Senatori republikan Romney merr çmimin John F. Kennedy për kurajo politike

Amerika

Senatori republikan Romney merr çmimin John F. Kennedy për kurajo politike

Më: 26 mars 2021 Në ora: 21:58
Senatori amerikan Mitt Romney

Senatori amerikan Mitt Romney u shpall fitues i çmimit “John F. Kennedy Profile in Courage” të premten për qëndrimin kundër partisë së tij, duke u bërë senatori i vetëm republikan që votoi për ngritjen e akuzave ndaj ish-Presidentit Donald Trump në gjyqin e tij të parë në Senat.

Çmimi u krijua nga familja e ish-presidentit të ndjerë për të nderuar figurat publike që rrezikojnë karrierën e tyre duke përqafuar qëndrime jopopullore, për të mirën e publikut të gjerë dhe mban emrin e titullit të librit fitues të Çmimit Pulitzer në vitin 1957 të zotit Kennedy, "Profile in Courage" ("Profil në Kurajo").

"Përkushtimi i senatorit Romney ndaj Kushtetutës sonë e bën atë një pasardhës të denjë të senatorëve që frymëzuan babanë tim për të shkruar librin "Profile in Courage"",tha vajza e zotit Kennedy, Caroline Kennedy, në një deklaratë të lëshuar nga Fondacioni i Bibliotekës JFK. "Ai na kujton se Demokracia jonë varet nga guximi, ndërgjegja dhe karakteri i zyrtarëve tanë të zgjedhur."

Mitt Romney, 74 vjeç, tha se ai është frymëzuar nga babai i tij i ndjerë, George Romney, një ekzekutiv i industrisë së makinave dhe guvernator i Miçiganit.

"Kur mendoj për guximin, mendoj për babanë tim", tha republikani i shtetit të Jutës, i cili është gjithashtu ish-guvernator i shtetit të Masaçusetsit. "Ai bëri atë që ishte e drejtë, pavarësisht nga pasojat. Unë aspiroj shembullin e tij, megjithëse kam dështuar herë pas here. Ne duhet t'ia nënshtrojmë fatet tona politike kauzave të lirisë, mundësive të barabarta dhe të vërtetës, veçanërisht në një kohë kur ato po sulmohen këtu dhe jashtë vendit".

Gjyqi i parë ndaj ish-Presidentit Trump në vitin 2020 u përqëndrua në mënyrën se si ai i kishte menaxhuar marrëdhëniet me Ukrainën. Mitt Romney u bë senatori i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që votoi për dënimin e një presidenti të partisë së tij dhe ai ishte objekt i kritikave të forta dhe madje i kërcënimeve nga mbështetësit e zotit Trump.

Por ai nuk u tërhoq, thuhet në deklaratën e Foundacionit të Bibliotekës JFK.

Kur ish-presidenti Trump dhe shumë republikanë vunë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, senatori Romney mbrojti integritetin e rezultateve dhe kundërshtoi përpjekjet për t'i përmbysur ato.

Pas protestës së dhunshme të 6 janarit nga mbështetësit e zotit Trump në Kapitol, senatori Romney u bëri thirrje kolegëve të tij republikanë të mbështesnin të vërtetën në lidhje me zgjedhjet. Në gjyqin e dytë ndaj ish-Presidentit Trump, Mitt Romney ishte një nga shtatë senatorët republikanë që votuan për ta shpallur të fajshëm ish-presidentin për nxitjen e sulmit ndaj Kapitolit.

Libri i ish-Presidentit Kennedy rrëfen historitë e tetë senatorëve amerikanë që rrezikuan karrierën e tyre politike duke mbajtur qëndrime parimore për pozicione jopopullore. Çmimi u krijua nga Fondacioni i Bibliotekës John F. Kennedy në 1989.

Senatorit Romney do t’i jepet çmimi, një fanar argjendi i pastër që simbolizon një fener të shpresës, në një ceremoni virtuale në maj.

Fituesit e mëparshëm të këtij çmimi përfshijnë ish-presidentët Barack Obama, Gerald Ford dhe George H.W. Bush; senatorin amerikan John McCain; dhe aktivisten liberiane të paqes dhe laureaten e Nobelit, Leymah Gbowee. Komisioni që zgjedh fituesin e çmimit përbëhet nga një panel dy partiakë 15 anëtarësh i udhëheqësve të vendit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat