Rreziqet e shpërbërjes së pasurive të ish-presidentit Donald Trump në Nju Jork

Amerika

Rreziqet e shpërbërjes së pasurive të ish-presidentit Donald Trump në Nju Jork

Më: 29 janar 2024 Në ora: 23:36
Donald Trump

Brenda pak ditësh, perandoria e pasurive të patundshme të-ish Presidentit Donald Trump mund të urdhërohet që të “shpërbëhet” për shkak të pasaktësive të vazhdueshme në deklaratat financiare ndaj huadhënësve, duke e radhitur emrin e tij në listën e atyre pak entiteteve që janë dënuar për shkeljen e ligjit të fuqishëm të Nju Jorkut kundër mashtrimeve financiare.

Sipas një analize të agjencisë së lajmeve Associated Press të rasteve civile të rreth 70 vitet e fundit që kur ka hyrë në fuqi ky ligj, një dënim i tillë është zbatuar vetëm në mbi dhjetë raste. Rasti i zotit Trump bie në sy: është e vetmja kompani e madhe që është kërcënuar me mbyllje pa pasur një numër të madh personash që kanë pësuar pasoja apo pa humbje të mëdha.

Prokurorët shtetërorë në gjyqin civil ndaj zotit Trump kanë argumentuar se parimet e konkurrencës së drejtë në treg janë të mjaftueshme për të justifikuar dënimin e ashpër, por as ata nuk po kërkojnë likuidimin e ndërmarrjeve apo pronave të tij. Disa nga ekspertët ligjorë druhen se nëse gjykatësi dënon një ish-president me dënimin më të ashpër, do ta bëjë më të lehtë për gjykatat tjera që të shpërbëjnë biznese në të ardhmen.

“Ky është realisht një dënim me vdekje për një biznes,” thotë profesori i së drejtës Eric Talley pranë Universitetit të Kolumbias. “A po jepen këto dënime për shkak të mashtrimit apo për shkak se njerëzve nuk u pëlqen zoti Trump?”

Shqyrtimi nga Associated Press i gati 150 rasteve të raportuara që kur u miratua statuti i Nju Jorkut “për mashtrim të përsëritur” në vitin 1956 tregon se në të kaluarën sa herë që është shpërbërë një kompani, arsyet kryesore ishin viktimat apo humbjet. Klientët humbën para apo blenë produkte me defekte apo nuk morën kurrë shërbimet për të cilat paguan, duke i lënë ata të mashtruar dhe të indinjuar.

Përveç kësaj, në të kaluarën kompanitë janë shpërbërë pothuajse në të gjitha rastet si alternativa e fundit për të ndërprerë masat mashtruese dhe për të mbrojtur viktimat e mundshme. Këto raste përfshijnë një psikolog të rremë që shiste trajtime të dyshimta, një avokat mashtrues që pretendonte se do t’i regjistronte studentët në fakultetin juridik dhe sipërmarrës që reklamonin këshilla financiare, por që u vodhën njerëzve titujt e pronësisë së shtëpive.

Në rastin e zotit Trump, kompania e tij ndërpreu dërgimin e shifrave të ekzagjeruara financiare për vlerën e përgjithshme të tij bankës “Deutsche Bank” dhe të tjerëve para të paktën dy vitesh, por një mbikëqyrës i caktuar nga gjykata theksoi se ai e bëri një gjë të tillë vetëm pasi u padit dhe se dokumentet tjera financiare vazhduan të përmbajnë gabime dhe shtrembërime.

Dhe ndonëse banka i ofroi zotit Trump përqindje më të ulëta interesi për shkak se ai kishte pranuar që personalisht të garantonte huatë me paratë e veta, nuk është e qartë se sa më të volitshme ishin përqindjet për shkak të shifrave të ekzagjeruara. Banka nuk paraqiti ndonjë ankesë, por është e paqartë nëse pësoi ndonjë humbje. Zyrtarët bankarë të ftuar që të dëshmonin nuk ishin në gjendje të thonin nëse deklarata personale e pasurisë së zotit Trump luajti rol tek përqindja e interesit.

“Kjo vendos një precedent të shëmtuar,” thotë avokati i pasurive të patundshme Adam Leitman Bailey, i cili në të kaluarën ka fituar një padi kundër zotit Trump rreth një ndërtese apartamentesh, vlera e të cilës ishte shtrembëruar me qëllim që të joshte blerësit.

Sipas profesorit të së drejtës nga Universiteti i Miçiganit William Thomas, pyetja që shtrohet është se “Kush ka vuajtur pasojat në këtë rast? Nuk kemi një listë të gjatë viktimash në këtë rast.”

Zoti Trump, kandidati kryesor presidencial në kampin e republikanëve, i ka drejtuar gjithë sulmet e tij për humbjen e mundshme të biznesit ndaj prokurores demokrate të Nju Jorkut që ngriti padinë ndaj tij, si edhe gjykatësit të çështjes.

Në bazë të urdhrit të dhënë në shtatorin e kaluar që aktualisht po shqyrtohet në gjykatën e apelit, gjykatësi Arthur Engoron deklaroi se zoti Trump ka kryer veprën e mashtrimit dhe se duhet t’i revokohen liçencat shtetërore të nevojshme për të drejtuar shumë nga kompanitë e tij në Nju Jork.

Ai tha se më pas zotit Trump duhet t’i hiqet e drejta e kontrollit ndaj atyre kompanive, të cilat kanë zyrtarisht kontrollin ndaj qendrës së tij në Nju Jork dhe pronave tjera që bartin emrin e tij, dhe t’i kalojnë një të ngarkuari që do të menaxhojë “shpërbërjen” e tyre.

Ajo që gjykatësi nuk sqaron është se çfarë nënkuptoi me fjalën “shpërbërje” – nëse i referohet likuidimit të entiteteve që kontrollojnë pronat apo vetë pronat. I pyetur në gjykatë nëse pronat e zotit Trump do të shiten siç bëhet në rast falimentimi, gjykatësi Engoron tha se do të japë shpjegime për këtë në të ardhmen.

Në rastin më të keq, sipas ekspertëve ligjorë, gjykatësi Engoron mund të vendosë që shpërbërja nënkupton heqjen nga kontrolli i zotit Trump jo vetëm të pronave të tij në Nju Jork siç është “Trump Tower” dhe grataçeli i tij në Wall Street, por edhe klubit të tij Mar-a-Lago në Florida, një hotel në Çikago dhe një ndërtesë apartamentesh e disa klube golfi në Majami, Los Anxheles dhe Skoci.

Nga ana e saj, prokurorja e Nju Jorkut Letitia James ka kërkuar që zotit Trump t’i ndalohet të bërit biznes në Nju Jork dhe të paguajë një shumë prej 370 milionë dollarësh. Gjykatësi Engoron ka sinjalizuar se brenda dy javëve të ardhshme do të marrë një vendim që pritet të vendosë mbi një gjobë financiare, çështjen e ndalimit të biznesit dhe sqarimin e urdhrit të tij tij mbi "mbylljen e biznesit".

NJË HISTORI MBI DËNIMET

Ligji i Nju Jorkut kundër mashtrimit , i njohur si Ligji Ekzekutiv 63(12), thotë në mënyrë të qartë se për zbulimin e mashtrimit nuk është i nevojshëm të vërtetohet fakti se ka patur synim për të mashtruar ose se dikush ka humbur para si rezultat i mashtrimit. Prokurorja e Përgjithshme duhet të demonstrojë vetëm "veprime të përsëritura mashtruese ose të paligjshme".

Por analiza e agjencisë së lajmeve Associated Press, bazuar në një studim të rasteve të mëparshme kur është zbatuar ligji të 63 (12), zbuloi se viktimat dhe humbjet ishin faktorë të rëndësishëm në vendimet për të konfiskuar ose jo një biznes.

Për shembull, një organizatë jofitimprurëse e kancerit të gjirit u mbyll 12 vjet më parë për përdorimin e pothuajse të gjitha kontributeve prej 9 milionë dollarësh për të paguar rrogat e drejtorit dhe shpenzimet e tjera, në vend të financimit të mamografive falas, studimeve dhe ndihmës për të pacientët.

Një firmë e kapitalit privat që falsifikoi suksesin e madh të investimeve u mbyll pasi vodhi miliona dollarë nga mijëra investitorë.

Një institucion i shëndetit mendor u mbyll për grabitjen e 4 milionë dollarëve nga fondet publike, duke lënë pas dore pacientët.

Mund të ketë më shumë kompani të shpërbëra përmes ligjit 63 (12). Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se disa raste gjyqësore, në të cilat është zbatuar ligji 63 (12), nuk shfaqen në listën e dosjeve ligjore, sepse ato janë zgjidhur, janë hequr ose nuk janë raportuar.

Megjithatë, i vetmi rast biznesi i shpërbërë sipas ligjit kundër mashtrimit pa përmendur viktimat apo humbjet aktuale, që gjeti agjencia e lajmeve Associated Press, ishte një kompani relativisht e vogël e mbyllur në vitin 1972 për shkrimin e eseve për studentët e kolegjit. Në atë rast, prokurori i përgjithshëm tha se viktima ishte "integriteti i procesit arsimor".

Kjo nuk është përplasja e parë e zotit Trump me ligjin e Nju Jorkut kundër mashtrimit. Fondacioni i tij jofitimprurës Trump ra dakord të mbyllej në vitin 2018 për shkak të akuzave mbi keqpërdorim të fondeve për interesa politike dhe biznesi. Universiteti Trump u padit në bazë të ligjit kundër mashtrimit në vitin 2013 mbi dyshimin se kishte mashtruar mijëra studentë me premtime të rreme për sukses, por ai u mbyll përpara se të mbyllej nga gjykatat. Zoti Trump përfundimisht e zgjidhi këtë dhe çështjet e lidhura me këtë, duke paguar një gjobë prej 25 milionë dollarësh.

Një gjykatës në vitin 2001 refuzoi të caktonte një mbikqyrës të një faqeje pornografike interneti, pavarësisht miliona dollarëve të tarifave të paligjshme të kartave të kreditit për qindra klientë që mendonin se po shfrytëzonin atë falas. Në fakt, pronarët u përpoqën të mbulonin truket e tyre dhe i zhvendosën paratë jashtë vendit. Megjithatë, gjykatësi tha se caktimi i një mbikëqyrësi për të kontrolluar biznesin ishte një "zgjidhje e jashtëzakonshme" që duhet përdorur në raste të rralla dhe se një urdhër paraprak ishte i mjaftueshëm për këtë çështje. Vite më vonë, prokurorët në një çështje tjetër penale thanë se familja mafioze Gambino drejtonte biznesin dhe futi disa operatorë të tij në burg.

RASTI KUNDËR ISH PRESIDENTIT TRUMP

Rasti ndaj zotit Trump përfshinte 11 vjet dokumente financiare me vlera të bazuara në shuma të debatueshme dhe nganjëherë të rreme të pronave të përdorura për sigurimin e kredive.

Në mesin e tyre, zoti Trump ekzagjeroi tre herë përmasat e apartamentit të tij në Manhatan. Ai renditi ndërtesat e papërfunduara sikur të ishin të plota dhe me apartamente të dhëna me qera. Ai i përfshiu në deklarimet financiare fondet e kufizuara sikur të ishin para të gatshme.

Në paraqitjen e akuzave kundër zotit Trump, zonja James thirri për të dëshmuar një ekspert të sektorit të kredive, i cili vlerësoi se ‘Deutche Bank’ hoqi dorë nga një interes shtesë prej 168 milionë dollarësh nga huatë e dhëna zotit Trump, duke i bërë përllogaritjet sikur zoti Trump të mos kishte ofruar garanci personale.

Por zoti Trump ofroi garanci, megjithëse vlerësimi i pasurive të tij ishte i ekzagjeruar. Por faktikisht banka bëri vlerësimet e veta të pasurive personale të zotit Trump dhe vendosi që t’i japë huatë.

Dëshmitë nga zyrtarët, përgjegjës për kreditë në ‘Deutsche Bank’, sugjeruan se nuk ishte aq e thjeshtë vendosja e normës së interesit të huasë, madje edhe në mungesë të garancisë personale nga zoti Trump.

Njësia e bankës gjermane që dha kreditë për biznesin e zotit Trump nuk ishte zyra tipike e huadhënies, por një degë e posaçme e bankës për menaxhimin e pasurive.

Zakonisht, kjo degë e bankës jep hua për klientët e pasur, jo vetëm për të fituar interes, por për të rritur shanset e veta për të fituar biznesin fitimprurës të menaxhimit të investimeve të tyre të mëdha dhe për t’i bindur ata që të blejnë shërbime të tjera bankare. Dëshmitë tregojnë qartë se ky ishte synimi i bankës gjermane në lidhje me huatë dhënë zotit Trump.

Ish-presidenti ka thënë vazhdimisht se çështja kundër tij ka sfond politik dhe është “gjueti shtrigash” sepse ai është më i pasur nga sa sugjerojnë dokumentat e paraqitura në banka, dhe se huadhënësve nuk u interesonin ato shifra pasi ata gjithmonë bëjnë përllogaritjet e tyre dhe se huatë u kthyen plotësisht dhe bankat vazhduan të jepnin hua.

“Ajo që po ndodh këtu, zotëri, është një rreng ndaj meje. Jam një njeri i pafajshëm”, tha zoti Trump në fillim të këtij muaji në një deklaratë prej gjashtë minutash përpara se gjykatësi t’ia ndërpriste fjalën.

KOMPROMISI I MUNDSHËM

Prokurorët kanë argumentuar se çështja ndaj zotit Trump përmban probleme më të mëdha sesa humbjet e viktimave.

Kevin Wallace, me zyrën e prokurores, tha se dhënia e huave me të dhëna të pasakta dëmton publikun dhe sektorin e biznesit, “deformon tregun” dhe “dëmton huamarrësit e ndershëm”.

Në një dokument shtesë prej 94 faqesh të paraqitura në fillim të këtij muaji, kryeprokurorja Letitia James sugjeroi arritjen e një kompromisi. Ajo i tha gjykatësit që të caktonte një vëzhgues të pavarur për të mbikëqyrur bizneset e zotit Trump për pesë vite, pas së cilës gjykata mund të vendosë lidhur me bizneset e tij.

Zoti Thomas, me Universitetin e Miçiganit, thotë se gjykatësi Engoron mund të tërhiqet nga vendimi për mbylljen e biznesit të zotit Trump, por ende ka shqetësime.

“Ata që duan që me çdo mjet të nevojshëm ta shohin Donald Trumpin që të vuajë”, tha ai, “rrezikojnë ta shkelin vetë angazhimin ndaj sundimit të ligjit për të cilin e akuzojnë atë se e ka shkelur”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat