Prezantuesit e Fox News-it nuk i besonin pretendimet për manipulime në zgjedhjet e 2020-s

Amerika

Prezantuesit e Fox News-it nuk i besonin pretendimet për manipulime në zgjedhjet e 2020-s

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 21:15
Fox News

Në një padi të ngritur ndaj rrjetit televiziv ‘Fox News’ dhe korporatës me të njëjtin emër, thuhet se drejtuesit e disa emisioneve televizive, kishin shfaqur shqetësime serioze në lidhje me akuzat për manipulim te zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të bëra nga të ftuar, aleatë të ish-Presidentit Donald Trump. 

Nëpërmjet padisë së depozituar në gjykatë, kompania ‘Dominion Voting Systems’, prodhuesja e aparaturave të votimit për procesin zgjedhor, kërkon një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh nga rrjeti televiziv, duke e akuzuar atë për shpifje.

Sipas një pjese të shkëputur nga dosja gjyqësore, e cila nuk është bërë e gjitha ende publike, thuhet se më 16 nëntor të vitit 2020, gazetari Tucker Carlson i tha një producenti se "Sidney Powell po gënjen se ka prova për manipulime”, duke iu referuar një prej avokateve të zotit Trump.

Komunikimi i brendshëm u përfshi në një përmbledhje të redaktuar të padisë, që u bë publik të enjten nga avokatët e kompanisë ‘Dominion Voting Systems’.

Po sipas dokumentit, zoti Carlson gjithashtu iu referua zonjës Powell në një moment, si një "raketë padrejtim" dhe "tejet e rrezikshme". Ndërkohë një tjetër drejtuese emisioni në ‘Fox News’, Laura Ingraham i tha kolegut Carlson, se zonja Powell ishte “tërësisht e çmendur”. 

"Askush nuk do të punojë me të, apo me Rudy-n”, mësohet të ketë thenë zonja Ingraham, duke iu referuar ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut dhe mbështetësit e ish avokatit të zotit Trump, Rudy Giuliani.

Sipas dosjes gjyqësore, prezantuesi tjetër televiziv, Sean Hannity, kishte thënë në një dëshmi se nuk e kishte besuar për asnjë sekondë gjithçka që thoshte e nxiste zonja Sidney. 

‘Dominion’ një kompani me bazë në Denver, që shet pajisje dhe programe për votim elektronik, ka paditur si kanalin televiziv ‘Fox News’ ashtu edhe kompaninë mëmë të saj ‘Fox Corporation’. “Dominion” thotë se disa punonjës të ‘Fox News-it’ i përforconin qëllimisht pretendimet e rreme se ‘Dominion’ kishte ndryshuar votat në zgjedhjet e vitit 2020, duke ofruar kështu një platformë për të ftuarit në emisione, që të shpifnin e bënin deklarata të rreme.

Avokatët e gjigantit të lajmeve, në argumentat e tyre mbrojtëse theksojnë se veprimi i firmës ‘Dominion’ është një sulm ndaj Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane, që mbron lirinë e fjalës. Ata thonë se ‘Dominion’ po kërkon një shifër marramendëse dëmshpërblimi, që synon të prodhojë vetëm tituj për gazetat, të sulmojë fjalën e lirë, që mbrohet nga kushtetura, duke pasuruar pronarët e kompanisë. 

Avokatët e ‘Fox News-it’ thonë se zoti Carlson në emisionin e tij vuri vazhdimisht në dyshim pretendimet e ngritura nga zonja Powell. “Kur ne vazhduam të ushtronim trysni, ajo u zemërua dhe na tha të mos e kontaktonim më”, u tha zoti Carlson teleshikuesve më 19 nëntor 2020.

Avokatët e Fox-it thonë se vetë kompania e marrëdhënieve me publikun që punon për ‘Dominion’, kishte shprehur skepticizëm në dhjetor të vitit 2020 nëse mënyra se si rrjeti i mbuloi këto zhvillime, ngrihej në nivelin e shpifjes. Ata treguan gjithashtu një email që daton më 30 tetor 2020, vetëm disa ditë para zgjedhjeve, në të cilin drejtori për strategjinë dhe sigurinë e aparaturave në kompaninë ‘Dominion’, ishte ankuar se produktet e kompanisë ishin "të mbushura me defekte".

Në kundërpërgjigjen e tyre, avokatët e ‘Fox News-it” shkruanin se rrjeti televiziv i ka transmetuar komentet kundër, që kompanitë e teknologjisë së votimit, bënë ndaj akuzave të zotit Trump dhe zëdhënësve të tij. 

Kundërpadia e Fox News-it bazohet në ligjin "anti-SLAAP" të Nju Jorkut. Ky ligj mbron nga frikësimi, apo paditë mashtruese, ata që ushtrojnë të drejtën e tyre bazuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës. ‘SLAPP’ do të thotë ‘padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike’. 

Sipas avokatëve të Fox New-sit, firma ‘Dominion’ kërkon që rrjeti televiziv të mos raportonte rreth pretendimeve të presidentit, por t'i censuronte ose t'i denonconte ato si të rreme. 

“Dominimi gabohet tërësisht. Liria e fjalës dhe liria e shtypit do të ishin një iluzion, nëse pala mbizotëruese në një polemikë publike, mund të padiste shtypin vetëm për faktin se i dha një mundësi për të folur palës humbëse”, shtuan ata më tej.

Avokatët e Fox News-it paralajmërojnë se kërcënimi për pagimin e një dëmi prej 1.6 miliardë dollarësh, do të bëjë që mediat e tjera të mendojnë dy herë rreth asaj që raportojnë. Ata gjithashtu thonë se dokumentet tregojnë se ‘Dominion’ nuk ka pësuar ndonjë dëm ekonomik, apo të ketë humbur ndonjë klient, si rezultat i mënyrës se si ‘Fox News’ ka mbuluar zgjedhjet.

Gjyqi fillon në mes të muajit prill. Mundësia për një gjykim të shkurtuar të çështjes do të shmangte nevojën për një gjyq me juri, që mund të zgjaste mbi pesë javë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat