FMN: Rritja e fortë në SHBA ka përmirësuar perspektivën e ekonomisë globale

Amerika

FMN: Rritja e fortë në SHBA ka përmirësuar perspektivën e ekonomisë globale

Më: 12 prill 2024 Në ora: 06:25
Kristalina Georgieva

Rritja e fortë në Shtetet e Bashkuara ka përmirësuar perspektivën e ekonomisë botërore, por duhet bërë më shumë për të frenuar uljen e produktivitetit, tha të enjten drejtoresha e FMN-së.

"Rritja globale është pak më e fortë për shkak të aktivitetit të fuqishëm ekonomik në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende në zhvillim", u tha gazetarëve drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u rrit me 2.5 për qind vitin e kaluar, sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, duke tejkaluar shumë ekonomi të tjera të vendeve të zhvilluara.

"Rritja e konsumit të brendshëm, investimet e biznesit dhe një lehtësim i problemeve të zinxhirit të furnizimit kontribuan në rritjen ekonomike", shtoi zonja Georgieva. "Inflacioni po bie, disi më shpejt se sa pritej më parë."

Ajo foli vetëm disa ditë përpara fillimit të takimeve të pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington, një nga dy takimet vjetore të organizuara nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Komentet e saj sugjerojnë se FMN-ja tani pret që ekonomia botërore të ketë një rritje më të madhe sesa prashikimi që bëri në janar për një rritje me 3.1 për qind në 2024 dhe 3.2 për qind në 2025 të ekonomisë globale.

"Ky është një lehtësim për ne. Kemi shmangur një rënie të ekonomisë globale dhe një periudhë të rritjes së inflacionit, të parashikuar nga disa ekonomistë", tha zonja Georgieva. "Por ka ende shumë gjëra për të cilat duhet të jemi të kujdesshëm."

Ndër sfidat që përmendi zonja Georgieva janë rritja e tensioneve gjeopolitike, që sipas saj, po rrit rreziqet e fragmentimit të ekonomisë globale.

Ajo theksoi gjithashtu sfidat e rritjes së borxhit publik dhe një "ngadalësim të gjerë të produktivitetit".

Për shkak të kësaj, FMN-j pret që rritja ekonomike të mbetet në nivelin pak më të lartë se 3 për qind në periudhën afatmesme, që është më e ulët se mesatarja historike.

Për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë globale dhe tejkalimin e sfidës së produktivitetit, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar propozoi marrjen e disa hapave për të ulur inflacionin global, borxhin publik, heqjen e “kufizimeve ndaj aktivitetit ekonomik” dhe rritjen e produktivitetit.

“Me pak fjalë, nëse tregjet po marrin goditje dhe po punohet për zgjidhjen e problemit, si përshpejtimi i novacionit për të trajtuar kërcënimin ekzistencial të ndryshimeve klimatike, ekziston një justifikim për ndërhyrjen e qeverisë, përfshirë hartimin e politikave industriale”, tha ajo.

“Nëse nuk ka dështim tregu, duhet të tregohemi të kujdesshëm”, shtoi ajo./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat