VV: Thaçi duhet të përgjigjet para gjykatës për shkeljet në dialog

Aktuale

VV: Thaçi duhet të përgjigjet para gjykatës për shkeljet në dialog

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 14:20
Glauk Konjufca

Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka mandat parlamentar për takime me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Në një konferencë për media, Glauk Konjufca tha se takimi i Thaçit në Bruksel nuk është i rastësishëm, pasi kjo, sipas tij, është bërë shpejt e shpejt që të mos ketë reagime të opozitës apo qytetarëve.

"Takimi ndodhi brenda një periudhe të shkurtë, brenda 24 orësh. Kjo është praktikë e re, por jo e rastësishme. Kjo bëhet që mos të ketë kohë për reagim parlamentar, opozitës apo qytetarëve. Kemi hyrë në fazë të re ku po duket se marrëveshja është fare pranë. Presidenti po shkon pa mandat parlamentar në takime me Vuçiqin. Presidenti Thaçi është në gjendje ta paguajë njohjen e Serbisë. Lugina e Preshevës është vetëm mashtrim i tij", tha ai.

Konjufca tha se rezultatet që Thaçit nga takimet në Bruksel janë krijimi i Listës Serbe, asociacioni i komunave me shumicë serbe, legalizimi i pushtetit serb në Kosovë, në drejtësi, polici, AKI, energjetikë, telekomunikacion.

“Thaçi e la legalizuar Serbinë brenda Kosovës", tha ai, duke shtuar se Kosova mund të jetë shtet i suksesshëm pa njohjen e Serbisë.

"Të kishte Kosova një kryeprokuror siç duhet, ai do të lëshonte thirrje, policia do të lëshonte fletarrest, dhe në momentin që ai do të hynte në Kosovë duhet të aktivizohej fletarresti. Thaçi do të duhej të përgjigjej para gjykatës për shkeljet që po i bënë në dialog", tha Konjufca.

Ndryshe, sot në Bruksel mbahet takimi i radhës i dialogut ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat