Ryan mohon se ka pranuar disfatën e z. Trump

Amerika

Ryan mohon se ka pranuar disfatën e z. Trump

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 23:40
Paul Ryan

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan nuk do të tërhiqet nga mbështetja për kandidatin republikan Donald Trump, tha zyra e tij. Sipas kësaj zyre, nuk është e vërtetë se ai ka pranuar që kandidatja Hillary Clinton do të jetë presidentja e ardhshme.

Zoti Ryan u tha ligjvënësve republikanë në një bisedë telefonike se ai do të bëjë ç’të jetë e mundur që zonja Hillary Clinton të mos ketë liri të pakufizuar nëse Kongresi do të kontrollohet nga demokratët pas zgjedhjeve.

Disa ligjvënës pro zotit Trump e interpretuan këtë si një qëndrim disfatist. Ata komentuan në kushte anonimiteti për shkak se biseda ishte private.

Zoti Ryan tha gjatë një bisede telefonike me disa udhëheqës republikanë se nuk ka në plan të mbrojë kandidatin republikan ose të bëjë fushatë për të gjatë 30 ditëve të ardhshme.

Ai tha se shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve është në rrezik.

Lajmi erdhi nga një person që mori pjesë në bisedën telefonike dhe kërkoi të mbetej anonim.

Zoti Trump reagoi në Twitter, duke thënë se "Paul Ryan duhet të shpenzojë më shumë kohë për balancimin e buxhetit, krijimin e vendeve të punës dhe imigracionin e paligjshëm e jo të harxhojë kohën duke luftuar kundër kandidatit republikan"./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat