Veseli reagon për INTERPOL, ka një porosi edhe për opozitën

Aktuale

Veseli reagon për INTERPOL, ka një porosi edhe për opozitën

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 13:05
Kadri Veseli

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se sot nuk ishte ditë e mirë për Kosovën, duke pasur për referencë dështimin për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

Mirëpo, sipas Veselit, më i fuqishëm se fakti i mos anëtarësimit në Interpol është fakti se as Serbia me politikën e saj të pengimit ndërkombëtar të Kosovës, as krimi i organizuar, e as terrorizmi, nuk do të mund ta ndalin fuqizimin e shtetit të Kosovë dhe integrimin ndërkombëtar të tij.

“Kosova krenohet me policinë e saj. Është policia më profesionale në rajon dhe më gjerë. Me profesionalizmin e saj të dëshmuar, Policia e Kosovës e ka bërë shtetin tonë partner të besueshëm dhe efektiv në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në veçanti kundër terrorizmit. Vota e sotme negative ka dëmtuar qartësisht partneritetin ndërkombëtar kundër këtyre të këqijave.Por, përkundër kësaj, ne nuk do të dekurajohemi në rrugën e qëllimeve tona integruese. Do të punojmë pa u ndalur dhe pa u dorëzuar asnjëherë. Ashtu siç kemi bërë gjithmonë edhe me sfidat e të kaluarës”, ka shkruar Veseli.

Veseli tutje ka pasur edhe një porozi për partitë opozitare.

“Në këtë kontekst, do të ishte mirë dhe patriotike sigurisht që partitë opozitare, në vend që të bashkë ndjejnë me Serbinë gëzimin për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, e t’i fërkojnë duart për pushtet, t’i thërrasin arsyes dhe të gjejnë forcën e duhur për t’iu bashkuar institucioneve të vendit në përballje të përbashkët me sfidat që kemi përpara si shtet e shoqëri.Nxitja e përçarjes së brendshme, politikat egoiste dhe bllokuese janë qartësisht dëmtim i Kosovës dhe i ndihmojnë fuqizimit të pozicionit ndërkombëtar të Serbisë në raport me Kosovën. Kjo sjellje politike duhet të marrë fund. Sa nuk është bërë vonë, për të gjithë”, ka përfunduar Veseli.

Sot Kosova ishte shteti i vetëm në agjendën për anëtarësim që dështoi t’i bashkohej organizatës policore, pasi Kiribati dhe Vanuatu u pranuan në Interpol. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat