Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar vëllain e tij, Luanin në ditëlindjen e 45-të. Haradinaj ka thënë se Luani ishte ndër të parët në rresht për liri, pa e njohur vdekjen.
“Kalove vite të rënda për nga pesha dhe të mëdha për nga vlera!”, ka shkruar tutje i pari i ekzekutivit.
“Ndër të parët në rresht për liri, pa e njohur vdekjen! Në shërbim të atdheut deri në frymën e fundit. Kalove vite të rënda për nga pesha dhe të mëdha për nga vlera! Toka që ia fale jetën, të nderon me lavdi të përjetshme. Në ditëlindjen e 45-të, të kujtojmë me krenari, Luan”, ka thënë Haradinaj.
Ndryshe, Luan Haradinaj kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.
Rikujtojmë, se heroi Luan Haradinaj ka lindur më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës, përkatësisht të Deçanit.
Ai shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.
Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.