Ministri Berisha takime të shumta në Halifax: FSK në shërbim të paqes në rajon

Aktuale

Ministri Berisha takime të shumta në Halifax: FSK në shërbim të paqes në rajon

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 19:30
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha në Halifax

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, është takuar me homologun e tij kanadez, Harjit Sajjan të cilin e ka njoftuar për procesin e tranzicionit të FSK-së, të arriturat dhe sfidat e kësaj force.

Ministri Berisha e siguroi  homologun e tij, se FSK-ja do të vazhdojë të mbetet forcë profesionale, multietnike, gjithëpërfshirëse, në shërbim të gjithë qytetarëve të saj dhe e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Ndërsa, ministri Sajjan ka përgëzuar arritjet e FSK-së, sidomos inkuadrimin e komuniteteve si dhe përfshirjen e grave në këtë forcë. Ai ofroi përkrahjen e tij për procesin aktual dhe siguroi se Kanadaja do të japë mbështetjen e saj për rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

Ministri Berisha ka pasur takime edhe me ministrin turk të Mbrojtes  Hulusi Akar, me të cilin kanë biseduar për procesin e tranzicionit të FSK-së. Ministri i Mbrojtjes Akar, siguroi ministrin Berisha se Turqia do të jetë në krahë të Kosovës siç ka qenë në vazhdimësi.

Në margjina të Forumit të Sigurisë në Halifax të Kanadasë,  ministri Berisha ka pasur takime të ndara me homologun e tij lituanez, Raimundas Karoblis dhe zëvendës sekretaren e Përgjithshme të NATO-së Rose Gottemoeller. 

Ministri Berisha informoi numrin dy të NATO-së, për sfidat aktuale me të cilat po përballët Forca e Sigurisë, sidomos për qasjen destruktive të Serbisë, për të dekurajuar përmes shantazheve, pjesëtarët e kësaj force nga komuniteti serb, ndërsa tha se FSK do të mbetet forcë e gjithë popullit të Kosovës dhe në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Nga ana e saj, Gottemoeller, u interesua për marrëdhënien e FSK-së me KFOR-in dhe NATO-në, si dhe ri-afirmoi qëndrimin e NATO-së, karshi proceseve nëpër të cilat po kalon FSK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat