Senatori bllokon shitjen e armëve amerikane për Hungarinë

Amerika

Senatori bllokon shitjen e armëve amerikane për Hungarinë

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 21:26
Foto ilustrim

Kryerepublikani në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-së tha të mërkurën se po bllokonte shitjen e armëve prej 735 milionë dollarësh për Hungarinë.

Ai këtë e deklaroi se po e bënte pasi qeveria hungareze ka refuzuar të miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO.

“Duke pasur parasysh premtimet që më janë bërë mua dhe të tjerëve vitin e kaluar se ky votim do të bëhet dhe fakti që tani është muaji qershor dhe ende nuk është bërë, vendosa që të shtyhet shitja e pajisjeve të reja ushtarake të SHBA-së për Hungarinë”, deklaroi senatori Jim Risch.

“Hungaria duhet të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të lejuar Suedinë në aleancë dhe së shpejti”, tha ai, raporton reuters.

Sipas ligjit të SHBA-së, marrëveshjet kryesore të armëve shqyrtohen nga demokratët dhe republikanët më të lartë në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Vendimi i Risch për të bllokuar marrëveshjen u raportua për herë të parë në Washington Post, e cila tha se shitja përfshinte 24 bateri raketahedhëse HIMARS dhe më shumë se 100 raketa, së bashku me pjesët dhe mbështetjen përkatëse.

Suedia aplikoi vitin e kaluar për t’u anëtarësuar në NATO si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës. Kundërshtimet nga Turqia dhe Hungaria e kanë vonuar anëtarësimin dhe Suedia tani shpreson t’i bashkohet NATO-s në samitin e Lituanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat