Astrit Dehari përkujtohet në Tiranë

Aktuale

Astrit Dehari përkujtohet në Tiranë

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 22:43
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, janë mbledhur sonte në Tiranë për të përkujtuar aktivistin e kësaj lëvizje, Astrit Dehari

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, janë mbledhur sonte në Tiranë për të përkujtuar aktivistin e kësaj lëvizje, Astrit Dehari, i cili ka vdekur dy vite më parë në burgun e Prizrenit.

Njoftimi i Vetëvendosjes:

Në mbrëmjen e 6 nëntorit, në sallën Black-Box të Akademisë së Arteve mbështetës e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Tirana e nga vende të tjera të Shqipërisë u mblodhën për të përkujtuar shembullin e aktivizmit dhe atdhetarisë, Astrit Deharin, i cili u vra në 5 nëntor 2016 në burgun e Prizrenit, ku mbahej padrejtësisht.

Kjo mbledhje për nder të Astrit Deharit u shndërrua në një odë të vërtetë shqiptare, me pjesëmarrjen e grave e burrave, vajzave e djemve, nga shumë profesione e prejardhje, nga shtresa të ndryshme shoqërore, të gjithë bashkë në ërkujtim të një idealisti, i cili përditë e më shumë e forcon dritën e idealit për të cilin dha jetën!

Në këtë aktivitet erdhën edhe miqtë nga Kosova, bashkëshortja e Astrit Deharit, znj. Arta Boshtraj-Dehari, prindërit e tij, Xhemile e Avni Dehari, xhaxhai i Astritit, Esat Dehari, dhe babai i Artës, Nezir Boshtraj. Po ashtu bashkë me ta erdhën edhe nënkryetarja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deputetët Liburn Aliu e Xhelal Sveçla, si dhe veprimtari i vjetër e miku i familjes, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Emrush Xhemajli.

Gjatë këtij aktiviteti aktorja Ema Andrea e përshëndeti kujtimin e Astritit përmes poemës „Në Mundsh“ të Rudyard Kiplingut, ndërsa Elvis Hoxha, Arbër Zaimi, Gearda Demiraj, Krenar Zejno e Hysamedin Feraj folën për kujtimet, përvojat e mendimet e tyre me Astritin.

Në fjalët e Ema Andreas, „Duke folur për vdekjen ne i bëjmë nder e shërbim jetës“, e në fjalët e Krenar Zejnos, „Vetëm një shtet vetëvrasës, që shkatërron veten e vet e fal territorin e vet, mund të presë në mes një jetë të apasionuar prej aktivisti, prej mjeku të ri që sapo ka kryer studimet, prej babai që po pret fëmijën e tij të parë“. Shembulli jetësor i veprimtarit Astrit Dehari e mban atë të gjallë, si frymëzues e ndriçues për Lëvizjen që është e që do të vazhdojë të jetë, për Bashkim Kombëtar, për një shoqëri të drejtë e të barabartë, për një shtet funksional e demokratik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat