkëpunimin me SHBA-të

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 19:08
Kadri Veseli

Bashkëpunimi për shkëmbimin e studentëve për studime në ShBA do të vazhdojë edhe më tej, ngase dija amerikane është më e mira më botë.

Kështu tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës në “World Learning”, programin që u mundëson të rinjve nga e gjithë bota të studiojnë në ShBA përmes bursave.

Pas takimit me drejtuesit e këtij institucioni, kryetari i Kuvendit tha se në kuadër të këtij projekti, 300 studentë janë përgatitur në ShBA dhe janë kthyer në Kosovë, 99 për qind prej të cilëve punojnë, thuhet në njoftimin e njoftimin e zyrës për informim të Kuvendit.

“Treqind studentë të përgatitur në ShBA janë aseti më i mirë i Kosovës për transformimin ekonomik për rrugëtimin e vet euro-atlantik”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke bërë të ditur se ky program do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Ne jemi evropianë, perëndimorë por ShBA-të janë miqtë më të mirë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe dija amerikane është më e mira në botë”, shtoi Veseli.

Ndërsa, Carl Hammerdorfer, drejtor i Programit për Lidership dhe Transformues për Bursa dhe Partneritetet në Kosovë, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për mbështetjen dhe bashkëpunimin që kanë pasur.

“Ne jemi shumë krenarë me 300 studentët kosovarë që kanë studiuar në ShBA, me shumë dinamikë. 99 për qind e tyre janë kthyer tani. Ata po bëhen liderë shumë të mirë në Kosovë. Jam shumë krenarë me këta të rinj dhe shumë i lumtur për bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës dhe me njerëz shumë të mirë nga atje”, tha Hammerdorfer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat