Merkel injoron Thaçin, ky orientohet kah Franca e Austria

Aktuale

Merkel injoron Thaçin, ky orientohet kah Franca e Austria

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 18:03
Hashim Thaçi me presidentin francez

Presidenti Hashim Thaçi, pas acarimit të raporteve me Gjermaninë e Kancelares Angela Merkel, ka orientuar interesimin e tij për raporte të ngrohta me presidentin francez Emmanuel Macron. Ndonëse Franca është shteti mik që vetë më së paku përkrah liberalzimin e vizave, Thaçi beson se Macron do të dalë e do t’u kërkojë vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që ta përkrahin heqjen e vizave për qytetarët.

Presidenti Hashim Thaçi, i cili është ftuar në kremten e presidencës franceze për nder të 100 vjetorit të përfundimit të luftës së Parë Botërore, në konferencën për media që e mbajti sot në Paris, foli për liberalizimin e vizave.

Njeriu që ka premtuar për një dekadë liberalizimin e vizave, sot në Paris u shpreh skeptik se çështja e heqjes së vizave do të mund të hyjë në agjendën e Bashkimit Evropian muajt në vijim.

Por, Thaçi ka besim te presidenti francez, Emmanuel Macron, do t’i shtyjë vendet e Bashkimit Evropian që ta përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën.

Afërsia që po e tregon Presidenti Thaçi me presidentin francez, pasi ka ftohur krejtësisht raportet me Gjermaninë, sic duhet e ka bërë shefin e shtetit të harrojë qasjen që Franca ka ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në fillim të shtatorit, Parlamenti Evropian votoi propozimin për heqjen e vizave për qytetarët.

Nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës e që konsiderohen shtete mike, Franca ka votuar me shumicë votash kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Nga 67 deputetë që ishin të pranishëm në Parlament, 43 kanë votuar kundër, 22 e kanë mbështetur propozimin për liberalizim të vizave për Kosovën dhe 2 prej tyre kanë abstenuar.

Mirëpo, presidenti Thaçi ka shpresat që pikërisht Macron, - eurodeputetët e të cilit nuk votuan pro liberalizmit, - do të dalë e të bind shtetet e tjera të Bashkimit Evropian për ta përkrahur liberalizimin e vizave.

“Prandaj, do ta shfrytëzoj mundësinë që me gjithë burrështetasit të bisedojmë dhe Makron të jetë shtytës për vendet e tjera të BE’së”, ka thënë Thaçi para mediave.

Franca ka dyshimet e saj kur bëhet fjalë për heqjen e vizave për kosovarët, por është një nga shtetet e BE’së që deklaron se e përkrah pa kushte secilën marrëveshje që e arrin Thaçi me Vuçiqin.

Përveç Francës, edhe Austria ka qëndrim pozitiv ndaj idesë së Presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh. Këtë e ka bërë të ditur kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili të marën qëndroi në Prishtinë, prej ku e tha qartë qëndrimin e tij pro secilën marrëveshje që e arrin Thaci e Vuciq.

Ndërkaq ideja e korrigjimit ka zbuluar raportet aspak të mira që presidenti Thaçi ka me gjermanët. Kancelarja gjermane, e cila kundërshton lëvizjen e kufive në Ballkanin Perëndimor, brenda një jave i ka shkruar letër shefit të opozitës, Isa Mustafa dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat