Ish-presidentët e REL-it i bëjnë thirrje Bidenit që të "mbrojë integritetin" e transmetuesve

Amerika

Ish-presidentët e REL-it i bëjnë thirrje Bidenit që të "mbrojë integritetin" e transmetuesve

Më: 9 janar 2021 Në ora: 14:42
Ndërtesa e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Pesë ish-presidentë të Radios Evropa e Lirë (RFE) i kanë kërkuar presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, që menjëherë pas inagurimit të tij, të zëvendësojë kreun e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM), Michael Pack, dhe të marrë masa tjera për të "mbrojtur integritetin" e transmetuesve ndërkombëtarë të financuar nga SHBA-ja.

Në një letër të përbashkët dërguar Bidenit më 8 janar, ish-presidentët thanë se "personeli dhe veprimet e politikës së Pack kanë kërkuar që të imponojnë një ngjyrim ideologjik në program dhe kontrolle të forta qeveritare dhe politike që rrezikojnë shkatërrimin e besueshmërisë dhe efektivitetit e të gjithë transmetuesve ndërkombëtarë të SHBA-së”.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) mbikëqyr Zërin e Amerikës dhe Zyrën e Transmetimit të Kubës, si dhe tre rrjete që veprojnë me grante të qeverisë së SHBA-së dhe veprojnë si burime zëvendësuese të lajmeve në vendet që nuk kanë një shtyp të lirë – Radio Evropa e Lirë, Radio Azia e Lirë (RFA) dhe Rrjetin Transmetues të Lindjes së Mesme (MBN).

Pack u emërua si zyrtari kryesor ekzekutiv i agjencisë nga presidenti, Donald Trump dhe mori detyrën në qershor të vitit 2020.

"Vetëm disa ditë para përfundimit të administratës Trump - ne besojmë se i punësuari i tij Pack po propozon ndryshime rrënjësore në udhëheqjen e Radios Evropa e Lirë, Radio Azisë së Lirë dhe Rrjetin Transmetues të Lindjes së Mesme, duke u përpjekur të përfshijë agjentët e tij ideologjikë në administrata për dy vitet e ardhshme dhe për të ndryshuar thelbësisht marrëdhëniet e këtyre rrjeteve me qeverinë", thuhet në letër.

Letra është nënshkruar nga pesë ish-presidentë të Radios Evropa e Lirë, që drejtuan transmetuesin midis viteve 1994 dhe 2020: Kevin Klose (1994-1997); Tom Dine (1997-2005); Jeffrey Gedmin (2007-2011); Tom Kent (2016-2018); dhe Jamie Fly (2019-2020).

Menjëherë pasi mori detyrën e shefit të USAGM-së në qershor, Pack e shkarkoi Jamie Fly nga detyra e presidentit të RFE-së.

"Është thelbësore që kredibiliteti i transmetuesve të përforcohet, jo të minohet më tej", thanë ish-presidentët e Radios Evropa e Lirë.

"Tani është koha për të siguruar efektivitetin e tyre për vitet e ardshme", thanë ata në letrën dërguar presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat