Teksas, një kompani nafte nën akuzë për rrjedhjen e naftës në det

Amerika

Teksas, një kompani nafte nën akuzë për rrjedhjen e naftës në det

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 19:34
Pamje nga Teksasi

Një kompani nafte në Teksas dhe dy firma nënkontraktore të saj, u akuzuan për rrjedhjen e naftës në det, që ndoti ujrat dhe plazhet në Kaliforni në muajin tetor.

Firma “Amplify” operon disa puse dhe tubacione në afërsi të qytetit Long Beach në Kaliforni.

Autoritetet thonë se tubacioni i naftës u dëmtua nga spiranca e një anije transporti gjatë një moti me erëra të forta në janar, disa muaj para se tubi të çahej më 1 tetor, duke derdhur rreth 95 mijë litra naftë në det.

Prokurorët e kanë akuzuar kompaninë për neglizhencë, pasi nuk mori masa për një periudhë prej 13 orësh, ndonëse pati 8 sinjale alarmi për një defekt të mundshëm. Prokurorët thonë se po të kishte vepruar më shpejt, dëmi do të ishte minimizuar.

Kompania e mbylli rubinetin e tubacionit pas çdo sinjali alarmi, por e hapi atë prapë 8 herë, duke derdhur më shumë naftë në det.

Firma “Amplify” fajëson anijen transportuese, e cila nuk është identifikuar, se tërhoqi me spirancën e saj tubin, duke e dobësuar atë dhe shtoi se punëtorët reaguan pas sinjaleve të alarmit, por kujtuan se ato ishin alarme fallco./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat