Dështimi në Interpol, këta janë tre personat që Vetëvendosje u kërkon dorëheqjen

Aktuale

Dështimi në Interpol, këta janë tre personat që Vetëvendosje u kërkon dorëheqjen

Nga: P.R Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 16:47
Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një konference për media ka kërkuar dorëheqjen e Presidentit Hashim Thaci, Kryeministrit Ramush Haradinaj, dhe Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, pas dështimi të anëtarësimit të Kosovës në Interpool.

“Kuvendi i Republikës dhe Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë t’ia marrin mandatin e Thaçit në aventurën e tij personale me Serbinë pa autorizim, pa legjitimitet dhe pa kompentencë, po ashtu Republika e Kosovës duhet menjëherë të vendosë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

“E vetmja mënyrë si mund ta ndihmojnë ata Kosovën është duke dhënë dorëheqje. Shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit tonë, për të mos thënë të gjithë, do të gëzoheshin sonte, sikur në lajmet e mbrëmjes të dëgjonin se Thaçi, Pacolli dhe Haradinaj kanë dhënë dorëheqje”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e VV-së. 

Ndërsa në konferencë për media, kanë folur dy deputetët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla.

Sipas deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiut, presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm janë treguar të dobët karshi Serbisë.

“Pazaret territoriale të Thaçit me Vuçiqin që kulmuan te takimi me Putinin, kanë shkaktuar konfuzion te shumë shtete që na e kanë njohur pavarësinë. Në këtë vit ka ndodhur një vetëkontestim i shtetësisë dhe pavarësisë sonë nëpërmjet aventurave absurde të presidentit të Kosovës. Gjithnjë e më pak të tjerët po na marrin seriozisht. Sepse, presidenti i vendit nuk po e merr shtetin tonë seriozisht. Thaçi e Pacolli, por edhe Haradinaj, duke u treguar të butë e të dobët karshi Serbisë, karshi Vuçiqit, Daçiqit e Radojçiqit, e kanë dobësuar pozitën tonë si shtet kudo, e kanë stërkequr perceptimin mbi neve. Dobësia e butësia karshi Serbisë nuk interpretohen nga askush si bujari a gjenerozitet yni, por si frikë e si padituri e jona”, u shpreh Haxhiu, përcjellë “Bota sot”,

Kurse deputeti, Xhelal Sveçla, deklaroi se Serbia po e lufton shtetësinë e Kosovës.

“Hipokrizia qëndron në faktin e takimeve Thaçi-Vuçiq. Hashim Thaçi pavarësisht situatës në terren vazhdon të vrapojë pas pazareve me Serbinë e cila si asnjëherë më parë pas shpalljes së pavarësisë po e lufton shtetësinë dhe subjektivitetin e vendit. Si është e mundur që shteti i Kosovës të përballet me këso vështirësish në terren a presidenti Thaçi të shkojë e të takohet pa asnjë kusht për Serbinë. Ky president po anashkalon çdo interes të vendit vetëm që personalisht të shpëtojë. Ai e ka zgjedhur rrugën e tij, por nuk duhet dhe nuk guxon ta marrë edhe Kosovën me vete. Ky njeri është zhvendosur kah pala serbe”, tha Xhelal Sveçla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat