Trump kërkon votën e afrikano-amerikanëve dhe hispanikëve

Amerika

Trump kërkon votën e afrikano-amerikanëve dhe hispanikëve

Më: 4 shtator 2016 Në ora: 08:25
Donald Trump

Kandidati republikan për president, Donald Trump, tha sot në një kishë afrikano-amerikane në Detroit, se dëshiron të ndihmojë në rindërtimin e qytetit dhe se në SHBA “ka shumë gjëra të gabuara që duhen ndrequr”.

Dy muaj përpara zgjedhjeve, zoti Trump po përpiqet të tërheqë votat e komunitetit afrikano-amerikan, në veçanti në Detroit, ku ata janë 83% e popullsisë. Tradicionalisht, ky komunitet ka votuar në mënyrë masive për kandidatët demokratë.

“Jam këtu për t’ju dëgjuar”, i tha ai kongregacionit të mbledhur. “Ndërsa po përgatitem për fushatën mbarëkombëtare, do të shpalos edhe planet e mia ekonomike, të cilat do t’i shërbejnë shumë qytetit Detroit”, tha ai, ndërsa shpjegoi disa nga pikat e fushatës së tij.

Zoti Trump tha se vendit i duhet një “axhendë e të drejtave civile e kohës tonë”, me arsim më të mirë dhe me vende më të mira pune.

Ulur në radhën e parë pranë zoti Trump gjendej Omarosa Manigault, një ish-pjesëmarrëse në serinë televizive të zotit Trump, që po e ndihmon tashmë fushatën e tij për t’iu afruar komunitetit afrikano-amerikan.

Në audiencë ndodhej edhe zoti Ben Carson, neurokirurugu i lindur në Detroit, ish-kandidat republikan që rivalizoi zotin Trump në zgjedhjet paraprake dhe që tashmë është bërë këshilltar i fushatës. Zoti Trump vizitoi edhe shtëpinë e fëmijërisë së zotit Carson.

Shumë votues nga minoritetet në SHBA janë ndjerë të ofenduar nga përshkrimet e zotit Trump për jetët e tyre. Udhëheqës të komunitetit afrikano-amerikan i kanë shpërfillur mesazhet e tij të transmetuara përballë audiencave të dominuara nga të bardhë.

Thirrja pragmatiste e zotit Trump se “çfarë keni për të humbur duke më votuar mua”, duket se nuk ka zënë vend ndër votuesit afrikano-amerikanë dhe minoritetet e tjera.

Anketimet e opinionit publik tregojnë se kundërshtarja e tij demokrate, Hillary Clinton, gjendet në një avantazh të qartë ndaj zoti Trump ndër radhët e votuesve që u përkasin minoriteteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat