Deputetja e VV-së: Mesazhi i kancelarit Kurz i qartë, dialogu duhet të marrë fund

Aktuale

Deputetja e VV-së: Mesazhi i kancelarit Kurz i qartë, dialogu duhet të marrë fund

Nga: A.M. Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 13:41
Arbërie Nagavci

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci ka reaguar pas deklaratës së Kancelarit austriak Sebastian Kurz i cili ka folur për formimin e ushtrisë së Kosovës, për liberalizimin e vizave dhe ka shprehur përkrahjen për çfarëdo marrëveshje që del nga dialogu Kosovë - Serbi.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ky është një mesazh i qartë  dhe se nuk duhet të bëhet marrëveshje me Serbinë për çfarëdo çmimi për njohje.

Postimi i plotë:

Deklaratat e Kancelarit austriak Sebastian Kurz me të cilat ai shprehi skepticizmin si për formimin e ushtrisë së Kosovës, e po ashtu edhe për liberalizimin e vizave, ndërkohë që sipas tij, prioritet duhet të mbetet dialogu me Serbinë, dhe se do të mbështesin çfarëdo marrëveshje që del nga ky dialog, edhe nëse përfshin korrigjim kufijsh, janë mesazh i qartë.

Kosova duhet të ketë prioritet normalizimin e gjendjes së saj të brendshme para normalizimit me Serbinë. Duhet të përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë, të reformojmë sistemin gjyqësor e të sigurisë, të reformojmë sistemin e arsimit dhe të shëndetësisë në shërbim të ngritjes së cilësisë dhe përmirësimit të shërbimeve, të ofrojmë një jetë të dinjitetshme për secilin qytetarë.

Marrëveshja që u nënshkrua për demarkacionin me Malin e Zi, solli humbje të mbi tetë mijë hektarëve të teritorit të Republikës së Kosovës dhe asgjë tjetër, përkundër premtimeve për liberalizimin e vizave.

Kjo duhet të marrë fund. Ne nuk mund dhe nuk duhet të bëjmë marrëveshje me Serbinë për çfarëdo çmimi për njohje, por duhet të forcojmë shtetin tonë. Duhet të punojmë për një shtet ligjor, shtet të së drejtës e mirëqenje sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat