Bill Klinton i quan të çmendura politikat e Obamës për sistemin shëndetësor

Amerika

Bill Klinton i quan të çmendura politikat e Obamës për sistemin shëndetësor

Më: 5 tetor 2016 Në ora: 11:48
Bill Clinton

Bill Klinton e vë bashkëshorten e tij në pozita të vështira pasi cilësoi sistemin e shëndetësisë të reformuar nga Barak Obama si “të çmendur”, një frazë e vogël që është rimarrë menjëherë nga kundërshtarët republikanë.

Ish-presidenti amerikan ka tendencë të flasë më lirshëm se sa bashkëshortja, Hillary Klinton.

Ai përpiqej të shpjegonte mosfunksionimin e sistemit kompleks të sigurimit shëndetësor amerikan, që mbështetet njëkohësisht në sigurime private dhe publike.

Reforma e Barack Obama e miratuar nga Kongresi në vitin 2010 i ka mundësuar miliona personave që të regjistrohen në një sigurim shëndetësor të subvensionuar, por për disa të vetëpunësuar apo krerë sipërmarrjesh të vogla, pra persona që të ardhurat nuk i mundësojnë të marrin këtë ndihmë, çmimi i sigurimeve private është rritur për shkak të efekteve të paparashikuara në tregjet e siguracioneve.

“Pra ne kemi një sistem të çmendur ku 25 milionë persona shtesë janë siguruar, por ata që lodhen dhe punojnë 60 orë në javë përfundojnë të paguajnë dy herë më shumë se sa më parë. Kjo është gjëja më e çmendur në botë”, thekson Bill Klinton.

Bill Klinton vazhdoi arsyetimin e tij duke shpjeguar se reforma e propozuar nga Hillary Klinton është më e mirë dhe mundëson më shumë lehtësira për amerikanët.

Por, për Donald Trump dhe republikanët, që përpiqen prej gjashtë vitesh të shfuqizojnë reformën e vitit 2010, kjo deklaratë duket një mundësi e artë.

“Ai tha se është gjëja më e çmendur në botë, është një citim i saktë”, deklaroi Donald Trump në Arizona.

“Dua ta falënderoj që u tregua i ndershëm”, vazhdoi kandidati republikan.

E pyetur sot për këtë polemikë, Hillary Klinton i tha gazetarëve se “kam thënë që ne duhet të përmirësojmë atë që nuk funksionon dhe të ruajmë atë që funksionon”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat