Shtëpia e Bardhë bllokon publikimin e audio-regjistrimit nga intervista e Presidentit Biden me prokurorin e posaçëm

Amerika

Shtëpia e Bardhë bllokon publikimin e audio-regjistrimit nga intervista e Presidentit Biden me prokurorin e posaçëm

Më: 16 maj 2024 Në ora: 20:28
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland gjatë takimit me Presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Joe Biden përdori fuqitë e tij ekzekutive për të bllokuar publikimin e audio-regjistrimit të intervistës së tij me Prokurorin e posaçëm Robert Hur, e cila është në qendër të përpjekjeve të ligjvënësve republikanë për të mbajtur përgjegjës Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland për moszbatim të një kërkese të Dhomës së Përfaqësuesve ndaj tij.

Departamenti amerikan i Drejtësisë i njoftoi të enjten ligjvënësit për këtë hap të Presidentit Biden.

Veprimi i Presidentit Biden vjen ndërkohë që Komisioni për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjësinë dhe Komisioni për Çështjet Ligjore në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të mbajnë seanca dëgjimore. Ata pritet të rekomandojnë që ligjvënësit ta referojnë zotin Garland tek Departamenti i Drejtësisë për moszbatim të kërkesave të Kongresit, për shkak të refuzimit të departamentit që t’ua dorëzojë ligjvënësve audio-regjistrimin.

Përmes një letre të enjten, Prokurori Garland e këshilloi Presidentin Biden se çështja e audio-regjistrimit bie brenda fuqive të tij ekzekutive. Zoti Garland i tha Presidentit Biden se “nevojat e komisioneve të Kongresit janë thjesht të pamjaftueshme për të justifikuar pasojat e dëmshme që publikimi i regjistrimeve do t’i ketë mbi integritetin dhe efektshmërinë e hetimeve të ngjashme në të ardhmen.”

Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Carlos Felipe Uriarte u bëri thirrje ligjvënësve të mos vazhdojnë më tej me akuzat ndaj zotit Garland, në mënyrë që të shmangin “një konflikt të panevojshëm dhe të pajustifikueshëm”.

“Është një qëndrim i hershëm i pushtetit ekzekutiv, që e kanë respektuar si administratat demokrate edhe ato republikane, që nëse një zyrtar zbaton kërkesën e presidentit për të ushtruar kompetencat ekzekutive, ai nuk mund të akuzohet për moszbatim të kërkesave të Kongresit,” shkroi zoti Uriarte.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Ed Siskel i drejtoi një letër të ashpër Kongresit të enjten duke vënë në dukje se përpjekjet e ligjvënësve për ta marrë audio-regjistrimin nuk kanë asnjë qëllim legjitim dhe se qëllimi i tyre është më se i qartë – “ta redaktojnë, shtrembërojnë dhe ta përdorin (audio-regjistrimin) për qëllime partiake.”

Kjo letër e Shtëpisë së Bardhë është një konfirmim i tërthortë i njoftimeve që intervista e zotit Biden me prokurorin Hur përmban momente për të cilat ka shqetësime që mund ta portretizojnë negativisht presidentin amerikan gjatë një viti zgjedhor – situatë që mund të përkeqësohet nga publikimi, apo publikimi i pjesshëm, i audio-regjistrimit.

Teksti i zbardhur i intervistës me Prokurorin e Posaçëm Hur tregon se Presidenti Biden kishte vështirësi të kujtonte disa data dhe se nganjëherë ngatërronte disa detaje – një gjë që, sipas këshilltarëve të tij, ai e ka bërë me vite publikisht dhe privatisht – por që për shumë çështje të tjera ai ka një kujtesë të thellë. Zoti Biden dhe këshilltarët e tij janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me moshën e presidentit. Si 81 vjeçar, Presidenti Biden është presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe tani po kandidon edhe për një mandat katër vjeçar.

Prokurori i Posaçëm Hur gjeti prova se Presidenti Biden me qëllim kishte vazhduar të mbante dosje të klasifikuara dhe se këto dosje ai ia tregoi një bashkëpunëtori me synimin për të shkruar një libër. Por, zoti Hur arrin në përfundim se gjetjet e tij janë të pamjaftueshme për të ngritur aktpadi penale ndaj zotit Biden./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat