Kanadaja premton të rrisë shpenzimet për mbrojtjen

Amerika

Kanadaja premton të rrisë shpenzimet për mbrojtjen

Më: 8 prill 2024 Në ora: 22:19
Justin Trudeau

E gjendur nën trysninë amerikane për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, Kanadaja premtoi të hënën miliarda dollarë fonde shtesë për forcat e armatosura, duke thënë se deri në vitin 2030 do të jetë më pranë objektivit të përcaktuar nga NATO-ja.

Në një përditësim të politikës së mbrojtjes, qeveria liberale e kryeministrit Justin Trudeau tha se mbrojtja e Arktikut, si dhe ballafaqimi me sfidat e sigurisë që paraqesin Rusia dhe Kina, nënkuptojnë se Otava duhet ta fuqizojë mbrojtjen e saj.

“Po veprojmë përsëri për të ruajtur dhe mbrojtur rendin ndërkombëtar që ka mundësuar përparimin e njerëzve në mbarë botën gjatë pjesës më të madhe të shekullit të kaluar”, tha zoti Trudeau gjatë një konference shtypi.

Deri në vitin 2030, Kanadaja do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes me rreth 1.76% të prodhimit të brendshëm bruto nga 1.4% që e ka aktualisht. NATO-ja u ka kërkuar vendeve anëtare që të shpenzojnë për mbrojtjen 2% të prodhimit të brendshëm. Zyrtarët u thanë gazetarëve se nuk kanë caktuar një datë për arritur nivelin prej 2%.

Është gjithashtu e paqartë se në çfarë mase do të zbatohet synimi i shpenzimeve të qeverisë liberale pasi Partia Konservatore në opozitë duket se gëzon më shumë mbështetje përpara zgjedhjeve të tetorit të vitit të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara, që për vite më radhë i kanë bërë trysni Kanadasë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, e mirëpritën premtimin e Otavës për ndryshimin e politikës së mbrojtjes.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kanada, David Cohen, tha përmes një deklarate se Uashingtoni e përshëndet premtimin e Kanadasë për të rritur shpenzimet ushtarake dhe synimin për investime shtesë në të ardhmen.

Me një buxhet mbrojtje prej 22.8 miliardë dollarë amerikanë, Kanadaja synon të rrisë shpenzimet me 8.1 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme dhe me një shumë totale prej 73 miliardë dollarë kanadezë gjatë 20 viteve të ardhshme.

Vendi i dytë më i madh në botë për nga territori, Kanadaja ka vetëm 40 milionë banorë dhe gjithashtu luan një rol të madh në monitorimin e një territori të madh në Arktik me një shtrirje prej 4.4 milionë km katrorë tokë dhe ujë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat