Deputetët kritik ndaj raportit të fundit të AMKM-së

Aktuale

Deputetët kritik ndaj raportit të fundit të AMKM-së

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 12:54
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor

(E plotësuar) - Raportin e fundit të Agjencisë për Menaxhim të Komplekseve Memoriale (AMKM), të prezantuar sot në komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor deputetët e vlerësojnë të dobët dhe të mangët.

Këtë vlerësim ata e dhanë për shkak se në raport munguan të dhënat financiare për mjetet e shpenzuara për memorialet.

Drejtori i AMKM-së, Bislim Zogaj, i cili prezantoi raportin para deputetëve të këtij komisioni, bëri të ditur se aktualisht në kompetencë kanë 121 memoriale, teksa shtoi se janë duke u munduar të zgjerohen edhe më tutje.

Si agjencion, Zogaj tha se krahas obligimeve kanë edhe probleme me disa komplekse memoriale, si “Adem Jashari” dhe “Ibrahim Rugova”.

Zogaj: Gjendja e kompleksit memorial “Adem Jashari” do të rregullohet

“Problemi i parë është kompleksi memorial ‘Adem Jashari’, që tani besoj se me votimin e projektligjit do ta kemi një situatë krejt ndryshe, më të mirë. Dhe, besoj se prej fillimit të ri, do të fillojë të zgjidhet ky problem dhe do ta heqim si përgjegjësi si qytetarë, por edhe ne kush kemi pasur pozita, që nuk kemi bërë që ky kompleks memorial të jetë më i dinjitetshëm se që është për momentin”, tha ai.

Sa i përket memorialit “Ibrahim Rugova”, Zogaj tha se kanë hasur në kërkesa të arsyeshme dhe të paarsyeshme të qytetarëve, por u shpreh optimist se kjo çështje do të zgjidhet.

Ndërsa për kompleksin memorial në Mejë, ai tha se janë të përkushtuar në përmirësimin e gjendjes në kompleksin përkatës, pasi që gjendja aty nuk është aspak e mirë.

Pas kësaj, nuk munguan kritikat e deputetëve, të cilët secili njëri pas tjetrit përsëritën mungesën e të dhënave financiare për memorialet.

Në këtë aspekt, më e zëshmja ishte deputetja Besa Gaxherri, e cila kërkoi të bëhet auditimi i punës së AMKM, ndërsa shtoi se kjo agjenci duhet të veprojë e pavarur nga politika.

Sipas saj, raporti i prezantuar sot ishte i mangët dhe nuk përmban asnjë të dhënë financiare për mjetet që janë shpenzuar deri më tani për memorialet. Teksa, duke folur për keqpërdorim të mjeteve, përmendi edhe shifra.

Gaxherri: Nuk kanë shkuar më shumë se 3-4 milionë euro për memorialet

“Nëse flasim deri më tani janë investuar mbi 10 milionë euro, dhe kolegë deputetë, ju të cilët keni qenë bashkë atë ditë, unë nuk jam profesionaliste në aspektin e inxhinieringut për ato punë që janë bë, por jam shumë e sigurt, për aq sa më ka rënë me i bë 4 shtëpi në këtë moshë, se aty nuk kanë shkuar më shumë se 3-4 milionë euro. Mendoj se ne duhet të kërkojmë që të bëhet një auditim sepse nuk ka asgjë më të papranueshme se sa të keqpërdoren mjetet e memorialeve”, u shpreh Gaxherri.

Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, tha se raporti i paraqitur nuk është i plotë pasi nuk përmban të dhëna financiare. Ai pyeti se sa kohë i duhet AMKM-së të dalë me raport të kompletuar.

Nitaj: Raporti nuk është i plotë, duhet të plotësohet

“Raporti që na e keni sjellë në Kuvend, sipas vlerësimit tim nuk është i plotë dhe shpresoj se do ta plotësojmë. Sa kohë ju duhet juve si agjenci që të vini me një raport të detajuar financiar për të gjitha komplekset memoriale në Republikën e Kosovës”, tha Nitaj.

Drejtori i AMKM-së nuk hezitoi të pranojë vërejtjet e deputetëve, teksa shtoi se raporti mund të plotësohet me të dhëna shtesë.

Zogaj: Jemi të gatshëm të raportojmë për projektet e agjencionit

“Definitivisht, ky raport është i mangët në të gjitha aspektet. Unë kam menduar që ky raport të jetë vetëm si udhërrëfyes në çka të orientohemi. Kurse, raportet financiare dhe të gjitha ato, jemi të gatshëm në çfarëdo kohe t’iu raportojmë për projektet që i kemi bërë si agjenci. Thashë që ne i menaxhojmë edhe shumë komplekse memoriale, lapidare dhe varreza, që ne as nuk e kemi bë punën, dhe as nuk e kemi pas projektin dhe as investimeve. Për ato që i ka kryer agjencioni jemi të gatshëm për të raportuar, por për ato që janë bërë më herët nuk kemi të dhëna”, tha Zogaj.

Deputeti Andin Hoti shtroi edhe çështjen e Shtëpisë Muze "Ukshin Hoti" në Krushë të Madhe.

Hoti: A është futur në AMKMK shtëpia muze “Ukshin Hoti”

“A keni arritur me fut në agjencionin tuaj edhe shtëpinë muze ‘Ukshin Hoti’ në Krushë të Madhe”, pyeti Hoti.

Zogaj tha se së pari duhet të bëhet kërkesë për kalimin e këtij kompleksi në kompetencë të AMKM-së, pasi që njëherë përnjëherë është kompetencë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndërsa deputetja Ganimete Musliu nga radhët e PDK-së, tha se duhet të bëhet e ditur se sa mjete duhen  për t’u kryer punët. Ajo tha se memoriali “Adem Jashari” duhet të dallojë nga të tjerët, ndërsa kërkoi informacione edhe për kullat e kompleksit “Ahmeti” në Likoshan.

Dilema pati për kohën se kur duhet të prezantohet një raport i kompletuar, ku kryetari i AMKM-së kërkoi kohë, por deputetët kërkuan të mos ketë shtyrje dhe u vendos që pas tri javësh kryetari i AMKM-së, Bislim Zogaj të dalë para komisionit me raport më të zgjeruar, përfshirë edhe atë të auditorit.

Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur sot, janë miratuar projektligjet për Mbrojtjen nga Zhurma dhe ai për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës.

AMKMK prezanton raportin për memorialet, kritikohet nga deputetët

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka shqyrtuar sot raportin e AMKMK-së, ku u tha se gjendja e tyre nuk është aspak e mirë. Ndërsa ky i fundit u vlerësua të jetë i mangët për shkak të mungesës së informacioneve financiare.

Drejtori i AMKMK, Bislim Zogaj, i cili prezantoi raportin para deputetëve të këtij komisioni, tha se si agjencion, kanë marrë përsipër që t'i kenë në mbikëqyrje memorialet. Ai bëri të ditur se aktualisht në kompetencë kanë 121 memoriale, teksa shtoi se janë duke u munduar të zgjerohen edhe më tutje.

"Brenda 3 javësh mund të sjellim raportin e auditorit dhe të gjitha informacionet që i kërkoni", tha ai.

Sipas tij, kanë pasur problem edhe me një kompani, e cila nuk e ka kryer punën si duhet.

Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, tha se raporti i paraqitur nuk është i plotë për shkak se nuk përmban të dhëna financiare. Ai pyeti se sa kohë do t'i duhej AMKMK-së të dalë me një raport të kompletuar.

E këtu u pajtua edhe Zogaj, pasi që tha se raporti është i mangët, por mund të plotësohet me të dhëna shtesë.

Edhe Salih Salihu nga PSD kërkoi të ketë raporte të qarta financiare. Ndërsa edhe më konkrete ishte deputetja Besa Gaxherri, e cila kërkoi të bëhet auditimi i memorialëve, ndërsa shtoi se AMKMK duhet të shkëputet nga politika.

"Duke e parë këtë raport, edhe ashtu i mangët, nëse flasim deri më tani janë investuar më shumë se 10 milionë euro, e aty nuk kanë shkuar më shumë se 3-4 milionë euro. Unë mendoj se aty duhet të bëhet një auditim për shkak se nuk ka gjë më të keqe se të keqpërdoren mjetet e memorialeve. Neve si deputetë nuk na falet", u shpreh Gaxherri.

Deputeti Andin Hoti, shtroi edhe çështjen e Shtëpisë Muze "Ukshin Hoti" në Krushë të Madhe.

Ndryshe, me këtë rast janë miratuar projektligjet për Mbrojtjen nga Zhurma dhe ai për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat