Clinton, Trump rreth tensioneve mes policisë dhe protestuesve

Amerika

Clinton, Trump rreth tensioneve mes policisë dhe protestuesve

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 21:22
Clinton, Trump

Kandidatët amerikanë për president Donald Trump dhe Hillary Clinton kanë bërë thirrje që ballafaqimet vdekjeprurëse në rrugët e qyteteve të vendit si pasojë e vrasjeve të fundit nga policia të afrikano-amerikanëve, të përfundojnë sa më shpejt.

Kandidati republikan Donald Trump tha sot gjatë një tubimi politik në Pitsburg të Pensilvanisë se “Dhuna ndaj qytetarëve tanë dhe oficerëve të zbatimit të ligjit duhet të marrë fund menjëherë”.

Ai shtoi se ballafaqimet vdekjeprurëse ndërmjet policisë dhe banorëve në qytetet shpesh të varfra të vendit janë “një problem i pafund”.

Manjati i pasurive të patundshme i cili këtë vit kandidon për herë të parë për një post publik, tha: “Amerika ka nevojë për unitet dhe për frymën e bashkimit ....Ne kemi nevojë për ta sjellë atë frymë në çdo pjesë të vendit tonë dhe të jemi një komb i bashkuar amerikan, të bashkuar nga vlerat e përbashkëta dhe parimet si qytetarët amerikanë”.

Ai shtoi: “Vendi ynë duket keq në sytë e botës, sidomos kur ne duhet të jemi vendi udhëheqës i saj. Si mund të udhëheqim kur ne nuk mund të kontrollojmë as edhe qytetet tona”?

Kandidatja demokrate për presidente Clinton, shkruajti një mesazh në Twitter rreth dy burrave afrikano-amerikanë të qëlluar nga policia në rrethana të diskutueshme gjatë ditëve të fundit në Sharlotë të Karolinës së Veriut dhe Tulsa të Oklahomës.

“Keith Lamont Scott. Terence Crutcher. Shumë të tjerë. Kjo duhet të marrë fund. – H”thonte mesazhi i shkruar nga vetë ajo në Twitter, edhe pse Clinton nuk u mor me fushatën sot në mënyrë që të përgatitet për debatin e parë presidencial të së hënës me kandidatin Trump.

Dje, zonja Clinton, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit e cila kërkon të bëhet presidentja e parë grua e vendit, tha se vrasjet janë “të padurueshme dhe duhet të bëhen të patolerueshme”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat