Thaçi: Nuk kemi pritur që s’na pengon Serbia që ka kryer gjenocid në Kosovë

Aktuale

Thaçi: Nuk kemi pritur që s’na pengon Serbia që ka kryer gjenocid në Kosovë

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 11:21
Hashim Thaçi. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kosovës nuk i mjaftuan as dy raunde që të sigurojë mbështetje për anëtarësim në organizatën e bashkëpunimit policor, Interpol.

Duke folur para gazetarëve në Dubai, ku edhe u mbajt Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se askush nuk mund të ketë pritje se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Edhe pse në raundin e dytë kundër Kosovës votuan 51 shtete, kurse 16 abstenuan, Thaçi thotë se Kosova ka plotësuar kriteret për anëtarësim në Interpol,  e madje as nuk ka pasur nevojë për shumë lobim.

Thaçi edhe një herë ka vënë theksin te rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, pas së cilës, sipas tij, Kosova anëtarësohet automatikisht në BE, NATO dhe OKB.

Thaçi: Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje, në vend se ta pengojnë njëra tjetrën

“Kjo gjë sot iu  mohua padrejtësisht Kosovës, por në të njëjtën kohë përpos zhvillimeve të brendshme më duhet të qartësoj edhe një herë gjithë opinionin në Kosovë se definitivisht Kosova dhe Serbia në vend që të pengojnë njëra-tjetrën, në vend se të bëhen penguese për njëra tjetrën në rrugëtimin tonë euro-atlantik duhet të arrijnë marrëveshjen përfundimtare, atë të normalizimit që nënkupton lëvizje të shpejtë evropiane për të dy vendet, përndryshe do të paguajnë çmim të dy vendet tona duke e penguar njëra tjetrën në këto procese”, u shpreh Thaçi.

I pyetur se ku ka dështuar lobimi, pasi kishte zëra pozitiv për këtë anëtarësim, presidenti tha se më shumë se lobimeve u beson mbështetjes së shteteve njohëse.

Thaçi: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, në të ardhmen të punojmë më shumë

“Nuk i besoj fort lobimeve çfarë mendojmë njerëzit se bëhen, i besoj vendosmërisë dhe mbështetjes së shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe atë që Kosova e ka merituar dhe ka plotësuar të gjitha kriteret, Kosova nuk ka pasur shumë nevojë për lobim, kur kihet parasysh në lobimin që disa njerëz mendojnë se duhet të ndodh ai lobim, por duhet të punojmë edhe më tepër në të ardhmen, Kosova kësaj radhe ka plotësuar të gjitha kriteret dhe standardet”, tha Presidenti Thaçi.

Thaçi në Dubai ka përmendur edhe liberalizimin e vizave ku beson se nuk do ta ketë fatin e Interpolit.

Thaçi: Askush mos të mendojë se Serbia nuk do të na pengojë

“Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave duhet të besoj se do të vihet në agjendë dhe Kosova do ta fitojë këtë të drejtë, ndërsa në raport me INTERPOL askush mos të mendojë se Serbia nuk do të na pengojë, kur një vend ka kryer gjenocid ndaj popullatës shqiptare tash dikush mendon se ata s’do të na pengojnë, po ata po na pengojnë do të na pengojnë edhe të ardhmen. Askush mos të mendon se ata do të na lehtësojnë integrimin tonë në organizata ndërkombëtare, por para së gjithash askush nuk i vë ndonjë presion permanent Serbisë në këtë pengesë permanente që i bën Kosovës”, tha ndër tjerash presidenti.

Sipas tij, rrugëtimi i vetëm i Kosovës drejt integrimit euro-atlantik është marrëveshja reciproke Kosovë-Serbi, duke shtuar se ai nuk i beson rrugëtimit palestinez të Kosovës.     

Thaçi: Pas marrëveshjes me Serbinë, anëtarësohemi automatikisht në të gjitha organizatat

“Ftoj gjithë spektrin politik dhe institucional ne duhet t’i hymë procesit seriozisht, të përgatitemi mirë, një platformë unike të përbashkët shtetërorë të arrijmë një marrëveshje të përhershme me Serbinë që nënkupton njohjen reciproke edhe me hek qafe një herë e përgjithmonë, pastaj anëtarësohemi automatikisht në të gjithë organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe NATO-n edhe BE-në edhe OKB-në”, tha ai.

Votimin kundër të shteteve që kanë njohur shtetësinë kosovare, ai e ka quajt lajm jo të mirë.

Thaçi: S’kemi nevojë që problemet me Serbinë t’ua lëmë fëmijëve

“Unë i kam pasur rezervat e mia edhe më herët, në veçanti pas disa hapave jo të qëlluar dhe të mençur politikisht. Por ajo që duhet të them përsëri është kjo; ne duhet të jemi në një linjë të plotë me SHBA-të, BE-në, që të përmbyllim dialogun me Serbinë në një marrëveshje të përhershme që zgjidh problemet një herë e përgjithmonë. Nuk kemi nevojë që këtë barrë të probleme me Serbinë t’ua lëmë as fëmijëve tanë, as fëmijëve të fëmijëve tanë, përndryshe do të kemi probleme të vazhdueshme”, tha presidenti para gazetarëve në Dubai.

Sipas tij Pacolli ka bërë punë jashtëzakonisht të mirë, është prej të vetmëve që është angazhuar për çështjen e Interpol-it

Thaçi u pyet edhe për “korrigjimin e kufijve”, temë për të cilën zgjodhi të përgjigjet duke shprehur besimin që ka në marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila, sipas tij përfshin normalizimin e plotë të marrëdhënieve, zëvendësimin e rezolutës 1244 dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Sot Kosova ishte shteti i vetëm në agjendën për anëtarësim që dështoi t’i bashkohej organizatës policore, pasi Kiribati dhe Vanuatu u pranuan në Interpol.

Para dy vitesh Kosova ishte tërhequr nga gara për t’u bërë anëtare e Interpol-it. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat