Punëtorët në rezidencën e Rugovës paguhen nga buxheti, kryeministri kërkon kontrata për ta

Aktuale

Punëtorët në rezidencën e Rugovës paguhen nga buxheti, kryeministri kërkon kontrata për ta

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 16:21
Rezidenca e presidentit Ibrahim Rugova

Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka kërkuar nga ministri i Kulturës dhe ai i Financave që 12 punëtorëve të rezidencës dhe memorialit “Ibrahim Rugova” t’u jepen kontrata të rregullta, meqë ata punojnë me kontrata mbi vepër

“A është e mundur që ky staf nga kontratat e përkohshme me kalu në kontrata të përhershme”, tha në mes tjerash Kryeministri Haradinaj në kërkesën e tij.

Për ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, kjo gjë është e mundur, mirëpo duhet hapur konkurs.

“Sa i përket 12 punëtorëve në rezidencë ata janë me kontrata të veçanta, kështu i kemi gjetë, kështu janë duke punuar. Sa i përket kalimit në kontrata të rregullta, këta punëtorë do duhet t’i nënshtrohen një konkursi për pranim”, tha ministri Gashi gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza tha se edhe nëse kalojnë në punëtorë me kontrata të rregullta shpenzimi i buxhetit është prapë i njëjtë.

“Kjo ka ndikim buxhetor neutral, vetëm ndërron forma. Nëse MKRS merr vendim me i kalu në punëtorë të përhershëm dhe pastaj ndërrohen pozicioni i buxhetit, nga mallra e shërbime kalojnë në paga dhe mëditje. Ndikimi i shpenzimit është i njëjtë”, tha Hamza.

Shtëpia e cila për disa vjet kishte shërbyer si zyrë e Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, tani është shtëpi banimi e bashkëshortes dhe pasardhësve të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat