Sulmi ndaj policisë në Gjakovë, i dyshuari nuk mund të qëndrojë në këmbë në Gjykatë

Aktuale

Sulmi ndaj policisë në Gjakovë, i dyshuari nuk mund të qëndrojë në këmbë në Gjykatë

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 17:40
Muhamer Raifii

Muhamer Raifi i dyshuar për përleshjen me armë zjarri me zyrtarët policorë në Gjakovë, ka dalë sot para gjykatës pasi prokurori Ramiz Buzhala ka kërkuar për caktimin e paraburgimit prej një muaji.

I dyshuari Raifi nuk u deklarua asgjë rreth kërkesës së prokurorit për caktimin e paraburgimit, përveç se ka thënë se “Nuk po muj me nejt”.

Raifi po dyshohet të ketë marrë pjesë në përleshjen me armë me policinë, të ndodhur në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Gjakovë.

Prokurori Ramiz Buzhala duke e arsyetuar kërkesën e tij për paraburgimin e Raifit para gjykatës, tha se i dyshuari bashkë me tre personat e tjerë që gjenden në arrati, në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të vjedhjes, shkaktimit të përgjithshëm të rrezikut si dhe veprën e lëndimit të lehtë trupor.

“Prokuroria Themelore e Gjakovës, bënë kërkesë për caktimin e paraburgimit prej një muaji, sepse me datën 14 i dyshuari Muhamer Raifi bashke me personin N.N., vijnë nga Prishtina dhe me forcë hyjnë në dyqanin El-Tobaco dhe marrin 358 pako cigare, 120 euro, 70 kruna, 60 kronor, 500 leke të Shqipërisë, 50 dinar serb, 150 kruna të Norvegjisë dhe tre numra të z-mobile, duke i shkaktuar dëme material të dëmtuarit Drilon Kurti, e më pas arrijnë të largohen edhe pse vërehen nga policia”, deklaroi prokurori Buzhala para gjykatëses të procedurës paraprake.

“Po atë natë i dyshuari Raifi në bashkëkryerje me të tjerët, duke e goditur me qëllim veturën e policisë, i kanë shkaktuar rrezik për jetë zyrtarëve policorë Gentian Karagji, Fitim Haxhimurati dhe Naim Rrustemaj dhe të njëjtit duke tentuar t`i arrestojnë kanë marrë lëndime të lehta trupore”, tha prokurori.

Ai shtoi se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri i ka kryer veprat penale që vërtetohet edhe nga provat aktuale.

Prokurori Buzhala tha se nëse i pandehuri lihet në liri, do të ndikojë tek shokët e tij me të cilët dyshohet se ka vepruar natën kritike, po të njëjtit gjenden në arrati.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të dyshuarit Raifi avokati Gani Hoxha, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji, tha se nuk janë përmbushur kushtet ligjore.

“Konsideroj se nuk ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer këto vepra. Është e vërtetë se i mbrojturi im ka qenë në afërsi të ngjarjes dhe është arrestuar nga zyrtarët policorë. Mirëpo i njëjti ka pasur për qëllim që të takohet me një femër dhe në rastin e arrestimit nuk ka rezistuar”,  tha avokati Gani Hoxha.

“Duke marrë parasysh gjendjen e tij shëndetësore, lëndimet në fytyrë dhe trup e po ashtu që i mbrojturi im është sjellë i zbathur në gjykatë, konsideroj se Prokuroria duhet t`i caktoj një masë alternative siç është arresti shtëpiak, pasi që i njëjti është i martuar dhe ka një fëmijë si dhe i duhet t`i nënshtrohet trajtimit mjekësor”, tha avokati Hoxha.

Pas kësaj gjyqtarja e procedurës paraprake Ilirjana Hoti, tha se lidhur me caktimin e paraburgimit do të vendos me vendim të veçantë.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat