Raporti: Ndihmësi i Trumpit nuk ka zbuluar se ka lobuar për Yanukovychin

Amerika

Raporti: Ndihmësi i Trumpit nuk ka zbuluar se ka lobuar për Yanukovychin

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 09:49
Paul Manafort

Agjencia Associated Press (AP) ka raportuar se i ka në dispozicion emailat që tregojnë se kompania e udhëhequr nga shefi i fushatës së Donald Trumpit, ka lobuar për ish-presidentin e Ukrainës, që mbështetej nga Rusia, dhe se nuk i ka plotësuar kërkesat ligjore për zbulimin e këtyre aktiviteteve.

Emailit tregojnë se firma e lobimit, e udhëhequr nga Paul Manafort, dhe zëvendësi i tij, Rick Gates, kanë synuar të përfitojnë publicitet dhe të ndikojnë në opinioni publik amerikan në favor të ish-presidentit, Viktor Yanukovich, i cili ishte detyruar të tërhiqet nga revolta popullore në vitin 2014.

Zbulimet e djeshme për lidhjet ruse të zotit Manafort po bëhen në periudhën kur kandidati republikan për president amerikan, Donald Trump, po ballafaqohet me kritika në rritje për pikëpamjet e tij miqësore për Rusinë.

Manafort dhe Gates e kanë drejtuar fushatën e zotit Trump prej prillit dhe i kanë mbajtur pozicionet e tyre përkundër ndryshimeve në ekipin e fushatës këtë javë.

Më herët këtë javë, Manafort ka thënë se asnjëherë nuk ka kryer “mbështetje lobuese direkte” për qeverinë e Ukrainës ose të Rusisë.

Por, agjencia AP raportoi se firma e tij ka kryer lobim të këtillë dhe është dashur të regjistrohet dhe ta zbuloj rolin e vet si agjent i jashtëm.

Sipas legjislacionit në Shtetet e Bashkuara, njerëzit që lobojnë për liderë të jashtëm politikë, duhet të paraqesin raporte të detajuara për aksionet e tyre në Departamentin e drejtësisë.

Dështimi për ta bërë këtë paraqet krim, i cili mund të dënohet me pesë vjet burg dhe gjobitje deri në 250 mijë dollarë.

Dje, Buroja Kombëtare Antikorrupsion në Ukrainë ka publikuar ekstrakte nga librat kryesorë të kontabilitetit të partisë politike të Yanukovichit, ku dokumentohet se më tepër se 12 milionë dollarë në pagesa “nën tavolinë” ishin paraparë për zotin Manafort.

Këto dokumente nuk konfirmojnë se Manafort aktualisht i ka marrë paratë dhe avokatët e tij e kanë hedhur poshtë pjesëmarrjen në çfarëdo aktiviteti ilegal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat