Ish-negociatorja e dialogut: Bisedimet me Serbinë po shkojnë keq

Aktuale

Ish-negociatorja e dialogut: Bisedimet me Serbinë po shkojnë keq

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 22:16
Aleksandar Vuçiq, Federica Mogherini dhe Hashim Thaçi

Takimi  i fundit në kuadër të fazës finale të dialogut me Serbinë ndërmjet dy presidentëve, përkatësisht mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit,  ishte i tensionuar, ku asnjëri nuk dhanë shenja të mira për arritjen e një marrëveshjeje paqësore ndërmjet dyja vendeve.

Madje, në një video të publikuar në faqen e Bashkimit Evropian para takimit me zyrtaren e lartë të BE-së, Federica Mogherini, dy Presidentët derisa prisnin për të realizuar një foto të përbashkët nuk e përshëndesin njëri tjetrin.

Ndërsa, pas takimit Thaçi tha se diskursi i Vuçiqit ishte agresiv dhe arrogant, ndërsa Vuçiq u pa i tensionuar duke thënë se shqiptarët nuk po i respektojnë marrëveshjet.Ish-negociatorja e dialogut, Edita Tahiri vlerëson se tash për tash dialogu është duke shkuar keq sepse po përmendet prekja e kufijve.

“Nuk është me rendësi kur përfundon dialogu, por si do te përfundoj ky dialog. Tash për tash dialogu po shkon keq, për faktin se po përmendet prekja e kufijve”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka shtuar se BE-ja duhet të dalë kundër ndryshimit të kufijve për të vendosur në rrugë të drejtë dialogun.

Sipas saj, kështu si po zhvillohet dialogu, do të dërgojë në jostabilitet me pasoja negative për mbarë rajonin.

“Për ta vendosur në rrugë të drejtë këtë dialog, i takon zonjës Mogherini dhe BE-së qe të dalin me qëndrim kundër ndryshimit të kufijve dhe në mbrojtje të parimeve evropiane për fqinjësi të mirë mes shteteve, Kosovës dhe Serbisë, që duhet te rezultojë me njohje reciproke mes tyre, si çelës për një paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe Evropë. Kështu, siç po zhvillohet ky dialog tani dërgon në jostabilitet me pasoja negative për mbarë rajonin”, ka thënë ish-negociatorja e dialogut.

Ndërsa, politologu Donik Sallova beson se pas presioneve nga ndërkombëtarët të dyja palët do të vazhdojnë negociatat, sepse sipas tij kjo është në vullnetin e palëve dhe në interes të Bashkësisë ndërkombëtare.

“Kjo gjë më shumë se ne vullnetin e palëve është në interesin e bashkësisë ndërkombëtare e cila do qe ta përfundojë këtë kontest historik dhe armiqësor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A do shtohet presioni ndaj Serbisë që mos të jetë kushtëzuese në dialog apo do shtohet presioni ndaj Kosovës që të mos ndërmarrë veprime qe e tensionojnë situatën ne ketë fazë dialogu, kjo mbetet për tu parë”, ka thënë Sallova.

Mirëpo, Sallova beson se letrat do të hapen nga java në javë dhe se palët do të detyrohen për një kompromis.

Ai thotë se këtë gjë do ta merr përsipër ShBA-të dhe shtetet evropiane.

“Por, unë besoj qe letrat do hapen nga java në javë dhe do të shohim që palët do të detyrohen për kompromis, por unë besoj qe kjo gjë do merret përsipër nga ShBA dhe shtete përkatëse evropiane, sepse Mogherini dhe teknokracia e Brukselit si duket nuk ka kapacitet për të ushtruar presion, veçanërisht mbi Serbinë. Dështimi i pritur i anëtarësimit të Kosovës në Interpol do te jetë një formë presioni se pa marrëveshje me Serbinë, gjendja e status-quos, me propagandën anti-njohje të Serbisë, vetëm sa do ta izolojë edhe e shume Kosovën ne planin ndërkombëtar”, ka përfunduar Sallova.

Dialogu me Serbinë ka vite që ka nisur dhe nuk dihet se kur do të përfundoj dhe me çfarë marrëveshje do të shënohet finalja e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat