Buxheti i MPMS-së për vitin 2019 do të jetë 465 milionë euro

Aktuale

Buxheti i MPMS-së për vitin 2019 do të jetë 465 milionë euro

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 13:54
Skender Reçica, gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka bërë të ditur se për vitin 2019 buxheti i MPMS do të jetë 465 milionë euro.

Ai ka theksuar se ligji për skemat pensionale të financuar nga shteti kufizojnë të drejtat e disa kategorive. Por, sipas tij pas evidentimit të shumë problemeve me skemën pensionale, kanë marrë vendim që të reformojnë sistemin pensional.

Reçica: Për vitin 2019 buxheti i MPMS do të jetë 465 milionë euro

“Buxheti që tash më është në dorën e deputetëve në Parlamentin e Kosovës për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për vitin e ardhshëm 465 milionë e 809 mijë euro. Kemi paraparë rritje të stafit të ministrisë, konkretisht tek inspektorët, realisht është bërë një gabim teknik, është konfirmuar edhe nga Ministria e Financave, këtu janë paraparë 10 pozita, ndërsa ne kemi kërkuar 15, në parim kanë qenë të miratuara, por është lëshim teknik. Buxheti sipas kategorive ekonomike është si vijon: për pagat e punëtorëve dhe mëditje pesë milionë e 253 mijë euro –për vitin 2019, për mallra dhe shërbime janë 1 milion e 844 mijë euro, për komunali 377 mijë euro, për kapitale 1 milion e 920 mijë euro, kjo është pjesa e buxhetit e ministrisë”, tha ai.

Anëtarja e komisionit, Besa Baftiu ka thënë se projektligjet të cilat vijnë nga dikasteri i tyre, kanë pasur vonesa.

Baftiu: Projektligjet janë vonuar, dua të di shkakun për këtë

“Pikërisht në prill të këtij viti kemi pasur plan të komisionit që të shqyrtojmë projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Tani jemi në muajin nëntor dhe siç e dimë, ky projektligj nuk na ka ardhur në kuvend, duam të dimë pse janë bërë këto vonesa, ku qëndron shkaku. Po ashtu, në takimet e mëparshme që i kemi pasur me juve në raportim këtu në komision ju keni deklaruar se jeni të interesuar dhe e keni përkrah edhe kërkesat e anëtarëve të komisionit që kanë qenë, që të ndryshohet urgjentisht ky projektligj, duke pasur parasysh se dispozitat tetë e këtij projektligji është diskriminuese. Keni premtuar se do të plotësoni, ndryshoni sidomos këtë nen siç u tha që është diskriminues”, ka thënë Baftiu.

Ajo ka kërkuar nga ministri Reçica po ashtu të flas në lidhje me procesin e verifikimit të dhunës seksuale, numrin e veteranëve, e po ashtu edhe për stafin akademik, që sipas saj ka pasur shtim të numrit.

Ministri Reçica ka bërë të ditur se pensionet e punëtorëve të Trepçës janë rritur për 1 milion euro, e po ashtu rritje të buxhetit ka pasur edhe për pensionet e veteranëve për 1,8 milion euro.

Sa i përket procesit të verifikimit të viktimave të dhunës seksuale, Reçica tha se ka shumë raste në rishqyrtim, por që, siç tha ai, ky proces është shumë i gjatë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se ndalja e ndihmave sociale të fëmijëve mbi moshën 5-vjeçare është diskriminuese. Ajo, madje ka pasur edhe një kërkesë për ministrin.

Kollçaku: Personat të cilët marrin kimioterapinë, të kenë pushim shëndetësor me pagesë

“Ministria e juaj bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë duhet të kenë fokus edhe një kategori, që janë të sëmurët se sëmundje të rënda, siç është kanceri, të cilët nuk gëzojnë pushim me pagesë gjatë periudhës së marrjes së kimioterapisë. Mendoj që prioritet i qeverisë duhet të jetë kjo kategori që t’iu rregullohet gjatë marrjes së kimioterapisë, edhe jo që të gjithë, se ka shumë prej tyre që nuk dëshirojnë, sepse në aspektin psikologjik puna iu ndihmon për të tejkaluar, mirëpo ata që kanë nevojë edhe nuk janë mirë t’iu mundësohet pushim shëndetësor me pagesë për muajt që marrin kimioterapinë”, tha Kollçaku. 

Për këtë ministri Reçica tha se janë duke punuar të ketë një përfundim të kënaqshëm, brenda kontratave kolektive, të cilat  do të miratohen në muajin nëntor.

Deputetja Flora Brovina nga PDK-ja, e ka vlerësuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me shumë probleme. Ndërsa, sa i përket ligjit të viktimave të dhunës seksuale, tha se nuk është i mirë, ku mes tjerash u shpreh se nuk ka pasur shumë aplikime, ndërsa rezultatet sipas saj nuk janë të kënaqshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat