Haradinaj ‘tollovit’ UP-në për ta regjistruar djalin e këshilltarit në Fakultetin e Mjekësisë

Aktuale

Haradinaj ‘tollovit’ UP-në për ta regjistruar djalin e këshilltarit në Fakultetin e Mjekësisë

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 19:18
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u doli në krah kërkesës së 91 studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës për tu transferuar në Universitetin e Prishtinës, të cilët më parë ishin refuzuar nga Fakulteti i Mjekësisë për mos plotësim kriteresh.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e këtyre studentëve është edhe djali i këshilltarit të kryeministrit, Luan Jaha. Atij i është refuzuar kërkesa për transfer nga Fakulteti i Mjekësisë për mosplotësim të kushteve. Mirëpo, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Senati shqyrtimin e kërkesës së studentëve për transfer nga F.Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës në F.Mjekësisë në UP.

Kërkesa që i shkoi dje Senatit të Universitetit të Prishtinës, ka mbetur të shqyrtohet të enjten. Fakulteti i Mjekësisë, Ministri i Arsimit, Zyra e BE-së dhe OJQ që merren me arsim po e shohin me skepticizëm këtë kërkesë, ndërsa disa prej tyre po e shohin edhe si ndërhyrje në autonominë e UP-së.

Në listën e studentëve të refuzuar për transfer nga ana e Fakultetit të Mjekësisë është edhe Art Jaha, djali i Luan Jahës, këshilltari i kryeministrit për shëndetësi.

Arti u refuzua që ta vazhdojë vitin e tretë në UP pasi nuk përmbushi kriterin e 60 ETC dhe provimeve të dhëna sipas komisionit që bëri këtë vlerësim.

Luan Jaha vetëm arsyetoi kërkesën e kryeministrit duke thënë se nuk është detyrim por sugjerim dhe se vendimi i mbetet senatit.

“Letra e Kryeministrit Rektoratit është përgjigje e tij në kërkesën me shkrim të dërguar Zyrës së tij nga studentet kosovare që aktualisht studiojnë në Tetovë dhe që kanë aplikuar për transfer në UP. Në letër kryeministri kërkon që të shqyrtohet mundësia për transfer e studenteve që kanë aplikuar për t’u transferuar dhe jo të bëhet transferi. Pra vendimi është në Rektorat. Motivi është ngarkesa e madhe financiare. Letra është e nënshkruar nga Kryeministri”, tha Jaha.

Përkundër se është pyetur, Jaha nuk ka treguar se djali i tij do të përfitojë në rast të transferit nga Tetova në Universitetin e Prishtinës. media.com ka provuar të marrë koment edhe nga vetë Art Jaha, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të artikullit.

Emri i Art Luan Jaha është në listën zyrtare të studentëve që i është refuzuar transferi nga Fakulteti i Mjekësisë.

Të gjithë kundër idesë së kryeministrit

Në mbledhjen e 45-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës, në pikën e katërt të rendit të ditës u përfshi një letër e kryeministrit Ramush Haradinaj ku kërkon shqyrtimin e mundësisë për transferin e studentëve nga UT në UP.

“Marrja e vendimit lidhur me kërkesën e kryeministrit të Republikës së Kosovës për transferim të grupit të studentëve nga F.Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, të cilët kanë aplikuar për transfer në F.Mjekësisë në UP” , thuhej në pikën e katërt të rendit të ditës.

Brenda ditës kur parashihej të shqyrtohej kjo kërkesë.

Fillimisht media ka kërkuar një koment nga  Libor Chlad, Zv Shef i Departamentit per Bashkëpunim në zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë lidhur me këtë çështje.

Chlad ngriti shqetësime dhe pikëpyetje lidhur me këtë kërkesë ku thuhet se duhet të ‘përdoret metra e njëjtë për të gjithë’.

“Ne kemi mbështetur konceptin e sundimit të ligjit në Kosovë për vite me rradhë. Nuk është një konstrukt teorik. Sundimi i ligjit do të thotë se e përdorim metrin e njëjtë për të gjithë. E kuptoj se këto ‘transfere’ të sutdentëve përdoren për të tejkaluar provimet pranuese në Kosovë. Mendoj se është e drejtë të pyetet nëse universiteti ka kapacitet që t’i pranojë të gjithë që tregojnë interes dhe nëse po, cili është ndikimi në kualitetin e studimeve ? Më e rëndësishme, cili është mesazhi që po dërgojmë tek doktorët e rinj ? A dëshironi që ata të jenë kështu, kur të ju trajtojnë në të ardhmen ? Dhe çka për ata që nuk kanë mundur të pranohen në mënyrë të rregullt, ndoshta vetëm një pikë mangët në test ? Si është kjo e drejtë ?”, thuhet në reagimin e Chlad.

Më pas, vetë Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se nuk ka qenë i informuar për këtë kërkesë të kryeministrit mirëpo sipas tij, një transfer i tillë duhet të jetë i bazuar në kritere.

Në një përgjigje për media, ministri tha se duhet të ruhet pavarësia e universitetit në këto lloj vendimesh.

“Unë si ministër i MASHT-it nuk kam ndonjë informacion për një kërkese të tillë lidhur me studentët e universitetit te Tetovës për transferim në UP. Ajo çka në ketë rast duhet të konsiderohej është se Universiteti i Prishtinës është institucion e pavarur dhe duhet të veprojë mbi bazën e këtyre parimeve”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se ‘rritja e numrit te studenteve duhet te behet ne përputhje me numrin e studenteve te lejuar nga vendimet e akreditimit, transferimi i studentëve nga UT në UP duhet të bëhet në përputhje te plotë me UA dhe rregulloret ne fuqi.

Po ashtu sipas tij, ‘procedurat e transferimit duhet te kryhen nga vetë fakulteti në përputhje të plotë në procedurat dhe rregullat në fuqi siç duhet të bëhet edhe barasvlersimi i kredive, i lëndëve dhe notave nga vetë fakulteti’.

Ngjashëm, Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka Kërliu tha se ky fakultet kishte refuzuar transferin e këtyre 91 studentëve për të mos shkelur kriteret e parapara për transfer apo thjeshtë studim në këtë fakultet.

Përgjigje për këto çështje është kërkuar edhe nga zyra e kryeministrit të Kosovës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Fakulteti i Mjekësisë përgënjeshtron këshilltarin e kryeministrit

Udhëheqësja e Fakultetit të Mjekësisë dhe këshilltari i kryeministrit, Luan Jaha patën deklarata të ndryshme lidhur me gjendjen aktuale të këtij fakulteti dhe ndikimin që mund të ketë transferi i 91 studentëve nga Universiteti i Tetovës.

Fakulteti i Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës ka refuzuar kërkesën e 91 studentëve nga Universiteti Shtetëror i Tetovës për transfer.

Lidhur me arsyet pse e kishin kundërshtuar një transfer të tillë, për media foli Suzana Manxhuka-Kerliu, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë.

Ajo tha se ‘Arsyet për mosmiratim të kërkesave për 91 kandidate është bazuar në kriteret (kriteri 1,2,dhe 3) të parapara sipas vendimit të Senatit të UP-së ref/ nr. 2/862 të datës 10/10/2017 dhe vendimit të Senatit të UP-së ref/ nr. 2/639 datë 28.09.2018. ( Shih ne ueb faqe te FM/UP-se listën tabelore të të gjithë kandidatëve për transfere të pranuar, dhe jo të pranuar me arsyeshmëri për secilin veç e veç)”.

Dekanja renditi arsyet pse një transfer i tillë do të ishte i dëmshëm pasi, sipas saj, do të ishte në kundërshtim me Agjensionin e Akreditimit (pranimi i numrit më të madh të studentëve se sa që është e lejuar me akreditim);

Tutje sipas saj, mund ta dëmtojë cilësinë e mbarëvajtjes së rregullt të mësimit; ka implikime buxhetore (ku në bazë të një kalkulimit të përafërt është: 742 mije 966 euro; nuk ka infrastrukturë dhe personel akademik të mjaftueshëm për mbajtje të mësimit; kriteret për pranim apo mos pranim duhet të jenë të njëjta për studentët nga UT ashtu sic janë për studentët tonë të FMUP-së, sepse përndryshe do ishte diskriminim ndaj studentëve tonë të FMUP-së.

Ajo shtoi se “Ne qëndrojmë parimisht prapa kritereve për transfere që janë paraparë sipas vendimit të Senatit të UP-së ref/ nr. 2/862 të datës 10/10/2017 dhe vendimit të Senatit të UP-së ref/ nr. 2/639 datë 28.09.2018”.

Në anën tjetër, media lidhur me këtë çështje e pyeti edhe Luan Jahën, këshilltarin e kryeminstrit Ramush Haradinaj. Ai shtoi se edhe Fakulteti i Mjekësisë është për rritjen e numrit të studentëve.

“Praktika te transferit ka pasur edhe me herët dhe nuk janë presedan. Madje transferi është i rregulluar edhe me Statut. Gatishmëri për rritje të numrit të studenteve ka pasur edhe nga Fakulteti i Mjekësisë edhe nga Rektorati, ndërsa mjetet shtesë për asistente dhe mjete konkretizimi që do të ndahem nga Qeveria në rast të transferit do të garantojnë që ky transfer nuk do ta demtojë cilësinë e mësimdhënies”, tha Jaha.

Lidhur me këtë çështje, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka thënë se përbën shkelje flagrante të pavarësisë së universitetit .

“Kjo pikë përbën ndërhyrje eklatante në autonominë akademike të Universitetit.  Kjo kërkesë është dashur të refuzohet me automatizëm nga Rektori, i cili sot ka dështuar t’i plotësojë detyrat e tij që burojnë nga Statuti i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ky Statut ashtu si edhe Ligji për Arsimin e Lartë në Kosovë kanë përcaktuar se Universiteti ka autonomi për çështje akademike. Kjo autonomi …nuk mund të cënohet nga kërkesa të tilla absurde që vijnë nga Kryeministri dhe këshilltarët e tij për interesa të ngushta të tyre apo familjarëve të tyre”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Ata shtuan se një ndërhyrje e tillë mund të ketë edhe pasoja sikurse përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit nga EQAR.

“Përvoja jonë me ndërhyrjet e Kryeministrit dhe këshilltarëve të tij është e hidhur, si shembull vjen përjashtimi i Kosovës nga EQAR, të cilin përjashtim po mundohemi ta përmbysim me shumë përpjekje si shoqëri, institucione e organizata joqeveritare. Prandaj ORCA e fton Kryeministrin që të merret me punët e Republikës që i takojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të tjera të vendit, ndërkohë luftën për cilësi në arsim do ta bëjnë ata që nuk pengohen nga interesat të tyre apo të fëmijëve të tyre”, thuhet tutje në reagim.

Kryeministri që ia ka propozuar vendimin senatit të UP-së e çmojë lartë këshilltarin e tij. Në një intervistë për 100 ditëshin e punës së tij, Haradinaj kishte vlerësuar lartë personalitetin e Jahës dhe punën e tij.

“Luani është bukur polivalent, nuk e them pse është këshilltar i imi. Është ndoshta prej njerëzve më të zot që e çmoj në shëndetësi. Unë e njoh qe disa vjet, e di që ka zhvilluar plot aftësi me shtesë profesionale. Luani është këshilltar i jashtëm për shëndetësi, është njeri bukur i gjanë, me dije e shkencë. Nuk është që ka bagazh profesional mangët, e sa ka tepër nuk e di”, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat