Padia ndaj Fox News-it, dokumentet tregojnë trysninë politike pas programeve televizive

Amerika

Padia ndaj Fox News-it, dokumentet tregojnë trysninë politike pas programeve televizive

Më: 9 mars 2023 Në ora: 19:03
Foto ilustrim

Në maj 2018, drejtuesit republikanë kishin nevojë për ndihmë. Kështu që ata i telefonuan themeluesit të rrjetit Fox News, Rupert Murdoch.

Presidenti Donald Trump dhe drejtuesi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, po përpiqeshin të ndalnin kandidimin zyrtar në Virxhinian Perëndimore të Don Blankenshipit, i cili ishte dënuar për shkelje të rregullave të sigurisë gjatë një aksidenti që shkaktoi viktima, në një nga minierat e qymyrgurit. Ai pritej të kandidonte përballë Senatorit demokrat Joe Manchin.

“Trump dhe McConnell po bëjnë thirrje për ndihmë për të mundur një ish-pronar minierash të papërshtatshëm për t’u zgjedhur dhe që ka vuajtur dënim me burg”, u shkruante zoti Murdoch drejtuesve në Fox News, sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara këtë javë. “Çdo gjë gjatë ditës mund të ndihmojë, por nëse Sean (Hannity) dhe Laura (Ingraham) e godasin atë fort, mund t’ia arrijnë qëllimit”.

Nxitja nga zoti Murdoch, e bërë e ditur nga dokumentet gjyqësore në kuadrin e një padie për shpifje nga një kompani e sistemeve elektronike të votimit, është një shembull që tregon se si kanali televiziv ‘Fox News’ u përfshi në mënyrë aktive në politikë, në vend që thjesht të raportonte apo të jepte opinione. Gjetjet përbëjnë sfidë për besueshmërinë e rrjetit më të ndjekur kabllor në Shtetet e Bashkuara, në prag të një sezoni të ri zgjedhor në të cilin sërish ish-Presidenti Trump shfaqet si konkurrenti kryesor e ka shpallur tashmë kandidimin për herë të tretë të tij për Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Blankenship, i cili përfundimisht humbi në zgjedhjet paraprake, tha në një intervistë të mërkurën se e pati ndjerë menjëherë ndryshimin, kur mbulimi nga rrjeti mediatik bëri një kthesë të fortë në orët e fundit përpara mbajtjes së zgjedhjeve paraprake.

“U treguan shumë të zgjuar, sulmuan ditën përpara zgjedhjeve, ndaj nuk pata kohë për të reaguar”, tha zoti Blankenship, i cili pati ngritur një padi tjetër për shpifje, por që rezultoi e pasuksesshme, ndaj kanalit Fox News.

Të mërkurën, rrjeti mediatik e cilësoi padinë e kompanisë ‘Dominion Voting Systems’ si një sulm flagrant ndaj Amendamentit të Parë për lirinë e shprehjes dhe shtypit, dhe tha se kompania kishte shkëputur deklarata të caktuara duke i njerrë ato jashtë kontekstit. Sipas kanalit televiziv, ato përfshijnë një pranim nga ana e zotit Murdoch se i pati dërguar Jared Kushnerit, drejtues i fushatës për rizgjedhjen e ish-Presidentit Trump dhe njëkohësisht dhëndër i tij, reklamën për fushatën presidenciale të Joe Biden-it që do të transmetohej në rrjetin e tij. Kanali Fox thotë se reklama dërguar zoti Kushner ishte paraprakisht e disponueshme në YouTube dhe në të paktën një kanal televiziv.

“Dominion u kap sërish në flagrancë duke shtrembëruar mëtej dhe keqinformuar si pjesë e fushatës së tyre për të denigruar Fox News-in dhe për të shkelur mbi të drejtën për fjalën e lirë dhe shtypin e lirë”, thuhet në një deklaratë të rrjetit Fox.

Rrjeti Fox është parë prej kohësh si një forcë më ndikim në politikat e Partisë Republikane dhe me një bazë të madhe mbështetësish konservatorë. Por, mijëra faqe dokumentesh të publikuara këtë javë në kuadrin e padisë së paraqitur nga kompania Dominion tregojnë se sa i paqartë ishte kufiri mes gazetarisë dhe politikave partiake në këtë rrjet mediatik. Kompania Dominion e ngriti padinë pasi u shndërrua në objekt sulmi nga teoritë e konspiracionit për zgjedhjet e vitit 2020, që shpesh mbështeteshin gjatë transmetimeve të kanalit Fox.

Sipas dokumenteve zoti Murdoch u tha kërkoi gjithashtu drejtuesve të Fox News-it që të mbështesnin anët pozitive të ligjit të ish-Presidentit Trump për ulje të taksave, në vitin 2017, dhe për t’i dhënë vëmendje të shtuar kandidatëve republikanë për në Senat. Ai donte që rrjeti të sulmonte fushatën presidenciale të zotit Biden në kulmin e pandemisë në vitin 2020.

Nicole Hemmer, profesore historie në Universitetin Vanderbilt dhe autore e librit “Partiakët: Revolucionarët republikanë që rikrijuan politikat amerikane në vitet 1990”, tha se ajo që paraqitet në këtë padi i kundërvihen argumentit të hershëm të kanalit Fox, se ekziston një vijë ndarëse mes lajmeve dhe opinioneve në këtë kanal.

Në ditët pas zgjedhjeve, ndërsa zoti Trump po bënte akuza gjithnjë e më të ashpra duke pretenduar se si pasojë e manipulimit ai kishte humbur Shtëpinë e Bardhë, djali i Rupert Murdoch-ut, Lachlan Murdoch, drejtues ekzekutiv i kompanisë ‘Fox Corp.’, i dërgoi një mesazh me tone alarmuese shefes ekzekutive të ‘Fox News-it’ Suzanne Scott, referuar një tubimi të zotit Trump.

"Ata që merren me lajmet duhet të jenë të kujdesshëm se si e mbulojnë këtë tubim", shkruante Lachlan Murdoch, sipas dokumenteve ligjore. "Deri më tani, disa nga komentet janë paksa kundër dhe nuk duhet të jenë të tilla. Ajo çka duhet të tregohet është se kjo është festë e madhe e presidentit….etj”, shkruante ai.

Qasja politike e disa prej prezantuesve të Fox-it është e njohur sikurse bisedat e shpeshta të prezantuesit televiziv Sean Hannity me zotin Trump ndërsa ai ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë. Por dokumentet e gjykatës tregojnë se si vetë shefi i organizatës Fox, Rupert Murdoch, u fut gjithashtu në veprim.

Në nëntor 2017, në një email drejtuar zonjës Scott, zoti Murdoch i kërkonte asaj që të mbështeste propozimin e Presidentit Trump për uljen e taksave, propozim që ishte miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ishte pranë një votimi në Senat.

“Sapo ta miratojnë këtë projektligj, ne duhet t'u tregojmë shikuesve tanë vazhdimisht, se çfarë do të përfitojnë”, shkruante zotit Murdoch në email, i cili është përfshirë tashmë në procesverbalet e gjykatës. "Diçka e mrekullueshme, për të gjithë ata që marrin nën 150 mijë dollarë".

Pas debatit të parë presidencial në vitin 2020, zoti Murdoch i “tmerruar” i thoshte zotit Kushner se zoti Trump duhet të ishte më i përmbajtur në debatin e ardhshëm. (Ish-Presidenti Trump e anuloi aktivitetin në fjalë.)

"Kjo ishte këshillë e një miku, për një mik", tha zoti Murdoch në dëshminë e tij. "Nuk ishte këshillë në cilësinë time si drejtues i Fox Corporation".

Por avokati i kompanisë ‘Dominion’, Justin A. Turner e pyeti: "Cili është ndryshimi?!". 

"Ju vazhdoni të më bëni pyetje si kreu i Fox-it, është një rol tjetër të jesh mik", u përgjigj ai. 

Sipas të dhënave të gjykatës shkëmbimet me email-e të zotit Murdoch me zotin Kushner çuan në një çështje që përfshinte reklamat zgjedhore të zotit Biden, e cila është tashmë objekt i një ankese drejtuar Komisionin Federal të Zgjedhjeve nga grupi mbikëqyrës liberal ‘Çështjet e medias për Amerikën”. Grupi argumenton se Fox-i dha një kontribut të paligjshëm në fushatën e zotit Trump duke i dhënë informacione në lidhje me reklamat e zotit Biden. Përfaqësuesit e Fox-it thonë se ndarja e informacionit publik nuk mund të konsiderohet si e tillë.

Të dhënat e gjykatës tregojnë se më 25 shtator 2020, zoti Murdoch i dërgoi një email zotit Kushner ku thuhej se "njerëzit e mi më thonë" se reklamat e zotit Biden "janë shumë më të mira nga pikëpamja krijuese sesa tuajat”. 

“Thjesht po u bëj me dije diçka që më është thënë”, shkruante zoti Murdoch.

Në të njëjtin muaj, zoti Murdoch në një email drejtuar Kol Allan, ish-redaktorit të gazetës ‘New York Post’ në pronësi të tij (Ruper Murdoch-ut) ngrinte pyetjen "se si dikush mund të votonte për Bidenin?!". Zoti Allen i përgjigjej se "shpresa e vetme e Bidenit ishte të qëndronte në bodrum, e të mos përballej me pyetje serioze".

"Thjesht u sigurova që Fox-i t'i sillte shpesh në vëmendje këto çështje", ishte përgjigjur zoti Murdoch kur u pyet mbi email-in. "Nëse audienca flet, tema do të përhapet", ka thenë ai sipas dokumenteve të gjykatës.

Një tjetër politikan i shquar që zoti Murdoch e cilëson si "mik" është zoti McConnell, gruaja e të cilit, Elaine Chao, në atë kohë shërbente si sekretare e transportit në administratën e ish-Presidentit Trump, dhe kishte qenë anëtare e bordit e organizatës Fox. Zoti Murdoch tha se kishte folur me udhëheqësin republikan të Senatit "tre ose katër herë në vit".

Zoti Murdoch tha në dëshminë e tij se gjatë zgjedhjeve të posaçme për Senatit, në vitit 2017 në Alabama, ai u kishte thënë drejtuesve më të lartë të organizatës se ai, ashtu sikurse zoti McConnell, ishte kundër Roy Moore-it, një ish-kryetar gjykate i njohur për qëndrimet e tij që nxisnin kundërshti publike. Zoti Moore arriti të sigurojë pas primareve kandidimin zyrtar nga partia republikane, por humbi në zgjedhje, pasi u akuzua në mënyrë të besueshme për ngacmim seksual, përfshirë marrëdhënie me adoleshente kur ishte në të 30-at. Zoti Moore i ka hedhur poshtë akuzat.

Në dëshminë e tij zoti Murdoch fliste gjithashtu për miqësinë e tij personale me një kandidat për Senatin, emri i të cilit nuk përmendet, ndërsa i sugjeronte zonjës Scott që rrjeti t'u kushtonte vëmendje shtesë republikanëve në garat e ngushta për Senatin.

Disa ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2020, pasi prezantuesi i emisionit për ekonominë në Fox, Lou Dobbs, ishte paraqitur kritik ndaj Senatorit Lindsey Graham, zoti Murdoch i kërkonte zonjës Scott që zoti Hannity t’i forconte pozitat zotit Graham, i cili po përballej me një sfidë të financuar jashtëzakonisht mirë nga demokrati Jamie Harrison.

"Me siguri jeni në dijeni për ‘shpërthimet’ e Lou Dobbs-it ndaj Lindsay Graham-it", shkruante zoti Murdoch më 27 tetor, sipas një kopje të mesazhit që pasqyrohet në dokumentet e gjykatës. “A mund të thotë Sean-i diçka në mbështetje të tij? Ne nuk mund ta humbasim Senatin, nëse kjo është diçka e mundur për t’u arritur”.

Zonja Scott i përgjigjej se zoti Graham kishte qenë një natë më parë i ftuar në emisionin e zotit Hannity "dhe se kishte qëndruar për një kohë të gjatë televizive”, duke shtuar gjithashtu se e kishte trajtuar edhe çështjen e 'shpërthimeve' të prezantuesit Dobbs ndaj senatorit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat