Gjermania me mesazh të qartë për Serbinë: Nuk ka BE, pa e njohur Kosovën!

Aktuale

Gjermania me mesazh të qartë për Serbinë: Nuk ka BE, pa e njohur Kosovën!

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 23:57
Foto ilustrim

Peter Bayer, një anëtar i CDU në Bundestag, në një intervistë për 'Deutsche Welle' e ka përsëritur qëndrimin e Gjermanisë për Serbinë.

Nuk ka BE për Serbinë, pa njohje të Kosovës! Këto ishin fjalët e Bayer kur u pyet për negociatat e Serbisë për BE.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk do të jetë i mundur pa njohjen e Kosovës, ka modele të ndryshme për këtë, e di që nuk është e lehtë, por në të vërtetë ky ishte kushti që nga fillimi i bisedimeve. Dhe kjo nuk është me të vërtetë asgjë e re. Është e qartë për të gjithë që nga fillimi, dhe është e habitshme pse tani është duke u ngritur aq shumë pluhur për këtë gjë”, tha Bayer.

I pyetur nëse ai beson se Serbia ndonjëherë do ta njohë Kosovën, u përgjigj se kjo nuk është çështje besimi, por çështje se si të bëhet përparim vendimtar në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe si do të arrinte progresi deri tek negociatat me BE-në.

“Është diçka që ka të bëjë me përmbajtjen dhe faktet, por duhet të pyesim vetën se sa seriozisht gjithçka po i afrohet, të dyja palët duhet të takojnë njëra-tjetrën, e di nuk është e lehtë, por ky është qëllimi dhe është e nevojshme të kalojmë nga pozicionet e forta”, ka vazhduar Bayer.

Duke komentuar mbi një intervistë të fundit nga kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, e cila ka shkaktuar shumë polemika, Bayer tha se mund të kuptojë pse Bërnabiq tha se Kosova do të jetë gjithmonë pjesë e Serbisë.

“Është shumë herët të flasim për modelin e njohjes në terma konkretë dhe e di që e gjithë kjo është e lidhur me Kushtetutën e Serbisë dhe unë e di se është e gjitha për diçka që do të ndodhë vetëm brenda pak vitesh. Në intervistën që e dhashë disa ditë më parë në Beograd, unë desha të bëj të qartë se kushtet gjithmonë duhet të rikujtohen dhe të pyesim se cili është qëllimi i gjith kësaj. Normalizimi i marrëdhënieve, dialogu me Prishtinën dhe përfundimisht njohja e Kosovës, janë në thelb pjesë e negociatave me BE”, tha ai.

Bayer ka folur gjithashtu edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se kjo mund të shkaktoj paqëndrueshmëri edhe në pjesë të tjera të rajonit.

“Shqetësimi ynë më i madh është që pas shkëmbimit të territoreve, pavarësisht si mund të duket, mund të ndodhë të shkaktoj paqëndrueshmëri në pjesë të tjera të rajonit. Mendoj se në shekullin 21 kemi kaluar tashmë kohën e shkëmbimit të territoreve sipas parimit etnik dhe unë pyes vetën se çfarë do të ndodhte me serbët e jugut që janë rreth 35,000 në rast të këtij shkëmbimi?”, është shprehur Bayer.

Ai është shprehur se ka shumë pak që e përkrahin këtë ide: “Shumë pak e përkrahin këtë ide. Duhet të pyesim vetën nëse SHBA-të në mënyrë aktive e përkrahin shkëmbimin e territorit. Nuk mendoj se është kështu. Së shpejti do të jem në Uashington për të diskutuar për këtë temë.” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat