Përfundon seanca, vazhdimi mund të mbahet të premten

Aktuale

Përfundon seanca, vazhdimi mund të mbahet të premten

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 12:17

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës nuk ka vazhduar punimet e seancës plenare në pjesën e dytë të ditës.

Kjo meqë nuk ishin 61 deputetë të pranishëm në sallë. U tha se seanca tjetër ka mundësi të thirret për ditën e premte. 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se edhe pse nuk janë 61 deputetë në sallë, mund të vazhdojë debati për disa çështje, por nëse grupet parlamentare dëshirojnë ta shtyjnë për një ditë tjetër, kjo mund të bëhet brenda kësaj jave.

Veseli tha se ka mundësi që seanca e radhës të thirret për të premten , por nëse do të mbahet ose jo do të njoftohen me kohë.

Ndryshe sot pati mjaft  vështirësi në votim pasi që pjesëmarrja e deputetëve ne sallë herë pas here ishte e vogël.

***

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën pas pauzës

Kuvendi gjatë ditës ka miratuar shqyrtimin e parë të projektligjit për të drejtën ndërkombëtare private dhe për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Kuorum nuk ka pasur për plotësimin e ligjit për automjete, meqë Partia Socialdemokrate ka deklaruar se nuk merr pjesë në votim.

Kurse, projektligji për referendumin arriti të miratohet në votimin e tretë. Po ashtu, edhe projektligji për festat zyrtare kaloi pas u hodh disa herë në votim.

Në këtë seancë u miratua edhe shqyrtimi i dytë i projektligjit për efiçiencë të energjisë, dhe shqyrtimi i dytë të projektligjit për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare. 

Nuk hidhet në votim rezoluta kundër Thaçit, votohet projektligji për festat zyrtare dhe ai për referendumin

Kuvendi ka miratuar shqyrtimin e parë të projektligjit për të drejtën ndërkombëtare private dhe për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Kuorum nuk ka pasur për plotësimin e ligjit për automjete, meqë Partia Socialdemokrate ka deklaruar se nuk merr pjesë në votim.

Kurse, projektligji për referendumin arriti të miratohet në votimin e tretë. Po ashtu, edhe projektligji për festat zyrtare kaloi pas u hodh disa herë në votim.

Në pikën kur u shqyrtua projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për automjete, Dardan Sejdiu i PSD-së, tha se kjo parti nuk e voton amendamentin i cili e rrit kufizimin e vjetërsisë për importin e veturave.

Sejdiu: Jemi kundër amandamentit i cili e heq kufizimin e vjetërsisë

“Jemi kundër amandamentit i cili e heq kufizimin e vjetërsisë, apo e rrit kufizimin e vjetërsisë për importin e veturave. Rrjedhimisht po u informoj që ne në këtë ligj nuk marrim pjesë në votim”, tha ai.

Në këtë seancë u miratua edhe shqyrtimi i dytë i projektligjit për efiçiencë të energjisë, dhe shqyrtimi i dytë të projektligjit për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare.

Kuvendi nuk miraton projektligjin për referendumin

Projektligji për referendumin nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme për miratim nga deputetët e Kosovës. Nga gjithsej 53 deputetë që votuan, 50 ishin pro, kurse 3 abstenuan.

Deputeti i PSD-së Faton Topalli, propozues i këtij projektligji e ka quajtur atë të domosdoshme për demokraci.

Ai ka shtuar se referendumi paraqet  instrumentin i cili bën të mundshëm implementimin e vullnetit të qytetarëve.

Topalli: Referendumi është A-ja e demokracisë

“Referendumi është përgjigja dhe instrumenti kryesor kundër demagogëve. Referendumi është edhe një instrument i shkëlqyer edhe për partitë opozitare të cilët mund të kenë ide të shkëlqyera për mungesë të numrave, si pakicë nuk mund të implementojnë idetë e tyre. Pra, referendumi thënë shkurt është A-ja e demokracisë”, u shpreh ai, përcjell KosovaPress.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj tha se përkrahin këtë projektligj dhe se kërkojnë nga Kuvendi  që në këtë fazë ta përkrahin, mirëpo  sipas tij ky projektligj ka disa probleme teknike.

Beqaj: Ky  ligj ka probleme në aspektin teknik dhe përmbajtësor

“Ky ligj ka probleme në aspektin teknik dhe në aspektin përmbajtësor, besoj që edhe spozoruesi pajtohet. Kur them probleme në aspektin teknik nga ajo pjesë propozimit të ligjit duhet të jetë në formë tabelare është vetëm si draft i propozuar, por konsideroj që edhe grupi parlamentar mes dy leximeve do të jep kontributin e vet , por edhe si komision për legjislacion jemi zotuar që pasi të kalon në seancë plenare të bëjmë një grup punues gjithëpërfshirës nga të gjitha subjektet politike, pasi që ky ligj ka një rëndësi të vecantë dhe është i domosdoshëm për Republikën e Kosovës”, tha Beqaj.

Punimet e seancës së sotme nuk filluan me votimin e propozim-rezolutës lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ishte pika e parë e rendit të ditës.

As sot nuk hidhet në votim rezoluta kundër Thaçit në Kuvend

Me 61 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenim, është miratuar në Kuvendin e Kosovës rezoluta e harmonizuar nga grupet parlamentare në lidhje me shtesat e fëmijëve.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila njëherësh kishte iniciuar këtë rezolutë, para votimit, kërkoi nga të gjithë deputetët që të përkrahin këtë rezolutë  dhe që ndarja e shtesave për fëmijë të fillojë vitin e ardhshëm.

Kadaj-Bujupi: Vitin e ardhshëm të fillojë ndarja e shtesave për fëmijë

“Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të hartoj dhe të zbatoj sa më parë legjislacionin për ndarje për shtesat për fëmijë në Republikën e Kosovës. Ndarja e shtesave për fëmijë të filloj gjatë vitit 2019.   Shuma mujore e shtesave për fëmijë të kategorizohet duke marrë parasysh kriteret përkatëse. Duke përfshirë të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve. Edhe një herë i ftoj deputetët vec e vec, meqë në  grupet parlamentare jemi harmonizuar që t’i japim përkrahje kësaj rezolute”, ka thënë Kadaj Bujupi

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se edhe pse nuk kanë qenë prezent në seancën kur është diskutuar rezoluta, janë pro kësaj.

Mirëpo, ai ka pasur një lutje për Kadaj- Bujupin.

Zemaj: Të ketë harmonizim për rezolutën

“E kisha lut propozuesen që bashkërisht edhe me deputetët që janë më kompetent në këtë fushë, sidomos tash që ndërlidhen edhe me pjesën buxhetore që t’i harmonizojnë këto qëndrime, është mirë që është kërkuar harmonizimi, është diçka që është debatuar edhe si pjesë e punës tonë dhe kërkesave që në këto të hyra familjare të ketë kategorizim, mbi të gjitha t’i japet mundësi, prindërve dhe  fëmijëve të tyre në çështjet e ndihmës financiare. Andaj kërkojmë mirëkuptimin e grupeve politike që kjo rezolutë të harmonizohet të merren qëndrimet nga të gjithë përfaqësuesit, mbi të gjitha edhe komisionet që janë funksionale, që ndërlidhen me direkt me implementimin qoftë të komisionit për buxhet, qoftë të komisionit për punë dhe mirëqenie sociale dhe kjo të saktësohet që në implementim të mos kemi problem qysh nga viti 2019”, tha Zemaj.

Ai ka theksuar se në parim si parti, janë pro mirëpo kërkojnë harmonizim dhe saktësim , që sipas tij në procedura të mos ketë problematika që mund të paraqiten.  Me këto shtesa parashihet, që çdo fëmije deri në moshën 16 vjeçare , çdo muaj t’i ipen nga 10 euro.

As sot nuk hidhet në votim rezoluta për kundër Thaçit në Kuvend

Punimet e seancës plenare nuk filluan me votimin e propozim-rezolutës debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ishte pika e parë e rendit të ditës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se janë marrë vesh grupet parlamentare që të ketë harmonizim dhe një qëndrim të përbashkët, siç tha ai, në mënyrë që mos të ketë debat përçarës.

Seanca e Kuvendit filloi sot me propozim-rezolutën e deputetes Donika Kadaj-Bujupi për hartimin e legjislacionit për ndarjen e shtesave për fëmijë.

Por, deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, tha se nuk duhet ndryshuar rendi i ditës pa sqarime.

Zyba: Duhet të bëhet e qartë kur ndryshohet rendi i ditës

“U desht fillimisht me ba të qartë ndryshimin e pikave të rendit të ditës, ose shefat e grupeve, ose ju me specifikë të veçantë cila është marrëveshja cili është ndryshimi, se u fut ndryshim pa e arsytu ndryshimin dhe shkuat në pikën tjetër dhe jo me renditje”, tha Zyba.

Por sipas kryetarit të Kuvendit, kjo u bë në pajtueshmëri me grupet parlamentare.

Veseli: Jemi marrë vesh që të ketë harmonizim mes të gjitha grupeve parlamentare

“Unë mendova që ishin të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare, edhe ju të Vetëvendosjes kur ishim në Kryesi. Për publikun do ta bëjë të qartë, për propozim rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka mbetur që të harmonizohet bashkërisht. Ky  ishte një qëndrim i përbashkët, të harmonizohet bashkërisht në mënyrën që mos të krijojmë debat përçarës mes vete, ky ishte qëndrim i të gjitha grupeve parlamentare, me pas parasysh, dhe në të njëjtën kohë harmonizim në votimin në parim të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore”, tha Veseli.

Në seancën e sotme po marrin pjesë edhe opozita.

Image

Veseli konfirmon tërheqjen e rezolutës e dialogut nga seanca, thotë se duhet harmonizim

Propozim-rezoluta nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës në përfshirjen e ‘Shkëmbimit të territoreve”, apo “Korrigjimit të kufijve” në dialogun me Serbinë është hequr nga rendi i ditës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli para deputetëve në seancën e cila sapo ka filluar, tregoi se ky propozim është mbetur që të harmonizohet e pastaj të sjellët në Kuvend.

Sipas tij, qëllimi është që të mos krijohet debat përqarës.

“Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë ka mbetur që të harmonizohet bashkërisht. Ky është qëllim i përbashkët  që të mos krijojmë debat përçarës. Ky është qëndrim i gjithë kryetarëve të grupeve parlamentare”, ka thënë Veseli.

Drejtpërdrejt nga seanca e Kuvendit

Sot vazhdon seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në rend të ditës janë 33 pika.

Pika e parë e seancës është votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat