Pentagoni: Disa të dyshuar kolumbianë të arrestuar për vrasjen e Presidentit të Haitit janë stërvitur në SHBA

Amerika

Pentagoni: Disa të dyshuar kolumbianë të arrestuar për vrasjen e Presidentit të Haitit janë stërvitur në SHBA

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 22:53
Disa të dyshuar kolumbianë të arrestuar për vrasjen e Presidentit të Haitit

Disa nga shtetasit kolumbianë të arrestuar nga policia e Haitit në lidhje me vrasjen e Presidentit Jovenel Moise morën pjesë në "programet stërvitore dhe të edukimit ushtarak amerikan", konfirmoi një zëdhënës i Pentagonit në një deklaratë të dërguar me email për Zërin e Amerikës. Informacioni doli në dritë gjatë një rishikimi të të dhënave të stërvitjeve, tha nënkoloneli Ken Hoffman, pa specifikuar se kur dhe ku u zhvillua trajnimi. "Rishikimi ynë është duke vazhduar, kështu që ne nuk kemi hollësi shtesë tani për tani," tha nënkoloneli Hoffman. Njoftimi u raportua fillimisht nga gazeta The Washington Post.

Sipas Pentagonit, Departamenti amerikan i Mbrojtjes trajnon çdo vit mijëra ushtarakë nga Amerika e Jugut, Amerika Qendrore dhe Karaibet. Hoffman tha se trajnimi është përqendruar në "respektimin e të drejtave të njeriut, pajtueshmërinë me sundimin e ligjit dhe ushtritë në shërbim të udhëheqjes civile të zgjedhur në mënyrë demokratike".

Shefi i Policisë Kombëtare të Haitit, Leon Charles, tha se policia ka arrestuar 18 kolumbianë në lidhje me vrasjen. Presidenti Moise u qëllua për vdekje gjatë një sulmi brenda rezidencës së tij private, në një zonë të pasur në periferi të Port-au Prince, në orët para mëngjesit të 7 korrikut. bashkëshortja e tij, Martine, e cila u plagos në sulm, është duke u rikuperuar pasi iu nënshtrua një operacioni në një spital të Majamit në Florida. Kryeministri i përkohshëm Claude Joseph u tha gazetarëve se ka folur me zonjën Moise disa herë dhe se gjendja e saj po përmirësohet.

Qeveria kolumbiane për ‘mercenarët’

Në Nju Jork, zëvendës Presidentja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Kolumbisë Marta Lucia Ramirez denoi përfshirjen e shtetasve kolumbianë në vrasjen e zotit Moise pas një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën.

Image
Marta Lucia Ramirez

"Më lejoni të them se jo vetëm qeveria kolumbiane, por edhe sistemi i drejtësisë, po punon me gjyqësorin dhe inteligjencën nga vendet e tjera në mënyrë që të ndihmojë shtetin haitian të identifikojë të gjithë përgjegjësit e këtij krimi të madh," u tha zonja Ramirez gazetarëve , duke shtuar se vendi i saj po punon gjithashtu me Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, Interpol.

"Dhe sigurisht, ne po ndihmojmë Interpolin në mënyrë që të kemi të gjithë informacionin, historikun për kohën kur ata jetuan në Kolumbi, informacionet në lidhje me komunikimet e tyre, gjithçka tjetër në mënyrë që të sqarohet ky krim i tmerrshëm," tha zonja Ramirez.

Arrestime të reja

Në Port-au-Prince policia kombëtare e Haitit njoftoi të enjten arrestimin e dy të dyshuarve shtesë në lidhje me vrasjen e Presidentit Moise.

Policia i identifikoi ata si haitianët Reynaldo Corvington dhe Gilbert Dragon. Policia thotë se gjeti një arkë me municione në shtëpitë e të dy të dyshuarve që përfshinin pushkë AR-15, armë automatike, pistoleta dhe pushkë gjuetie. Tre granata dore u gjetën në rezidencën e Corvington-it, thuhet në një deklaratë të policisë.

Policia kombëtare lëshoi gjithashtu një urdhër të ri arrestimi për Désir Gordon Phenil. Një deklaratën e postuar në faqen zyrtare të policisë në Facebook thuhet se Phenil-i ishte përgjegjës për marrjen me qira të makinave, koordinimin e takimeve me "mercenarët" dhe blerjen e pajisjeve.

Image
Joe Biden

Të mërkurën, Dimitri Herard, shefi i sigurisë të pallatit kombëtar, u mor në paraburgim.

Presidenti amerikan Joe Biden e ka dënuar vrasjen. Presidenti dërgoi një delegacion të posaçëm në Haiti për të ndihmuar hetimet. Delegacioni përfshin zyrtarë nga Departamenti i Shtetit, Siguria Kombëtare, Departamenti i Drejtësisë dhe Këshilli i Sigurimit Kombëtar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat