Përgjigje thirrjes për ndihmë nga libraria më e vjetër e Nju Jorkut

Amerika

Përgjigje thirrjes për ndihmë nga libraria më e vjetër e Nju Jorkut

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 19:55
Nancy Bass Wyden

Mes pandemisë së COVID-19, një prej librarive më të famshme dhe më të vjetra të Amerikës, "The Strand", bëri thirrje për ndihmë - dhe adhuruesit e librit u përgjigjën. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Nelson.

“Kujtimet e mia të para janë kur futesha në dyqan dhe e shikoja të lyer me një ngjyrë gri, me mure të tëra me libra gjithandej, me një aromë çokollate. Shikoja gjyshin dhe babanë tim që punonin krah për krah… I drejtohesha seksionit të fëmijëve ku kishte vetëm libra me ngjyra karamelesh... Dhe ndjehesha si një princeshë, sepse mund të zgjidhja çfarë libri të dëshiroja!", tregon Nancy Bass Wyden, pronare e Librarisë "Strand".

Nancy Bass Wyden është gjenerata e tretë e pronarëve të librarisë "The Strand". Nëntëdhjetë e tre vjet më parë, gjyshi i saj hapi dyqanin që më vonë u bë një nga libraritë më të famshme të qytetit të Nju Jorkut. Sot "The Strand" përmendet në një mori guidash të qytetit të Nju Jorkut-ut si një nga libraritë më të pazakonta, më të mëdhatë dhe më të vjetrat në botë.

“Ky është libri më i shtrenjtë në dyqan aktualisht. Është një botim i rrallë, i nënshkruar, i 'Uliksit' të James Joyce. Është nënshkruar nga Henry Matisse - artisti që e ilustroi atë, dhe gjithashtu nga James Joyce”, thotë Vasilis Terpsopoulos, ekspert i librave të rrallë në Librarinë "Strand".

Libraria "The Strand" i ka mbijetuar Depresionit të Madh, dy luftërave botërore dhe 11 shtatorit.

Por, pandemia e COVID-it është bërë sfida më e madhe për librarinë. Ajo ishte mbyllur për katër muaj dhe problemet e saj financiare po përkeqësohen.

"Sigurisht, në fillim ishte shumë e dhimbshme, unë ndjehesha krejt e vetme dhe nuk e dija se çfarë do të bëja… // Vendosa të shkruaj një letër të përzemërt dhe të bëj një apel për klientët tanë dhe miqtë e mi. E vetmja pyetje ishte - a do t' blinit dhuratat tuaja të festave nga ne...", thotë zonja Wyden.

Tri orë pas postimit, faqja në internet u bllokua. Porositë në internet me vlerë 25 mijë dollarë erdhën njëkohësisht. Para pandemisë, mesatarja ditore ishte rreth 300.

“Kishim një zonjë nga Bronksi që porositi 197 libra. Disa njerëz dolën vullnetarë për të organizuar festa me pica për punonjësit, me karta dhuratë me vlerë 500 dollarë...", thotë zonja Wyden.

Departamenti i paketimit nuk mund të menaxhonte cunamin e porosive, kështu që zonja Wyden u bashkua me ta. Punonjësit e dyqanit dolën vullnetarisht në punë gjatë fundjavave - për të ndihmuar me porositë.

“Ishte një lloj kombinimi i habisë dhe kënaqësisë. Po përpiqemi të kuptojmë se si do të veprojmë", thotë Dan Roth, menaxher për porositë në internet në librarinë "Strand".

"Faleminderit, New York, për sot!", shprehet Nancy në mediat sociale.

Në të njëjtën kohë, një radhë e gjatë u krijua jashtë hyrjes së Librarisë "Strand" - për herë të parë që nga mesi i marsit, njujorkezë të shumtë erdhën tek libraria.

"Është vërtet e trishtueshme, kështu që të gjithë po marrin libra për Krishtlindje këtë vit! Të gjithë të njohurit e mi!”, thotë Sara Buroi, kliente e librarisë.

Falë gjesteve të thjeshta të bujarisë, zonja Wyden thotë se dyqani do të mbijetojë. Pandemia megjithatë do të zhvillohet për shumë muaj të tjerë.

"Më duhet të mendoj se gjyshi dhe babai im janë duke e parë nga lart këtë kthesë të ngjarjeve dhe janë absolutisht të befasuar dhe nuk mund ta besojnë këtë fenomen ... Edhe unë nuk do ta kisha imagjinuar kurrë këtë vërshim dashurie!", thotë zonja Wyden./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat