Prokurori i Posaçëm Durham fajëson FBI-në për hetimin ndaj fushatës Trump në vitin 2016

Amerika

Prokurori i Posaçëm Durham fajëson FBI-në për hetimin ndaj fushatës Trump në vitin 2016

Më: 16 maj 2023 Në ora: 20:49
John Durham

WASHINGTON — FBI-së i mungonin "provat konkrete" për të hetuar fushatën e ish-presidentit Donald Trump në vitin 2016 dhe agjencia u mbështet në masë të konsiderueshme tek këshillat e ofruara nga kundërshtarët politikë të zotit Trump për të nxitur hetimin, sipas përfundimeve të një raporti të Prokurorit të Posaçëm amerikan John Durham, të publikuar të hënën.

Raporti shënoi fundin e një hetimi katërvjeçar të nisur në maj 2019 kur Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm William Barr caktoi zotin Durham, një prokuror me përvojë, për të hetuar gabimet e mundshme nga FBI-ja kur nisi hetimin e fazës së hershme për kontakte të mundshme mes fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016 dhe Rusisë.

Hetimi iu dorëzua më pas Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, i cili në mars të vitit 2019 arriti në përfundimin se nuk kishte prova të një komploti kriminal midis fushatës së zotit Trump në vitin 2016 dhe Rusisë.

Në raportin e tij të ri prej 306 faqesh, prokurori Durham arriti në përfundimin se zbulimi amerikan dhe forcat e zbatimit të ligjit nuk kishin asnjë "provë konkrete" të marrëveshjes së fshehtë mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë përpara nisjes së hetimit.

Ai gjithashtu akuzoi FBI-në për trajtimin e hetimit të zotit Trump në vitin 2016 ndryshe nga hetimet e tjera politikisht të ndjeshme, përfshirë disa që përfshijnë rivalen demokrate, Hillary Clinton.

Për shembull, ai tha se zonja Clinton dhe zyrtarë të tjerë kishin marrë informacione sipas së cilave, kishte gjasa që ata mund të ishin bërë objektiva të ndërhyrjes së huaj, ndërsa zoti Trump nuk mori asnjë informacion të tillë përpara se FBI-ja të hapte hetimet ndaj katër anëtarëve të fushatës së tij.

“Departamenti dhe FBI-ja nuk arritën të zbatonin misionin e tyre të rëndësishëm të respektimit të rreptë të ligjit në lidhje me ngjarje dhe aktivitete të caktuara të përshkruara në këtë raport”, shkroi prokurori Durham.

“Personeli i lartë i FBI-së shfaqi një mungesë serioze të rigorozitetit analitik ndaj informacionit që merrte, veçanërisht informacioneve nga persona dhe subjekte me lidhje politike”.

Në përgjigje të raportit, FBI-ja tha se tashmë ka ndërmarrë dhjetëra masa korrigjuese që kanë qenë në fuqi për disa kohë.

Raporti i prokurorit Durham u dorëzua në Kongres të hënën pa redaktime, pasi iu dorëzua edhe Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland të premten. Kryetari republikan i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan tha në Twitter se ai e ka ftuar zotin Durham të dëshmojë rreth raportit të tij javën e ardhshme.

Përfundimet e prokurorit Durham ka të ngjarë të përdoren si argumente politike nga ish-presidenti Trump, i cili ka në plan të kandidojë për rizgjedhje në 2024-ën, pavarësisht se përballet me akuza penale në Nju Jork dhe dy hetime federale nga prokurori i posaçëm Jack Smith të cilat kanë në qendër si ruajtjen e të dhënave të klasifikuara nga zoti Trump ashtu edhe rolin e tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ish-presidenti Trump kishte shpresuar se prokurori Durham do të publikonte raportin e tij përpara zgjedhjeve të vitit 2020, në atë që ai mendonte se do të ishte një goditje për fushatën e Presidentit Joe Biden. Ai tha në mediat sociale të hënën se ishte i kënaqur me rezultatet e raportit të zotit Durham.

Por hetimi i prokurorit Durham ka dështuar në masë të madhe të ushtrojë ndikim domethënës, pasi dy juri të veçanta liruan të dy të pandehurit që ai u përpoq të ndiqte penalisht në vitin 2022.

Në një rast të paraqitur nga zoti Durham, një juri e Uashingtonit liroi ish-avokatin e fushatës së ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, Michael Sussmann, nga akuzat se ai gënjeu FBI-në kur u takua me byronë në shtator 2016 për të ndarë një informacion rreth komunikimeve të mundshme midis biznesit të zotit Trump dhe një banke ruse.

Hetimi i tij hasi edhe një tjetër pengesë të madhe vetëm disa muaj më vonë, kur një juri në Virxhinia hodhi poshtë akuzat ndaj studiuesit rus Igor Danchenko sipas së cilave ai gënjeu FBI-në kur u intervistua në lidhje me burimet e informacionit që ai dha që u bë pjesë e një dokumenti të njohur si "dosja Steele".

Ai dokument, i shkruar nga ish-oficeri i inteligjencës britanike, Christopher Steele, paraqiste pretendime për lidhjet midis fushatës zgjedhore të zotit Trump në vitin 2016 dhe Rusisë dhe përmbante detaje të çuditshme – shumë prej të cilave nuk u vërtetuan kurrë.

Një hetim nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë më vonë zbuloi se FBI-ja vazhdoi të mbështetej në mënyrë jo të duhur në pretendimet e pabazuara në dosjen Steele kur kërkoi një urdhër të miratuar nga gjykata për të monitoruar komunikimet e ish-këshilltarit të fushatës së zotit Trump, Carter Page.

Prokurori Durham arriti të siguronte një pranim fajësie nga ish-avokati i FBI-së, Kevin Clinesmith, i cili u veçua në raportin e inspektorit të përgjithshëm, për ndryshimin e një emaili që u përdor për të justifikuar një kërkesë të qeverisë për përgjimin e zotit Page.

Raporti i prokurorit Durham të hënën i bëri jehonë shumë shqetësimeve që Inspektori i Përgjithshëm kishte ngritur më parë në lidhje me rigorozitetin e procesit të FBI-së për kërkesën në Gjykatën e Mbikëqyrjes së Inteligjencës së Jashtme për përgjime./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat