Republikanët zgjedhin Tom Emmerin si kandidat për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve

Amerika

Republikanët zgjedhin Tom Emmerin si kandidat për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve

Më: 24 tetor 2023 Në ora: 22:09
Tom Emmer

Republikanët zgjodhën të martën ligjvënësin Tom Emmer si kandidatin e tyre për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, teksa përpiqen për herë të tretë të plotësojnë këtë pozitë e të rikthejnë Kongresin në punë.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është pozita e dytë më e fuqishme, pas Presidentit.

Rruga e zotit Emmer për të fituar këtë detyrë nuk është e sigurtë. Ligjvënësi nga Minesota, Emmer, fitoi një shumicë të thjeshtë të kolegëve të tij në votimin me dyer të mbyllura për t’u emëruar kandidat. Po tashmë ai ka nevojë për mbështetjen e pothuajse të gjithë republikanëve, gjatë votimit që do të mbahet në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kanë kaluar tre javë që kur republikanët shkarkuan Kevin McCarthyn nga detyra e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, falë një iniciative të një grupi konservator. Kryetarit të ri të Dhomës do t'i duhet të kryejë detyrën, në dukje të pamundur, atë të tejkalimit të përçarjeve mes shumicës republikane.

“Ne duhet të gjejmë mënyrën për të tejkaluar problemet tona. Burrat dhe gratë republikane duhet të heqin dorë nga justifikimet dhe duhet të zgjedhim kryetarin e ri”, tha Dusty Johnson, ligjvënës dhe udhëheqës i grupit parlamentar republikan.

Mediat njoftuan se zoti Emmer së fundmi i kishte kërkuar edhe ish Presidentit Donald Trump mbështetje për të fituar garën brenda partisë.

Prej fillimit të tetorit Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka kryetar, pasi një grup republikanësh të linjës së ashpër, filluan procesin e shkarkimit të zotit McCarthy, duke penguar funksionimin normal të Kongresit.

Po kështu qeveria federale rrezikon mbylljen brenda disa javësh nëse Kongresi nuk arrin të miratojë buxhetin. Presidenti Joe Biden i ka kërkuar Kongresit të miratojë një paketë ndihme prej 105 miliardë dollarësh për Izraelin dhe Ukrainën si dhe për tu përballur me situatën e rënduar në kufirin SHBA – Meksikë.

Kundërkandidatët e zotit Emmer ishin kryesisht konservatorë të linjës së ashpër të cilët kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ata kanë votuar edhe kundër çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, që shpallte fitues demokratin Joe Biden.

Disa demokratë e vlerësojnë zotin Emmer si një partner potencial brenda Dhomës së Përfaqësuesve.

Aleatët e zotit Trump dhe republikanë të tjerë të linjës së ashpër, kanë qenë kritikë ndaj zotit Tom Emmer, lidhur me mbështetjen që ai i ka dhënë iniciativës në përkrahje të martesave brenda së njëjtës gjini si dhe kritikave që ai i ka bërë ish-Presidentit Trump.

Ish-Presidenti Trump u përpoq ta ulë peshën që gëzon zoti Emmer brenda grupit, me të cilin ka pasur një marrëdhënie të vështirë, ndërsa e prezantoi veten të hënën si një politikan të rëndësishëm që “shumë ligjvënës” ia kërkojnë përkrahjen.

Ligjvënësi i vijës së ashpër nga Florida, Matt Gaetz, që inicioi rrëzimin e Kevin McCarthy-t, si dhe të tjerë ligjvënës të linjës së ashpër, po i kundërshtojnë kandidatët që votuan në favor të marrëveshjes për buxhetin, që zoti McCarthy arriti me Presidentin Biden në fillim të këtij viti. Kjo marrëveshje përcaktoi nivelet e shpenzimeve federale për një periudhë të përkoshme. Republikanët e ekstremit të djathtë nuk pajtohen me marrëveshjen dhe po kërkojnë ta zhbëjnë atë.

Ligjvënësja Marjorie Taylor Greene kërkoi garanci që kandidatët do të vazhdojnë me hetimet që synojnë nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Biden si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të kabinetit.

Dhoma e Përfaqësuesve drejtohet aktualisht nga një kryetar i përkohshëm, ligjvënësi republikan Patrick McHenry, detyra kryesore e të cilit është të drejtojë procesin për zgjedhjen e kryetarit të përhershëm të Dhomës.

Disa republikanë dhe demokratë u vunë në krye të një iniciative që synonte t'i jepte zotit McHenry më shumë kompetenca për të mbajtur detyrën deri në zgjedhjen e kreut të ri. Por zoti McHenry, personi i parë që mban pozitën e kryetarit të përkohshëm, pozitë që u krijua pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, si masë urgjente, nuk ka pranuar t’i mbështesë këto propozime./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat