Këshilltari i Kryeministrit: Nëse opozita i ka 61 vota, Qeveria të shkojë në shtëpi

Aktuale

Këshilltari i Kryeministrit: Nëse opozita i ka 61 vota, Qeveria të shkojë në shtëpi

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 17:13
Ramush Haradinaj

Ashtu sikurse deklarohet e gatshme Lista Srpska për ta rrezuar Qeverinë, një Këshilltar i Kryeministrit thotë se edhe Ramush Haradinaj është i gatshëm të shkojë në shtëpi, nëse opozitarët arrijnë t’i kenë 61 vota që e mundësojnë këtë.

Avni Arifi, shef i stafit të kryeministrit, ka komentuar gatishmërinë e Listës Srpska për t’i ofruar 10 votat e saj për rrëzimin e Qeverisë.

Arifi thotë se edhe qeveria është e gatshme të shkojë në shtëpi, nëse pala tjetër i arrin t’i sigurojë 61 vota.

“Ani çka në demokraci ne jetojmë le të rrëzohet, nëse kjo qeveri, nëse Kuvendi i Kosovës i ka 61 vota, nëse e votojnë këtë qeveri me shku në shtëpi, kjo duhet të shkojë në shtëpi”, është shprehur tutje shefi i stafit të kryeministrit.

Ai thekson se secili partner qeveritar, që nuk është i kënaqur, mund të largohet.

“Koalicionet krijohen në bazë të interesave partiake, ne kemi kriju koalicion jo vetëm me ta, por edhe me partnerë tjerë, kushdo që nuk është i kënaqur me këtë koalicion, është  i lirë të bëj zgjidhje të tjera”, ka thënë Arifi.

Për rrëzim të Qeverisë është deklaruar sot për KlanKosoven nga Parisi presidenti Hashim Thaçi. Ai ka thënë se nëse qeveria nuk është funksionale, atëherë duhet të vijë një tjetër.

E, Arifi thotë se askush nuk duhet të mendojë se me rrëzimin e kësaj qeverie, ndarja e Kosovës do të jetë më e lehtë.

“Nëse mendon dikush që me rrëzimin e kësaj qeverie ndarja e Kosovës do të jetë më lehtë, e ka gabim”, është shprehur Arifi.

Lista Serbe me anë të një komunikate ka ofruar 10 votat e deputetëve të saj për ta rrezuar qeverinë, pjesë e së cilës është edhe vetë.

Në komunikatën e Listës Serbe, ku flitet se do të mbështesë përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë, ndër të tjera thuhet edhe se “serbët e Kosovës nuk mund dhe nuk duan të jenë peng i përfaqësuesve të papërgjegjshëm shqiptarë dhe luftës demagogjike dhe kapriçioze për mbijetesën e tyre politike”.

Media ka kontaktuar sot zyrtarë të lartë të dy prej partive më të mëdha opozitare, të cilat e kërkojnë rrëzimin e Qeverisë.

Anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se nuk i bashkojnë votat me Listën Srpska për ta rrezuar Qeverinë e Ramush Haradinajt.

“VV nuk bashkëpunon me Listen Sespka për ta rrezuar Qeverinë Haradinaj. VV bashkëpunon me spektrin tjetër opozitar dhe deputetë të tjerë qoftë nga mazhoranca sepse mendojmë që agjendat e Listës Serbe nuk janë në përputhje me as interesat e Kosovës, as me interesat e opozitës”, është shprehur deputeti i VV’së.

Ndërsa, nënkryetari i LDK’së, Haziri thotë se deklaratat e Listës Srpska mund të jenë për konsum ditor dhe për t’i bërë presion Qeverisë për heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve të Serbisë.

Ai ka treguar se LDK ende nuk ka qëndrim për pozicionin e ri të deputetëve serbë. Megjithëkëtë, ka thënë se votat e Srpska’s ishin vendimtare për formimin e Qeverisë dhe mund të shërbejnë për të humbur shumicën pozita.

“Shpresojmë shumë që mos të jetë vetëm deklaratë për konsum ditor dhe për t’i bërë presion Qeverisë për taksën 10 për qind që është apliku kundër Serbisë”, ka thënë Haziri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat