Sjelljet problematike të ‘djemve joproblematikë’ para takimit të sotëm në Bruksel

Aktuale

Sjelljet problematike të ‘djemve joproblematikë’ para takimit të sotëm në Bruksel

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 12:28
Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja shteteve, pritet të vazhdojnë pas dështimit që pati dy muaj më parë takimi i paralajmëruar i dy presidentëve në Bruksel, i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Presidenti Thaçi me 7 shtator të këtij viti u shpreh i vendosur që idenë e tij për “korrigjimin e kufijve” ta shpalosë në tavolinë të bisedimeve me homologun e tij serb, duke kërkuar që komunat me banorë shqiptarë në Serbi, Lugina e Preshevës, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës.

Por Thaçi nuk arriti që atë ditë ta takojë Vuçiqin, pasi ai zhvilloi takim vetëm me Mogherinin dhe u largua nga selia e BE-së për shkak autoritetet kosovare nuk ia kishin lejuar fillimisht që në kuadër të një vizite të paralajmëruar në Kosovë një ditë më vonë, ta vizitonte edhe liqenin e Ujmanit.

Megjithatë, presioni ndërkombëtar bëri që institucionet e Kosovës të lëshojnë pe dhe ta lejojnë atë vizitë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq kishte deklaruar se takimi në mes të presidentit të Kosovës dhe Serbisë nuk do të realizohet.

“Presidenti jonë nuk do të ketë takim me përfaqësuesit e Kosovës”, kishte thënë Gjuriq pas takimit Vuçiq-Mogherini.

Kurse edhe delegacioni i Kosovës në Bruksel takoi veçmas përfaqësuesit e BE-së për dialogun.

Presidenti Hashim Thaçi, i zhgënjyer që nuk mund ta takonte homologun e tij serb, menjëherë pas bisedimeve me Mogherinin kishte thënë se mospajtimet mes Kosovës e Serbisë po thellohen.

Ai e mohoi të kishte bojkot nga ana e Vuçiqit dhe shtoi se takimet trelaterale do të realizohen herë të tjera.

Menjëherë pas këtyre zhvillimeve, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq zhvilloi vizitë dy ditore në Kosovë, me 8 dhe 9 shtator 2018.

Në ditën e parë të vizitës, Vuçiq në agjendë të tij e kishte vizitën te i shumëpërfoluri Liqeni i Ujmanit.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, Vuçiq, vizitoi Mitrovicën, Zveçanin, por nuk arriti të shkojë të serbët në Banjë të Skenderajt pasi që banorët shqiptarë të asaj zone protestuan duke bllokuar rrugën për të mos e lejuar presidentin serb të shkojë atje.

Thaçi dhe Vuçiq ishin protagonistë  me deklarata edhe në Forumin Europian Alpbach që u mbajt në Austri me 31 gusht 2018.

Thaçi në këtë forum, duke e arsyetuar “korrigjimin e kufijve”, për vetën  dhe për Vuçiqin, kishte thënë: “Nuk jemi burra problematikë – ne po mundohemi ta bëjmë një marrëveshje”.

Vëmendjen e zhvillimeve politike, presidenti Thaçi e tërhoqi sërish kur vendosi që të vizitojë Liqenin e Ujmanit. Ky veprim ndodhi pikërisht në ditën kur Lëvizja Vetëvendosje mbajti protestë për të kundërshtuar “pazaret me Serbinë”.

Përveç protestave, ideja e presidentit për korrigjimin e kufijve u tentua që të parandalohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Partitë opozitare kërkuan miratimin e një rezolute që kishte të bënte me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por kjo Propozim-rezolutë nuk arriti të kalojë në legjislativ për shkak mungesës së kuorumit dhe mungesës së harmonizimit për përmbajtjen e saj nga partitë në pushtet dhe ato opozitare.

Pas tërë këtyre zhvillimeve, Bashkimi Evropian paralajmëroi vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi këtë të enjte.

Sipas njoftimit të lëshuar nga BE, në këtë takim, Thaçi e Vuçiq pritet të “konfirmojnë gatishmërinë e tyre për intensifikim të punës për ta arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme rreth normalizimit gjithëpërfshirës i cili është krucial për rrugët respektive europiane” të dy vendeve.

Procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar në mars të vitit 2011.

Sipas Platformës “Vota Ime” të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI),  që nga fillimi i dialogut e deri më tani janë arritur 19 marrëveshje.

Takimi i sotëm që pritet të zhvillohet në orët e mbrëmjes do t’i bëjë bashkë dy liderët ‘joproblematikë’ të cilët në ndërkohë krijuan tensione me veprimet e tyre.

Një i tillë ishte edhe me vizitën e papritur që Thaçi i bëri liqenit të Ujmanit në shtator të këtij viti.Hashim Thaçi një ditë para dialogut, në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se më mirë do të bisedonte me një “dreq” sesa me homologun e tij Aleksandar Vuçiq./kallxo/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat