SHBA thirrje Koresë së Veriut të ndalë provokimet, t’i rikthehet diplomacisë

Amerika

SHBA thirrje Koresë së Veriut të ndalë provokimet, t’i rikthehet diplomacisë

Më: 25 janar 2024 Në ora: 06:21
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje të mërkurën Koresë së Veriut të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme destabilizuese dhe t’i rikthehet kuadrit diplomatik. Më herët të mërkurën, Koreja e Veriut nisi disa raketa me vetëdrejtim drejt detit, në perëndim të bregdetit të saj.

“I shikojmë këto veprime si jashtëzakonisht të rrezikshme”, tha zëvendës zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, gjatë një seance informimi për shtypin të mërkurën, por pa dhënë vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për synimet e Koresë së Veriut.

Provat më të fundit me raketa ndodhën vetëm pak ditë pasi Pheniani testoi në ujërat mes Gadishullit Korean dhe Japonisë një raketë të rrezes së mesme, të pajisur me një mbushje hipersonike.

“Nuk kemi qëllime armiqësore ndaj Koresë së Veriut dhe vazhdojmë të jemi të hapur ndaj diplomacisë pa kushte”, tha zoti Patel.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kritikuar ashpër Korenë e Jugut, duke i përshkruar marrëdhëniet ndërkoreane si një marrëdhënie midis "dy shteteve armiqësore ndaj njëri-tjetrit".

Një monument i madh në Phenian që simbolizon objektivin e pajtimit me Korenë e Jugut është shkatërruar, sipas njoftimeve në lajme që citojnë imazhe satelitore.

Në fillim të këtij muaji, zoti Kim e cilësoi Korenë e Jugut një "armik kryesor dhe armik kryesor të pandryshueshëm", duke deklaruar se bashkimi me Korenë e Jugut nuk ishte më i mundur.

Ky qëndrim shihet nga disa analistë si një largim nga objektivi i hershëm i Koresë së Veriut për ribashkimin e Gadishullit Korean nën kontrollin e saj.

Pheniani gjithashtu vazhdon të injorojë ofertat e Uashingtonit për dialog dhe vazhdon të jetë kundër negociatave me Seulin.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se janë të zhgënjyer nga refuzimi i vazhdueshëm i dialogut nga Koreja e Veriut dhe përshkallëzimi i retorikës së saj armiqësore ndaj Koresë së Jugut. Shtetet e Bashkuara thanë se bashkëpunimi ndër-korean është jetik për arritjen e paqes së qëndrueshme në Gadishullin Korean.

“Dëshirojmë të përfshihemi në diskutime thelbësore për identifikimin e mënyrave për të menaxhuar jo vetëm rrezikun ushtarak, por për të krijuar paqe të qëndrueshme në Gadishullin Korean, si dhe objektivin tonë të vazhdueshëm për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean”, tha zoti Patel të mërkurën.

Në Pentagon, sekretari i shtypit, Gjeneral Major Patrick Ryder u tha gazetarëve të martën se Uashingtoni ka qenë shumë publik në angazhimin e tij për të punuar me aleatët dhe partnerët "për të penguar dhe ndihmuar në stabilizimin e sigurisë së rajonit".

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë riafirmuar angazhimin e tyre për denuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Të tre vendet i kërkojnë gjithashtu Koresë së Veriut të braktisë programet e saj bërthamore dhe raketore balistike.

Koreja e Veriut nisi për herë të fundit raketa me vetëdrejtim në shtator 2023. Dy raketa me vetëdrejtim që mbartnin mbushje bërthamore të rreme u nisën në atë kohë drejt Detit të Verdhë.

Dy Koretë janë ndarë që nga përfundimi i Luftës Koreane në vitin 1953. Ato mbeten teknikisht në luftë pasi Lufta Koreane përfundoi me armëpushim dhe jo me traktat paqeje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat