Ministri Berisha takon Metën, flasin për procesin e tranzicionit të FSK-së

Aktuale

Ministri Berisha takon Metën, flasin për procesin e tranzicionit të FSK-së

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 16:57
Rrustem Berisha dhe Ilir Meta

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Berisha ka zhvilluar takime të ndara me presidentin Ilir Meta dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Berisha e ka njohur presidentin Meta me procesin e tranzicionit të FSK-së, miratimin e tri ligjeve nga Kuvendi i Kosovës lidhur me këtë proces, transparencën e plotë të këtij procesi, bashkëpunimin me partnerët strategjikë dhe shtetet anëtare të NATO-s për përfundimin me sukses të procesit, i cili po zhvillohet me konsensus të plotë të faktorit të brendshëm politik në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministri i FSK-së është pritur në takim edhe nga ministrja shqiptare e Mbrojtje, Olta Xhaçka, më të cilën ka biseduar për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Ministrisë për FSK dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.

Berisha e ka njoftuar Xhaçkën edhe me zhvillimet e fundit në MFSK dhe FSK, arritjet dhe partneritetin e ndërtuar me shtetet mike, si dhe për avancimin e planit lidhur me misionin dhe detyrat e FSK-së, i njohur tashmë si procesi i tranzicionit të FSK-së.

Ndërsa, ministrja Xhaçka, e ka siguruar Berishën se Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve të saj dhe në objektivat për integrime euroatlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat