Avokati Gashi insiston se Astrit Dehari ishte vrarë, ja pse

Aktuale

Avokati Gashi insiston se Astrit Dehari ishte vrarë, ja pse

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 18:05
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi vazhdon të insistojë se aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ishte vrarë dy vjet më parë në qeli në Prizren, ku ishte në paraburgim për rastin e sulmit ndaj Kuvendit.

Dy vjet pas vdekjes së Deharit, familja është duke pritur rezultatet e superekspertizës që po bëhet në Lozanë të Zvicrës. Institucionet në Kosovë kishin thënë se rasti ishte vetëvrasje.

Në Express Intervistën, Gashi ka kujtuar deklaratat kundërthënëse menjëherë pas kësaj ngjarje duke deklaruar se “ka pasur deklarata për vetëvrasje, për ilaçe, e për varje, e që më pas asnjëra s’dolën të vërteta”.

Ai ka thënë se familja Dehari i beson dy ekspertëve të thirrur nga jashtë lidhur me rastin. Të dy këta, sipas Gashit, ishin pranuar gjatë obduksionit, por kur kishin publikuar rezultatet, ato nuk ishin pranuar.

“Kur e kemi marrë ekspertizën nga ekspertët e pavarur të lejuar nga institucionet dhe nuk iu konvenoi, atëherë prokuroria reagoi duke i quajtur si të pavlefshme”, ka thënë Gashi.

Pas kundërthënieve, familja Dehari ishte pajtuar që rasti të shkonte për superekspertizë në Lozanë të Zvicrës, nga ku akoma s’kanë ardhur rezultatet. Si vonesë, sipas Gashit, mund të jetë edhe përkthimi i lëndës nga gjuha shqipe.

Ai ka thënë se iu beson autoriteteve vendore se rastin e kanë dërguar të plotë në Zvicër dhe se sapo të marrin përgjigje ajo do t’i përcillet familjes. Ka shtuar se familja do të pranojë rezultatin juridikisht.

“Juridikisht do t’i pranojmë, por e vërteta është se Astrit Dehari është vrarë. E vërteta juridike nuk përputhet shpeshherë me atë faktike”, ka shtuar Gashi. “Unë nuk mund të aludoj se çfarë do të dërgojnë. Por kur të dërgojnë në Prokurori do të na pajisin me mendimin e tyre. S’kemi arsye të dyshojmë se mund të mos jenë reale. Familja Dehari i beson çfarëdo rezultati që mund të vijë. Mund të ketë dallim në aspektin juridik dhe faktik, por është rast që çon vetëm në një rrugë që Astrit është vrarë”.

Gashi po ashtu ka shtuar se ka pasur dy lloje ndikimesh politike në këtë rast, një për ndikim që rasti të vazhdojë të hetohet nga ndërkombëtarët dhe një tjetër negativ për “deklaratat e mëhershme se kujdes po vetëvriteni”. Kjo ishte thënë nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Sipas Gashit, rasti ishte plotësisht i montuar dhe gjithçka ishte ngritur për shkak se Dehari dhe të tjerët ishin aktivistë të Vetëvendosjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat