Jakup Krasniqi i përgjigjet Haradinajt: Nisma ta dha shansin për qeverisje, duhet të jesh mirënjohës

Aktuale

Jakup Krasniqi i përgjigjet Haradinajt: Nisma ta dha shansin për qeverisje, duhet të jesh mirënjohës

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 12:23
Jakup Krasniqi

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili ka pasur kritika për Qeverinë, pjesë e të cilës është Nisma e tij, përgjigjet për ‘selamet’ që i dërgoi kryeministri Ramush Haradinaj rreth qëndrimeve të tij. Po ashtu, Krasniqi tregon se a është i kënaqur me përgjigjet që i mori nga Presidenti Thaçi, pasi ky u takuar me liderin e Rusisë, Vladimir Putinin.

Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk i kishte pritur mirë fjalët e Jakup Krasniqit, për qeverisjen e tij. Haradinaj thë të hënën në Pressing se nuk është e ndershme që Nisma të jetë pjesë e Qeverisë ku udhëheq tri ministri në krye me Fatmir Limajn, ndërsa Krasniqi t’ia bëjë opozitën  Qeverisë.

“Nuk e mendoj si të ndershme njëri andej, e tjetri këndej. Kush luan me dy karta nuk i shkon larg. Unë nuk e kuptoj se si kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës [Jakup Krasniqi] ka një qëndrim, e kryetari i partisë [Fatmir Limaj] ka tjetër qëndrim”, është shprehur Haradinaj për pozicionimet e Limajt dhe Krasniqi.

Kryeministri ndër të tjera, i ka bërë thirrje udhëheqësve të Nismës që të qartësojnë pozicionin e tyre nëse janë me të, apo duan të dalin nga Qeveria.

Kransiqi është përgjigjur Kryeministrit Haradinaj, i cili thotë se vërejtjet e tij nuk është dashur të merren si kritika, por si këshilla.

“Kryeministri i Kosovës, vërejtjet e mija nuk është dashur që t’i merrte si kritikë, por si këshilla për një qeverisje më të mirë. Unë e mirëkuptoi pozicionin e tij në konstelacionin e forcave në koalicionin qeverisës”, thotë Krasniqi.

Ai ia kujton Haradinajt se Nisma i ka dhënë mundësinë që të marrë qeverisjen qendrore, prandaj, sipas Krasniqit, kryeministri duhet të jetë mirënjohës.

“Unë besoj që ai e dinë se NISMA ia ka dhënë shansin për të qeverisur dhe do të duhet që t’i jetë mirënjohës. Në këshilla edhe miqësore ka edhe kritikë përbrenda”, është shprehur kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës.

Haradinaj tha se edhe Krasniqi është fajtor për gjendjen që është sot vendi, pasi ka qenë për një kohë të gjatë në pushtet, si një nga figurat kryesore të PDK’së. Krasniqi thotë se tash është më i butë me kritika se sa që ka qenë vitet e fundit kur ishte në pushtet.

“Sa i përket anës sime, këto qëndrime që i kam sot, janë më të buta sesa ishin nga viti 2002 – 2014 kur kisha përgjegjësi institucionale”.

“Kërkesa për një qeverisje më të mirë duhet të jetë kërkese e të gjithëve dhe gjithherë. Kryeministri nuk duhet të frikësohet nga këshillat e mija, por nga këshillat e këshilltarëve të tij”, është shprehur Krasniqi.

Tutje, një nga themeluesit e Nismës Socialdemokrate ka pasur disa fjalë edhe me Presidentin Thaçi, kur ky e takoi liderin rus, Vladimir Putin.  Pyetjet kishin të bënin me mënyrën se si planifikon Thaçi të arrijë marrëveshje me presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

Krasniqi, i cili është Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës thotë se përgjigjet e Thaçit dhënë para Baton Haxhiut, ishin mendjelehta.

“Është përgjigjur, por si? Jo vetëm përgjigjet, por edhe mënyra si është lejuar nga moderatori të përgjigjet ishin më shumë se mendjelehta”, është shprehur ai.

“Të gjitha përgjigjet do të quheshin përgjigje sikur bisedat më Serbinë të ishin në fazën e parapërgatitjeve për bisedime. Të gjithë e dimë se bisedimet kanë filluar në vitin 2012/2013 e jo në nëntor të vitit 2018. A do të thotë kjo se nga atëherë e deri më sot nuk ka pasur asnjë dokument iniciues, se për ndonjë dokument tjetër as mos të flasim”.

Krasniqi, që ishte një nga njerëzit kryesorë të PDK’së së Thacit, thotë se Presidenti po luan me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, dhe flet për bashkim, pa asnjë dokument, që dëshmon se e ka seriozisht.

“Që sa muaj Thaçi flet për korrigjim kufiri, demarkacion, shkëmbim territoresh e bashkim të Kosovës Lindore, e bënë lojën me përfaqësuesit e KL, pa ndonjë dokument iniciues, çka t’i themi kësaj pune? Veç një lojë bixhozi”.

Nëse tani pritet që dokumenti iniciues (fillestar) a platforma e bisedimeve duhet të miratohet në Kuvend, pse kjo nuk u bë më herët, në vitin 2012/13? Pastaj, pse ai nuk e hartoi me ekspertët e tij në Presidencë një dokument fillestar, po krejt po ia lënë komisionit qeveritar që ende nuk është votuar në Kuvend dhe Kuvendit si institucioni më i lartë i Kosovës t’i jep legjitimim dokumentit?

Ish-kryeparlamentari i quan përgjigje ‘tullumbace’, gjithçka që Thaçi provoi të qartësoj një ditë pasi u kthye nga Parisi.

“Të gjitha pyetjet kanë kërkuar substancë e jo përgjigje tullumbace si në bisedat që zhvillohen në klubin e pensionistëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat