Biden nënshkruan ligjin që e bën linçimin një krim urrejtjeje

Amerika

Biden nënshkruan ligjin që e bën linçimin një krim urrejtjeje

Më: 30 mars 2022 Në ora: 06:33
Joe Biden

Presidenti Joe Biden nënshkroi të martën ligjin e parë federal që e bën linçimin një krim urrejtjeje, duke i dhënë përgjigje një numri të madh vrasjesh raciste në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të këtij muaji ligji u miratua me unanimitet në Senat.

Ligjit i është vënë emri i Emmett Till, një djalë 14-vjeçar afrikano-amerikan, i cili u vra brutalisht në Misisipi në vitin 1955. Ligji bën të mundur ndjekjen penale si linçim të çdo komploti për të kryer një krim me bazë urrejtjen i cili rezulton me vdekje ose lëndim të rëndë trupor.

Vdekja e Emmett Till-it dhe vendimi i jurisë së përbërë krejtësisht nga të bardhë për të liruar nga akuzat dy persona të bardhë, të cilët më vonë pranuan se e kishin kryer vrasjen, tërhoqën vëmendjen kombëtare ndaj mizorive dhe dhunës me të cilat përballen afrikano-amerikanët në Shtetet e Bashkuara dhe u bënë shkak për protesta për më shumë të drejta civile.

Nënpresidentja Kamala Harris tha se me nënshkrimin e projektligjit, presidenti po i jepte përgjigje një çështjeje të papërfunduar e tmerri në historinë e vendit.

Zonja Harris, nënpresidentja e parë me origjinë afrikane dhe aziatike, ka qenë një nga mbështetëset e këtij projektligji ndërsa shërbente si senatore.

"Linçimi nuk është një relike e së kaluarës. Aktet racore të terrorit ndodhin ende në vendin tonë. Kur ato ndodhin, ne të gjithë duhet të kemi guximin t'i tregojmë ata që kryejnë këto krime dhe t'i vemë autorët para përgjegjësisë", tha ajo.

Në gusht, FBI-ja tha se numri i krimeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara ishte rritur gjatë vitit 2021 në nivelin më të lartë prej më shumë se një dekadë, nxitur nga një rritje e sulmeve kundër afrikano-amerikanëve dhe aziatiko-amerikanëve.

Presidenti Biden tha se ligji nuk kishte të bënte vetëm me trajtimin e krimeve të së kaluarës.

"Ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen tonë gjithashtu", tha ai, duke përmendur një tubim të nacionalistëve të bardhë në Virxhinia në vitin 2017. "Urrejtja racore nuk është një problem i vjetër. Është një problem i vazhdueshëm", shtoi ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat