Trump parashtron planin e tij për imigracionin

Amerika

Trump parashtron planin e tij për imigracionin

Më: 1 shtator 2016 Në ora: 16:25
Donald Trump

Kandidati presidencial republikan Donald Trump parashtroi të mërkurën në mbrëmje politikën e tij për imigracionin duke i dhënë përparësi sigurisë kufitare dhe duke siguruar që ata që hyjnë në Shtetet e Bashkuara të ndajnë vlerat e vendit.

Ai foli përpara përkrahësve në shtetin jugperendimor të Arizonës me një gjuhë shumë më të ashpër sesa disa orë më parë në kryeqytetin Mexico City ku zhvilloi ato që i quajti bisedime "të rëndësishme dhe të hapura" me presidentin meksikan Enrique Peña Nieto.

Një shembull kryesor i mospërputhjes ishte premtimi që ka bërë zoti Trump për një kohë të gjatë, për ndërtimin e një muri në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Zoti Trump tha pas takimit se ai dhe zoti Peña Nieto diskutuan planin, por jo pohimin e zotit Trump se Meksika do të mbulojë koston e ndërtimit. Zoti Peña Nieto, megjithatë tha se ai e bëri të qartë se Meksika nuk do të paguajë për murin.

Por kur zoti Trump parashtroi planin e tij me 10 pika për imigracionin në Arizona, muri “i lartë, i bukur dhe i fuqishëm”, ishte i pari.

"Ata nuk e dinë akoma, por ata do të paguajnë për murin”, tha zoti Trump. Turma entuziaste brohoriti "Ndërto murin!"

Kreu i fushatës së kandidates demokrate Hillary Clinton, John Podesta tha se Trumpi nuk pati guxim ta shtronte çështjen me zotin Peña Nieto.

"Ajo që pamë sot nga një njeri që pretendon se është negociatori më i mirë, është se ai nuk ka kurajon të mbroj premtimin e bërë në fushatën e tij kur nuk është përpara një turme miqësore”, tha zoti Podesta.

Pas disa javësh njoftimesh se zoti Trump mund ta zbuste platformën e tij për imigracionin, ai premtoi të mërkurën në mbrëmje se do të punësojë 5 mijë agjentë të rinj në patrullimin kufitar, duke e trefishuar numrin e oficerëve të zbatimit të ligjit të imigracionit dhe duke deportuar menjëherë këdo që kapet duke hyrë ilegalisht në vend. Ai tha se krimi dhe kalimi i kufirit do të ulen ndjeshën dhe banditët do të zhduken.

Çështja se çfarë do të bëhet me gati 11 milionë njerëz që jetojnë tashmë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara është një vijë ndarëse me Trumpit dhe Clintonit. Të dy kërkojnë të deportojnë ata që kanë kryer krime, por zoti Trump e kundërshton urdhërin ekzekutiv të firmosur nga presidenti Barack Obama që ofron shtyrjen e deportimit për një kategori njerëzish pa të shkuar kriminale. Zonja Clinton kërkon t’i mbrojë ata, gjë të cilën zoti Trump e etiketon si “amnisti."

Trump ka bërë thirrje për përfundimin e sistemit biometrik të hyrjeve dhe daljeve për të ndjekur nga afër kush hyn në vend dhe për zgjerimin e sistemeve elektronike të verifikimit për tv ndihmuar punëdhënësit të mënjanojnë punësimin e imigrantëve të paligjshëm.

Ai theksoi gjithashtu planet për të pezulluar dhënien e vizave për ata që jetojnë në vende ku njerëzit nuk mund të kontrollohen sic duhet për të siguruar që nuk përbëjnë rrezik për sigurinë. Ata që pranohen në Shtetet e Bashkuara do të duhet të kalojnë gjithashtu provime ideologjike.

Trump tha se nuk do të pranojë refugjatë nga vende si Siria dhe Libia, duke propozuar në vend të kësaj “zona risistemimi” në rajonet e tyre për të cilat do të paguajnë vendet e Gjirit Persik. Shkurtimisht, ai e cilësoi politikën e tij si vendosjen e vendit përsëri në kontroll.

"Ne do t’i trajtojmë të gjithë ata që jetojnë dhe banojnë në këtë vend me dinjitet të lartë” tha Trump. “Ne do të jemi të drejtë dhe të dhimbsur për të gjithë, por dhembshuria më e madhe jona duhet të jetë për qytetarët amerikanë."

Në një miting të zonjës Clinton të mërkurën ajo i cilësoi Shtetet e Bashkuara si një forcë glolabe për “liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor”, duke thënë se njerëzit e shohin vendin si një udhëheqës. Ish sekretarja e Shtetit kritikoi vizitën e Trumpit në Meksikë duke thënë se ndërtimi i marrëdhënieve kërkon konsistencë dhe seriozitet.

"Sigurisht që duhet shumë më tepër sesa të përpiqesh të mbulosh një vit fyerje dhe shpifje duke vizituar fqinjët tanë për pak orë dhe duke u kthyer përsëri në vend. Nuk funksionon kështu," tha zonja Clinton.

Më pas ajo shkroi në Tweeter se Trumpi kishte dështuar në proven e parë për politikën e jashtme.

"Diplomacia nuk është aq e lehtë sa duket," shkroi Clinton.

Peña Nieto e kishte ftuar zonjën Clinton gjithashtu për bisedime në kryeqytetin Mexico City, por fushata e saj nuk ka vendosur se kur do të ndodhë kjo vizitë.

Presidenti meksikan tha gjatë një konferencë për shtyp me zotin Trump se është përparësia e tij të mbrojë meksikanët kudo që ata janë dhe se ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara janë njerëz të talentuar dhe të ndershëm që respektojnë familjen, komunitetin dhe ligjin.

Peña Nieto e quajti gjithashtu kufirin një pasuri për të dyja vendet. Ai tha se amerikanët që e shohin atë si një rrugë për kalimin e drogës dhe imigracionit të paligjshëm nuk kanë një pasqyrë të plotë të situatës dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë gjithcka të mundur për të ndaluar armët dhe paratë që rrjedhin për tek kartelet e drogës në Meksikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat