Kurti takoi Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat

Aktuale

Kurti takoi Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 19:07
Pamje nga takimi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka theksuar rëndësinë që LVV i kushton çështjes të së drejtave të punëtorëve në Kosovë, përfshirë pagat e ulëta dhe të prapambetura, kontratat dhe kushtet e punës, si dhe privatizimet abuzive që kanë lënë të papunë me dhjetëra-mijëra punëtorë, e që kërcënojnë ende me mijëra të tjerë.

Kurti sot ka pritur kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, dhe Menaxheren e Burimeve Njerëzore të kësaj sindikate, Mimoza Sopaj.

Postimi i plotë i Vetëvendosjes:

Takim me Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat

Në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u zhvillua sot një takim nga Kryetari, Albin Kurti, Nënkryetarja, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, me Kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, dhe Menaxheren e Burimeve Njerëzore të kësaj sindikate, Mimoza Sopaj.

Në këtë takim, Kryetari Kurti theksoi rëndësinë që Lëvizja VETËVENDOSJE! i kushton çështjes të së drejtave të punëtorëve në Kosovë, përfshirë këtu pagat e ulëta dhe të prapambetura, kontratat dhe kushtet e punës, si dhe privatizimet abuzive që kanë lënë të papunë me dhjetra mijëra punëtorë e që kërcënojnë ende me mijëra të tjerë. Si subkjet politik social-demokrat, Lëvizja VETËVENDOSJE! ia ka caktuar vetes detyrë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe përparimin e këtyre të drejtave përmes angazhimit brenda dhe jashtë institucioneve. Shqetësimi i madh i Lëvizjes VETËVENDOSJE! lidhet me vdekjet në vendin e punës, me mungesën e kontratave të punës, ose me mosrepsektimin e tyre, me mungesën e politikave qeveritare për rritjen e prodhimit vendas, dhe për pasojë mungesën e mundësive të punësimit në Kosovë, si dhe me shpërfilljen që institucionet e vendit bëjnë ndaj shkeljes sistematike të të drejtave të punëtorëve. Nënkryetarja Mulhaxha Kollçaku theksoi punën në Kuvendin e Republikës dhe në aktivitetet jashtë Kuvendit, që Lëvizja ka bërë në vazhdimësi për rritjen e pagës minimale në Kosovë.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, bëri një përmbledhje të gjendjes së rëndë të punëtorëve në sektorin privat në Kosovë, dhe pengesat e mëdha që vendosen për realizimin e të drejtave. Ai theksoi gjthashtu domosdoshmërinë për rritjen e pagës minimale, dhe tregoi se shumica e punëtorëve të sektorit privat janë të punësuar pa kontratë pune dhe nuk u paguhen kontributet pensionale. Për pasojë, shfrytëzimi i tyre dhe shkelja e të drejtave bëhet edhe me i lehtë. Më tej, ai shpjegoi se institucionet e vendit dhe inspektoriati i punës janë në dijeni për këto shkelje të rënda që i bëhën punëtorëve, mirëpo lidhja mes biznesit dhe politikës në Kosovë kontribuon direkt në mirëmbajten e gjendjen aktuale. Z. Azemi ngriti në veçanti edhe çështjen e punëtorëve të Fabrikës së Llamkosit në Vushtrri, dhe shkeljen e të drejtave të tyre. Për më shumë, tregoi për nevojat jo vetëm për organizmin e punëtorëve në vendin e tyre të punës, por edhe për këshillimin juridik që u nevojitet atyre.

Përfaqësuesit e Lëvizjes ofruan bashkëpunimin për të gjitha çështjet e ngritura nga Sindikata. Për më të tepër, ata e njoftuan Sindikatën se Lëvizja planifikon ngritjen e strukturave të brendshme organizative të cilat do të merren edhe më nga afër me problemet dhe shkeljet e të drejtave të punëtorëve, si dhe me organizmin e punëtorëve për të realizuar të drejtat e tyre. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të bashkëpunojë me çdo sindikatë që mund të kontribuojë në ngritjen e dinjitetit të punëtorëve dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat