Nju Jorku kërkon qasje tek mediat sociale të aplikantëve për armëmbajtje

Amerika

Nju Jorku kërkon qasje tek mediat sociale të aplikantëve për armëmbajtje

Më: 8 korrik 2022 Në ora: 22:40
Foto ilustrim

Shteti i Nju Jorkut ka hartuar një strategji të re për të kontrolluar njerëzit që kërkojnë të mbajnë armë. Sipas kësaj strategjie, aplikantët vënë në dispozicion profilet e tyre në rrjetet sociale për t’iu nënshtruar vlerësimit të “karakterit dhe sjelljes" së tyre. Strategjia ka mbështetjen e shumë demokratëve dhe grupeve pro kontrollit të armëmbajtjes, pasi kështu ndihmohet në zbulimin e shenjave që mund të parandalojnë kryerjen e sulmeve masive.

Por disa ekspertë kanë ngritur shqetësimet në lidhje me lirinë e shprehjes. Disa nga zyrtarët vendorë që do të ngarkohen me kontrollin e përmbajtjes së rrjeteve sociale kanë ngritur dyshimin nëse do të kenë fonde të mjaftueshme për të kryer këtë detyrë.

Ndërsa shenjat që paralajmërojnë se dikush ka në plan të kryejë sulm masiv me armë po kalojnë pa pasur mundësi të kontrollohen me kohë, shteti i Nju Jorkut po nxjerr një strategji të re për të kontrolluar aplikantët për leje armësh.

Personave që kërkojnë të mbajnë armë të fshehura do t'u kërkohet të lejojnë qasje në profilet e tyre të rrjeteve sociale për vlerësim të "karakterit dhe sjelljes së tyre".

Strategjia ka përkrahjen e shumë demokratëve dhe grupeve kombëtare pro-kontrollit të armëve pasi kështu ndihmohet në zbulimin e shenjave paralajmëruese para sulmeve masive me armë.

Por disa ekspertë e kanë ngritur si çështje mundësinë e zbatimit të ligjit dhe shqetësimet se çfarë nënkupton kjo për lirinë e të shprehurit.

Sherifët nuk kanë marrë para ose personel shtesë për të trajtuar një proces të ri aplikimi, tha zoti Peter Kehoe, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sherifëve të Nju Jorkut.

Ligji, tha ai, cenon të drejtat e Amendamentit të Dytë, apo të drejtën për të mbajtur armë dhe ndërsa aplikantët duhet të lejojnë qasje në profilet e tyre në rrjete sociale, ai nuk mendon se zyrtarët vendorë domosdoshmërisht do t'i shikojnë ato.

"Unë nuk mendoj se do ta bënim këtë," tha zoti Kehoe. "Unë mendoj se do të ishte një shkelje kushtetuese e privatësisë."

Detyrimi i ri, që hyn në fuqi në shtator, u përfshi në një ligj të miratuar javën e kaluar që ka për qëllim të ruajë disa kufizime për armët e zjarrit pasi Gjykata e Lartë vendosi se shumica e njerëzve kanë të drejtë të mbajnë pistoletë për mbrojtje personale. Ajo u nënshkrua nga guvernatorja, Kathy Hochul, nga Partia Demokrate, e cila vuri në dukje se sulmuesit ndonjëherë tregojnë publikisht nëpër rrjete sociale për qëllimet e tyre për të lënduar të tjerët.

Gjithnjë e më shumë, sulmues të moshës së re kanë postuar në internet për atë që do të ndodhë përpara se të kryejnë vrasjet masive. Një gjë e tillë ndodhi në rastin e personit të armatosur që vrau 19 fëmijë dhe dy mësues në një shkollë fillore në qytetin Uvalde të Teksasit.

Sipas ligjit, aplikantët duhet t'u ofrojnë zyrtarëve lokalë një listë të profileve aktuale dhe të mëparshme të rrjeteve sociale nga tre vitet e fundit. Do të varet nga stafi i sherifit vendor, gjyqtarët ose nëpunësit e vendit që të bëjnë kërkime nëpër ato profile ndërsa ata kontrollojnë nëse aplikantët kanë bërë deklarata që tregojnë sjellje të rrezikshme.

Ligji gjithashtu do t'u kërkojë aplikantëve t'u nënshtrohen orëve të tëra trajnimi për sigurinë, të dëshmojnë se janë të aftë për të shtënë, të ofrojnë katër referenca për karakterin e tyre dhe të kryejnë intervista ballë për ballë me kontrollorët.

Ligji pasqyron se si vendimi i Gjykatës së Lartë ka zhvendosur përgjegjësinë tek shtetet individuale për verifikimin e atyre që mbajnë armë zjarri në publik, tha Tanya Schardt, këshilltare e lartë dhe drejtore e politikës shtetërore dhe federale për organizatën e mbrojtjes së kontrollit të armëve “Brady”.

Grupi i saj tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë shteti tjetër që kërkonte që aplikantët për leje armësh të dorëzonin profile të rrjeteve sociale.

Qasja e re, megjithatë, po ndodh mes debatit të shtuar mbi kontrollimin e publikimeve në rrjetet sociale dhe të kaluarës kur është bërë mbikëqyrje e pajustifikuar e komuniteteve afrikano-amerikane dhe komuniteteve të tjera pakicë.

“Pyetja duhet të jetë: A mund ta bëjmë këtë në një mënyrë antiraciste që të mos krijojë një lloj të ri dhune, fjala është për dhunën shtetërore që ndodh përmes vëzhgimit?” pyeti profesori i politikave sociale, komunikimit dhe mjekësisë në Universitetin e Pensilvanisë, Desmond Upton Patton, i cili gjithashtu themeloi “SAFElab”, një iniciativë kërkimore që studion dhunën që përfshin të rinjtë me ngjyrë.

Ndërkohë, mbrojtësit e të drejtave të armëve po e kundërshtojnë ligjin.

“Duhet gjithashtu t'u tregoni atyre profilet tuaja në rrjetet sociale sepse Nju Jorku dëshiron t'ju hetojë tërësisht për të kuptuar nëse jeni nga ata qytetarët e rrezikshëm që i binden ligjit, dhe po bëjnë që krimi të ngrihet në qiell”, thotë me ironi Jared Yanis, drejtues i kanalit “Guns & Gadgets” në rrjetin social, “YouTube”, në një video me shikueshmëri të lartë ndërsa flet mbi ligjin e ri.

"Në çfarë pozite kemi rënë?”, pyet ai më tej.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Hochul, e cila gjithashtu ka ngarkuar policinë e shtetit për të zhdukur ekstremizmin në internet, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për t’u përgjigjur pyetjeve në lidhje me këtë çështje.

"Shpesh pika ku ka ngecje është tek zbatimi" vlerëson profesori i drejtësisë penale në Universitetin "Metro State" James Densley, bashkëthemelues i nismës kërkimore "The Violence Project" duke shtuar se “askush nuk e di mënyrën më të mirë për ta bërë zbatimin" e kësaj qasjeje të re.

Mund të jetë e ndërlikuar, tha zoti Densley, të deshifrosh postimet në rrjetet sociale nga të rinjtë, të cilët mund të kontrollohen vetëm pse e kanë publikuar një video muzikore.

"Aty ku kjo çështje do të bëhet e ndërlikuar është se në çfarë mase kjo kualifikohet si e drejtë e të shprehurit të lirë dhe në çfarë mase është kjo dëshmi e keqbërjes?" tha zoti Densley.

Zëdhënësit e platformave të rrjeteve sociale, “Facebook”, “Twitter”, “4Chan” dhe “Parler” nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për të komentuar.

Në vend të kësaj, Nju Jorku duhet të shqyrtojë punësimin e një grupi të trajnuar që do të ngarkoheshin me zbulimin e mënyrave më të mira per të kontaktuar me personat në internet që po tregojnë shenja radikalizimi ose traume dhe që mund të kenë nevojë për ndihmë, tha profesori i politikave sociale, komunikimit dhe mjekësisë në Universitetin e Pensilvanisë, Desmond Upton Patton.

“Ka shumë nuanca dhe çështje kontekstuale. Njerëzit kanë forma të ndryshme se si flasin, se si komunikojnë, kjo mund të keqkuptohet," tha më tej zoti Patton. "Jam i shqetësuar se nuk kemi njerëzit e duhur ose mjetet e duhura për ta bërë këtë në një mënyrë që është e dobishme në parandalimin e dhunës", tha zoti Patton.

Zoti Adam Scott Wandt, profesor i politikave publike në Kolegjin e Drejtësisë Penale “John Jay”, tha se ai e mbështet kontrollin e armëve, por se ai shqetësohet se ligji i Nju Jorkut mund të vendosë një precedent për zbulimin e detyrueshëm të aktivitetit të rrjeteve sociale për njerëzit që kërkojnë nga shteti lloje të tjera licencash.

Ligji i Nju Jorkut është i nxituar dhe i paqartë, tha zoti Wandt, i cili e mëson personelin e zbatimit të ligjit se si të kryejë kërkime për njerëzit përmes rrjeteve sociale.

“Unë mendoj se do të krijohet një situatë e rrëzikshme që do të zvogëlojë ngadalë të drejtat e njerëzve për të mbajtur armë dhe do të lejojë burokracinë të vendosë, bazuar në kritere të paqarta se cili mund të ketë armë dhe cili jo”, tha më tej zoti Wandt dhe shtoi se vendimi i Gjykatës së Lartë kishte për qëllim të shmangte pikërisht këtë gjë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat