SHBA, një dokumentar mbi keqtrajtimin e shoferëve afrikano-amerikanë

Amerika

SHBA, një dokumentar mbi keqtrajtimin e shoferëve afrikano-amerikanë

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 20:46
Pamje nga dokumentari

Dokumentari “Shoferët Afrikano-amerikanë: Raca, Hapësira dhe Mobilizimi në Amerikë” i regjisorit Ric Burns dhe historianes Gretchen Sorin, gjurmon profilizimin racor që afrikano-amerikanët kanë hasur që nga skllavëria. Për të mësuar më shumë për temën e këtij dokumentari, korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou bisedoi me krijuesit e tij.

Dokumentari “Shoferët Afrikano-amerikanë: Raca, Hapësira dhe Mobilizimi në Amerikë” i regjisorit Ric Burns, tregon diskriminimin dhe dhunën që Afrikano-Amerikanët kanë hasur shpesh gjatë ngarjes së makinave.

"Për ta kuptuar atë që po ndodh sot, unë mendoj se ju duhet të hidhni një vështrim mbrapa deri në kohën e skllavërisë, sepse kjo është pika ku është mohuar liria dhe mobilizimi", thotë Gretchen Sorin, historiane dhe autore e dokumentarit.

Filmi dokumenton se si gjatë epokës para Luftës Civile të vitit 1863 në Shtetet e Bashkuara, pronarët e plantacioneve përdorën patrulla për të monitoruar dhe ndëshkuar skllevërit, të cilët u përpoqën të shpëtonin. Dokumentari i portretizon këto njësi të kapjes së skllevërve si pararendëse të supremacistëve të bardhë dhe disa sherifëve lokalë pas kohës së skllavërisë, të epokës Jim Crow, që kishin në shënjestër shoferët afrikano-amerikanë nga vitet 1920 deri në vitet 1960.

“Ishte një formë e vetë-fuqizimit. Me një makinë mund të shkoni aty ku keni dëshirë dhe nuk kishit nevojë më të uleshit në pjesën e pasme të autobusit. Por kjo solli një tjetër sfidë, atë të navigimit të hapësirave, ku fuqizimi i afrikano-amerikanëve shihej si shqetësues, i pakëndshëm dhe një gjë që duhej të ndalohej nga një grup i madh i amerikanëve të bardhë", thotë Ric Burns, regjisor i dokumentari.

Rreziqet u rritën për shoferët afrikano-amerikanë gjatë natës.

“Një nga rreziqet e ngarjes së makinës ishte mundësia e takimit të njerëzve të cilëve nuk u pëlqente kjo. Pra, duhej të kishte kujdes nga ata që mund t’u linçojnë, ngacmojnë ose tmerrojnë", thotë historiani Herb Boyd, i intervistuar për dokumentarin “Shoferët Afrikano-amerikanë: Raca, Hapësira dhe Mobilizimi në Amerikë”.

“Si të navigoni në autostradat e ndara të Amerikës nëse jeni një afrikano-amerikan; çfarë do të ndodhë nëse vajza juaj ka nevojë të shkojë në banjë, nëse keni nevojë të mbushni makinën me benzinë, nëse keni një urgjencë mjekësore; ku do të flini, ku do të hani, ku do t’i rregulloni flokët?"

Libri i Gjelbër i Shoferëve Afrikano-amerikanë i rendiste vendet e tilla. Ai u botua në vitin 1936 nga punonjësi postar i Nju Jorkut, Victor Hugo Green dhe i vuri në hartë bizneset e vogla afrikano-amerikane në të gjithë vendin.

Përfundimisht, thotë Ric Burns, zgjerimi i autostradave të Amerikës ofroi një nivel mbrojtjeje për shoferët afrikano-amerikanë, duke u dhënë atyre alternativa për rrugët shtetërore dhe lokale. Sidoqoftë, tregon filmi, shoferët afrikano-amerikanë vazhdojnë të jenë objekt i profilizimit racor në mënyrë jo proporcionale dhe ka të ngjarë të ndalen më shpesh nga policia.

"Pra, nëse njerëzit thonë çfarë është kjo gjë, racizmi strukturor, racizmi sistematik, që në shikim të parë shihet si një gjë abstrakte, kjo nuk është abstrakte është thellësisht konkrete!", thotë regjisori Ric Burns./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat