Hillary Clinton në kulmin e popullaritetit, rrit epërsinë ndaj Donald Trumpit

Amerika

Hillary Clinton në kulmin e popullaritetit, rrit epërsinë ndaj Donald Trumpit

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 23:58
Hillary Clinton dhe Donald Trump

Teksa fushata e Donald Trumpit po lëngon pas publikimit të incizimeve të komenteve të pahijshme seksuale për femrat që kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kishte bërë më 2005, miliarderi nga Nju-Jorku tani ndodhet edhe më larg rivales së tij demokrate, Hillary Clinton, në anketat e opinionit.

Clinton ka rritur epërsinë e saj ndaj Trumpit, sipas një ankete të re të realizuar me votues të mundshëm nga NBC News dhe Wall Street Journal.

Anketa, e realizuar të shtunën dhe të dielën, por para debatit të dytë presidencial, tregon se Clinton gëzon mbështetjen e 46 për qind të votuesve të mundshëm në një garë me katër pjesëmarrës, ndërsa Trump mbështetet nga vetëm 35 për qind e tyre.

Libertariani Gary Johnson mbështetet nga nëntë për qind e votuesve të mundshëm, ndërsa kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein, gëzon mbështetjen e vetëm dy për qind të votuesve të mundshëm.

Në një përballje kokë më kokë, epërsia e Clintonit ndaj Trumpit rritet në 14 për qind - 52 për qind mbështesin Clintonin, 38 për qind mbështesin Trumpin.

Dhe, në mesin e të gjithë votuesve të regjistruar, epërsia e Clintonit është prej 13 për qind, që përbën avantazhin më të madh të saj që kur anketa ka nisur të testojë fuqinë e dy politikanëve në shtatorin e vitit të kaluar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat